Ky Manual ka si qëllim të ndihmojë Bashkitë për të krijuar Këshillin Vendor Rinor (KVR) si institucioni që ka mandatin dhe detyrimin ligjor për t’a formuar këtë strukturë. Manuali i Aktivizmit të Këshillave Vendor Rinor përmban një paketë mjetesh për pjesëmarrjen aktive të të rinjve në vendimmarrje dhe funksionimin e këshillit rinor vendor, duke garantuar shkëmbimin e përvojave më të mira në fuqizimin e mëtejshëm të qytetarisë aktive. Ky manual është realizuar nga EU Policy Hub në kuadër të projektit “ RIACT- Promovo Aktivizmin në Komunitetin tënd Lokal” i financuar nga Lëviz Albania , një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
Eksperienca e anëtarëve të EU Policy Hub në punën me të rinjtë dhe literatura vendase dhe ndërkombëtare do të jenë baza kryesore në hartimin e këtij manuali. Në formulimin e metodologjisë janë identifikuar praktika të mira për fuqizimin e të rinjve, për të nxitur një pjesëmarrje aktive në procese të ndryshme gjatë takimeve me grupe formale dhe informale në nivel vendor, si edhe organizimit të kampeve verore. Këto praktika do të shtjellohen për t’u ardhur në ndihmë KVR-ve për përzgjedhjen e të rinjve, rritjen e kapaciteteve dhe ndërtimit të rregulloreve të brendshme mbi rolin aktiv të KVR.
Ky manual është shkruar për të rinjtë që janë të angazhuar në borde rinore, këshilla rinor, aktivist të cilët synojnë të angazhohen në strukturën e Këshillit Vendor Rinor në bashkinë e tyre. Manuali i shërben administratës publike në nivel vendor që ka përgjegjësinë për ndërtimin dhe funksionimin e KVR-ve. Gjithashtu, ky manual i drejtohet anëtarëve të KVR-ve që përfaqësojnë interesat e të rinjve në nivel vendor dhe do të jenë zëri i tyre pranë organeve vendimmarrëse. Përfitues kryesor nga formalizimi i KVR-ve janë të gjithë të rinjtë, organizatat rinore dhe të gjithë aktorët që kanë interes në fuqizimin e rinisë në nivel vendor dhe qëndror.
Manuali nëpërmjet informacionit të përmbledhur nga pikëpamja ligjore shpjegon funksionin e këshillave, rolin dhe përgjegjësitë e Këshillit Vendor Rinor dhe anëtarëve të tij. Nëpërmjet moduleve specifike, promovimit të praktikave më të mira të aktivizmit dhe advokimit, synohet nxitja e pjesëmarrjes aktive së të rinjve në vendimmarrjen lokale. Në përfundim, rëndësi të veçantë do të ketë rrjetëzimi i KVR-ve brenda një qarku por jo vetëm.