Manuali për qytetarët
Anëtarët e Forumit të Politikave të Integrimit, me mbështetjen e Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë përgatitur botimin me titull “Manuali për qytetarët”. Ky manual ka për qëllim dhënien e informacionit thelbësor qytetarëve mbi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe mbi legjislacionin e Bashkimit Europian.
Manuali për Qytetarët bazohet në burime dhe raporte zyrtare, si informacione të përgjithshme të Komisionit Evropian, vlerësimet e Progres Raporteve për Shqipërinë, ashtu si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2016 – 2020.
Manuali mund të shkarkohet këtu
Diskursi i Integrimit Evropian në Shtypin e Shkruar Shqiptar
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, hapi tjetër është hapja e negociatave për anëtarësim në BE, çka do të kërkojë një angazhim më të madh në ndërmarrjen e reformave thelbësore në vend. Në këtë proces të reformave të brendshme dhe negociatave për anëtarësim, është i nevojshëm informimi dhe përfshirja sa më e gjerë e publikut.
Në këtë kontekst, roli i medias (me të gjitha format dhe kanalet e saj të informimit) është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në informimin e publikut, por edhe në formësimin e perceptimeve dhe opinioneve publike lidhur me procesin e integrimit evropian dhe çështje të lidhura me BE-në.
Pavarësisht qëndrimit pozitiv të publikut shqiptar ndaj Bashkimit Evropian si dhe përdorimit joparësor që ka shtypi i shkruar tradicional (gazetat),3 ka një hendek hulumtimi mbi diskursin e shtypit të shkruar në inkuadrimin e opinionit publik. Ky studim shqyrton diskursin e integrimit evropian në shtypin e shkruar dhe mënyrën se si gazetat në Shqipëri raportojnë në lidhje me procesin e integrimit evropian.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Aftësitë e planifikimit strategjik dhe roli i ekzekutivit në procesin e anëtarësimit në BE
Ky dokument politikash shqyrton rolin e Qeverisë së Shqipërisë në planifikimin strategjik, zhvillimin e politikave dhe aftësive të koordinimit në lidhje me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Instrumentet kryesorë në fuqi për planifikimin strategjik dhe zhvillimin e politikave janë burimet financiare, burimet njerëzore, afati kohor me objektiva dhe skadenca të përcaktuara, një agjendë e përbashkët takimesh, një sistem monitorimi dhe një metodë e qartë vendimmarrëse. Qeveria shqiptare ka përfshirë të gjitha këto instrumenta në planifikimin strategjik të procesit të integrimit, por ka mangësi në përmbushjen e angazhimeve dhe sistemi i monitorimit nuk është ende në gjendje të korrigjojë procedurat përpara se afatet të kenë skaduar.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Kërkohet dialog: Eksperienca e bashkëpunimit ndërparlamentar BE-Shqipëri
Kjo analizë synon të hedhë dritë mbi performancën e përgjithshme të bashkëpunimit ndërparlamentar midis BE-së dhe Shqipërisë. Ajo fokusohet tek korniza ligjore dhe organizative ekzistuese, ndjekur nga një vlerësim i përgjithshëm i efektivitetit të bashkëpunimit dhe identifikimi i sfidave kryesore. Gjithashtu, përvojat e bashkëpunimit ndërparlamentar të Malit të Zi dhe Serbisë janë ilustruar shkurtimisht, si një shembull krahasues, duke vënë theksin tek rëndësia e dialogut politik për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Analiza bazohet në një vlerësim cilësor të raporteve, deklaratave, njoftimeve për shtyp, si dhe procesverbaleve dhe rekomandimeve përfundimtare të KPSA-s të publikuara për çdo shtet (Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë) gjatë periudhës 2010-2016.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Performanca e grupeve ndërinstitucionale të punës
Në këtë dokument politikash kryhet një analizë e krahasuar midis fuksioneve dhe rolit të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës që prej krijimit të tyre, veçanërisht të përformancës së tyre gjatë plotësimit së pyetësorit të KE-së, dhe të rishikimit të rolit dhe funksioneve, sikurse parashikohet në kuadrin e përgatitjeve për statusin kandidat.
Analiza bazohet në intervista ballë për ballë me drejtues të nivelit të lartë të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), anëtarë të GNP-ve gjatë procesit të plotësimit së pyetësorit të KE-së, dhe anëtarë aktual të GNP-ve. Për më tepër, janë marrë gjithashtu në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të progresit të KE-së mbi performancën e GNP-ve.
