Perspektiva e Shqipërisë për Integrimin në Bashkimin Evropian dhe personat me aftësi të kufizuar


Suela Lala, Irma Gjinaj

Sipas Censusit të fundit të popullsisë, rezulton se 6,2 % ose rreth 184,987 shqiptarë, kanë një formë të aftësisë së kufizuar. Ndërkohё, OBSH vlerëson se 10-15% e popullsisë botërore, është me aftësi të kufizuar. Personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri, vijojnë të kenë jetë të izoluar, mundësi të pakëta pjesëmarrjeje në shoqëri, janë më të varfër, kanë më shumё pengesa pёr arsimim, punësim, etj.

Perspektiva e anёtarёsimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, është një ёndёrr e kahershme e të gjithё shqiptarëve, me shpresё për një jetë më të mirë. Nga ky rrugёtim dhe perspektivë, edhe personat me aftësi të kufizuar kanё pritshmёri për respektim të të drejtave të tyre dhe mundësi më të mëdha pjesëmarrjeje në shoqёri.

Rrugëtimi i Shqipërisë për anëtarësimin, ka qenë i gjatë dhe jo i lehtë dhe sfidat vazhdojnë. Në 1 prill 2009, hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe menjёherё mё pas, Shqipëria dorёzon aplikimin pёr anёtarёsim nё Bashkimin Evropian. Në Prill 2018, Komisioni i rekomandoi Këshillit Evropian hapjen e negociatave dhe në Qershor 2018, Kёshilli hapi rrugën drejt negociatave, duke identifikuar kushtet të cilat Shqipёria duhet të përmbushë, për fillimin e tyre. Nё mars tё 2020, Këshilli Evropian miraton hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi Evropian, lindi si një bashkim ekonomik dhe në thelb mbetet i tillë, por rëndësia e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, solli si nevojë edhe mbulimin e fushave të tjera të cilat nuk ishin në gjenezë, si p.sh, respektimi i të drejtave të punonjësve dhe aspekte të tjera sociale.

Sipas të ashtuquajturave “Kritere tё Kopenhagenit”, të cilat përbëjnë kushtet themelore politike për anёtarësim në Bashkimin Evropian,  kërkohet ndër tё tjera që vendi kandidat të respektojё të drejtat e njeriut. Me nisjen e rrugëtimit për anёtarësim, Shqipëria ka një sërë detyrimesh në shumë fusha, por ndër to edhe përafrimi i legjislacionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, çka ndikon në përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar.

Cilat janë masat që ka ndërmarrë Bashkimi Evropian, për përmirësimin e situatës së personave me aftësi të kufizuar?

Neni 10 i Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, parashikon se në përcaktimin dhe zbatimin e politikave dhe aktiviteteve, Bashkimi Evropian duhet të synojë luftimin e diskriminimit, bazuar ndër të tjera edhe nё aftësinë e kufizuar. Ndërsa, Neni 19 nënvizon se Këshilli Evropian duhet të ndërmarrë masa të përshtatshme, për të luftuar diskriminimin në bazë tё aftësisë së kufizuar. Neni 26 i Kartёs mbi të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian, merret posaçërisht me integrimin social të personave me aftësi të kufizuar. Bashkimi Evropian ka marrё në konsideratë që në dokumentet themelorë, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, është e para konventë e të drejtave të njeriut, tek e cila Bashkimi Evropian ka aderuar. Kjo thekson rëndësinë që ka zbatimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, në vetë politikat dhe aktivitetet e Bashkimit Evropian. Konventa hyri në fuqi në janar të vitit 2011.

Bashkimi Evropian ka hartuar Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar 2010-2020, në të cilën janë reflektuar elementet kyçe të konventës. Kjo strategji është e strukturuar në tetë fusha të përbashkëta veprimi për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare, siç janë aksesueshmëria, pjesëmarrja, barazia, punësimi, arsimimi, mbrojtja sociale, shëndetësia etj.

Një nismë tjetër e rëndësishme, e cila lindi si rrjedhojë e lobimit të gjatë të organizatave të aftësisë së kufizuar në nivel Evropian, është edhe Akti Evropian për Aksesueshmërinë ose Direktiva 2019/882. Kjo direktivë ka si synim të përmirësojë aksesueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve, duke ofruar çmime më konkurruese për to dhe më pak barriera në transport, arsimim dhe në tregun e hapur të punës, për personat me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu, Bashkimi Evropian ka disa rregullore mbi të drejtat e pasagjerëve me lëvizshmëri të reduktuar në mjetet kryesore të transportit, me synim ofrimin e transportit të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar në mbarë Evropën.

Ndërsa, Direktiva 2016/2102, merret me aksesueshmërinë e faqeve të internetit dhe aplikacioneve të institucioneve publike.

Karta Evropiane e Aftësisë së Kufizuar, është një nismë që përpiqet të sigurojë akses të barabartë në përfitime brenda kufijve të Bashkimit Evropian, për personat me aftësi të kufizuar, kryesisht në fushën e kulturës, sporteve dhe transportit.

Karta Evropiane e Parkimit, u siguron personave me aftësi të kufizuar nga gjithë Bashkimi Evropian, të parkojnë në vendet e rezervuara, kur lëvizin nga një vend në tjetrin.

Ndërsa, Direktiva 2000/78,përcakton një kuadër të përgjithshëm për trajtim të barabartë për personat me aftësi të kufizuar në punësim.

Bashkimi Evropian,  është i përkushtuar edhe për ndërgjegjësimin mbi kushtet e jetesës së personave me aftësi të kufizuar, sfidave që ata hasin në jetën e përditshme dhe promovon mekanizmat që përmirësojnë jetën e tyre.

Në arritjen e këtij synimi, Bashkimi Evropian ka disa nisma.

Access City Award ose Ҫmimi për Qytetin e Aksesueshëm, vlerëson çdo vit qytetet Evropiane të cilat kanë bërë përpjekje të dukshme për t’u bërë më të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar. Për 2020 këtë çmim e fitoi Varshava, kryeqyteti i Polonisë.

Ditën Evropiane për Personat me Aftësi të Kufizuar, çdo vit Bashkimi Evropian mban një konferencë dhe gjithashtu zhvillon një forum për të vlerësuar zbatimin e Konventës në nivel Evropian. BE-ja ndihmon me financime vendet anëtare për zbatimin e Konventës.

Si ndikojnë politikat dhe nismat e Bashkimit Evropian në përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar nё vendin tonё?

Së pari, në kuadër të procesit të anёtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka për detyrë të përafrojë legjislacionin ekzistues, me atë të Bashkimit Evropian. Mund të përmendim si shembull ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili është rezultat i ndikimit të direktivave mbi barazinë të Bashkimit Evropian.

Ligji u kërkon subjekteve publike dhe private, të mos diskriminojnë në bazë të aftësisë së kufizuar. Mohimi i aksesueshmërisë nga këto subjekte, konsiderohet diskriminim.

Qeveria shqiptare, ka në qëllimet e saj të afërta, analizën e legjislacionit në fushën e aftësisë së kufizuar, me synim përafrimin sa më parë me direktivat e Bashkimi Evropian.

dyti, Bashkimi Evropian harton çdo vit raportin e progresit për Shqipërinë, i cili monitoron hapat që ka bërë vendi ynë në drejtim të anëtarësimit. Një ndër fushat e rëndësishme, është edhe ajo e të drejtave të njeriut, ku përfshihen personat me aftësi të kufizuar.

Në raportin e progresit tё vitit 2019, nënvizohet që legjislacioni shqiptar, është pjesërisht i njehsuar, me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Që nga miratimi i konventës, vetëm tre ligje janë aprovuar në zbatim të saj dhe ende ka mangёsi pёr aktet nënligjore..

Raporti thekson se personat me aftёsi tё kufizuar, kanë vështirësi për të aksesuar shkollimin, punësimin, kujdesin mjekësor, shërbimet sociale dhe përfshirjen në vendimmarrje. Gjithashtu, përmend se pengesat ambientale dhe arkitektonike, pengojnë lëvizjen e tyre.

Njё tjetër problem i identifikuar, është ai i mungesës së të dhënave të sakta, mbi personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë.

Së treti, në një sërë fushash, si për shembull transporti, teknologjia e informacionit, etj, direktivat e Bashkimit Evropian, janë thelbësore në formimin e legjislacionit tonë të brendshëm. Këto direktiva përfshijnë veçanërisht aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar.

Një mënyrë tjetër sesi Bashkimi Evropian ndikon në jetën e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri, është nëpërmjet financimeve. Këto financime synojnë forcimin e strukturave shtetërore në zbatimin e ligjit, por gjithashtu përmirësimin e mbrojtjes sociale, etj. Një nga mekanizmat e financimit, është edhe  IPA ose Instrumenti për Ndihmën e Para Anёtarësimit.

Me plotësimin e kushteve në rrugën drejt anёtarësimit nё Bashkimin Evropian, Shqipëria bën hapa përpara në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe fusha të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me jetën e personave me aftësi të kufizuar. Në këtë kontekst, integrimi në Bashkimin Evropian, është një mundësi e shtuar për një jetë më të mirë, për personat me aftësi të kufizuar. Ndërsa anёtarësimi, kurdo që të ndodh dhe shpresojmë shpejt, do të sjellë një nivel tjetër të respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.