Qëllimi i kësaj analize është të identifikojë qartë mangësitë dhe të propozojë rekomandime të përshtatshme për përmirësimin e rolit dhe performancës së GNP-ve, për t’iu përgjigjur në kohë sfidave të negociatave për anëtarësim.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Mbështetja buxhetore: një mjet për të zbatuar asistencën financiare të Bashkimit Evropian
Ky dokument i shkurtër politikash ka për qëllim të shpjegojë mbështetjen buxhetore, e cila përdoret për zbatimin e asistencës financiare të BE-së dhe përfshin një transferim të drejtpërdrejtë të fondeve tek buxheti i një vendi partner, ku ato mund të menaxhohen duke përdorur sistemet kombëtare. Mbështetja buxhetore u prezantua nga Komisioni Evropian si një mjet i ri për vendet e zgjerimit dhe nisi zbatimin në kuadër të programit IPA 2014-2020.
Kjo analizë fokusohet tek objektivat e mbështetjes buxhetore si dhe tek kriteret e kualifikimit për miratimin dhe disbursimin e këtij buxheti. Për më tepër, ajo paraqet format se si ky instrument mund të përdoret dhe gjithashtu përmbledh disa nga përparësitë dhe risqet që duhet të merren në konsideratë gjatë përdorimit të tij. Një seksion specifik i dedikohet rastit të Shqipërisë, duke analizuar mënyrat se si ky instrument është përdorur duke bërë njëkrahasim edhe me vendet e tjera që janë pjesë e procesit të zgjerimit.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Institucionet koordinuese dhe strukturat e integrimit në BE: Pse janë të rëndësishme?
Ky dokument politikash synon të shtjellojë organizimin e brendshëm institucional në Shqipëri përgjegjëse për integrimin në BE dhe rolin e rëndësishëm të tij në avancimin e aspiratave të vendit kundrejt anëtarësimit në BE. Kjo analizë ofron një prezantim gjithëpërfshirës të strukturave institucionale dhe mekanizmave në Shqipëri, të miratuara për koordinimin e procesit të integrimit në BE, shoqëruar me një prezantim grafik të rrjetit institucional dhe linjave përkatëse të raportimit. Gjithashtu, prezantohen aktet ligjore, përfshirë ligjet dhe aktet nënligjore, si dhe dokumentet strategjikë të nxjerra nga institucionet përkatëse qeveritare, duke përfshirë organet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
Në këtë dokument politikash theksohen argumentet kryesore për rëndësinë e krijimit të një strukture institucionale koherente dhe efektive mbi integrimin evropian në Shqipëri dhe evidentohen mangësitë aktuale në koordinimin institucional dhe funksionet e strukturave përkatëse. Gjithashtu, janë dhënë disa rekomandime për të adresuar përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të institucioneve dhe strukturave koordinuese.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Menaxhimi indirekt i fondeve të BE-së në Shqipëri
Ky publikim synon të monitorojë nga afër procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe institucionet e përfshira në të, duke u përqëndruar kryesisht në koordinimin ndërinstitucional ndërmjet njësive dhe dokumenteve dhe raporteve të tyre ligjore.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
MANUAL I AKTIVIZMIT TË KËSHILLAVE VENDOR RINOR
Ky Manual ka si qëllim të ndihmojë Bashkitë për të krijuar Këshillin Vendor Rinor (KVR) si institucioni që ka mandatin dhe detyrimin ligjor për t’a formuar këtë strukturë. Manuali i Aktivizmit të Këshillave Vendor Rinor përmban një paketë mjetesh për pjesëmarrjen aktive të të rinjve në vendimmarrje dhe funksionimin e këshillit rinor vendor, duke garantuar shkëmbimin e përvojave më të mira në fuqizimin e mëtejshëm të qytetarisë aktive. Ky manual është realizuar nga EU Policy Hub në kuadër të projektit “ RIACT- Promovo Aktivizmin në Komunitetin tënd Lokal” i financuar nga Lëviz Albania , një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
“Vlerësim mbi situatën e të rinjve dhe politikat rinore në Qarkun e Fierit”
Ky raport u realizua nga EU Policy Hub në bashkëpunim me Qendren Epoka e Re në kuadër të
projekti RI-ACT: Promovo Aktivizmin në Komunitetin tënd Lokal! me mbështetjen financiare
të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. Raporti studimor “Vlerësim mbi situatën e të rinjve dhe politikat rinore në Qarkun e Fierit” u realizua me qëllimin për të vlerësuar situatën e të rinjve në qarkun Fier dhe të evidentojë problematikat rinore përkatësisht në Bashkitë Fier; Patos; Lushnjë; Mallakastër, Roskovec, Divjakë.