Revolucioni në kuadrin ligjor i tregjeve financiare në Shqipëri

Nga Artan Gjergji, 

Ekspert i Tregjeve Financiare

Zhvillimi i Sistemit Financiar në Shqipërinë Post-Comuniste

Sistemi financiar në Shqipëri ka pasur një zhvillim gradual në tre dekadat e fundit të rrugëtimit të tij në ekonominë e tregut të lirë. Ndarja klasike mes sektorit bankar dhe atij jo-bankar si pjesë përbërëse të sistemit financiar në vendin tonë, ka qenë shumë herë më e theksuar, për shkak të një zhvillimi asimetrik të tyre. Kështu ndër vite, sektori bankar ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm e gjithnjë në rritje si nga pikëpamja arkitekturore, institucionale ashtu edhe nga pikëpamja ligjore e rregullative. Ndërkohë që sektori jo-bankar i ka fillimet e tij të hershme mjaft modeste, që në vitet 1996 me krijimin e bursës shtetërore (Bursa e Tiranës), e cila kurrë nuk u përfshi në procesin e privatizimit duke e mbajtur tregun e kapitaleve në një fazë stanjacioni. Gjithashtu, liberalizimi i tregut të sigurimeve filloi vetëm pas vitit 1998, ndërsa fazat  e para të zhvillimit të skemave kolektive të kursimit dhe investimit (fonde pensioni dhe investimi), filluan të krijohen pas vitit 2012.

Status-quo e zhvillimit

Sistemi financiar sot ka arritur në një nivel të konsiderueshëm madhësie, i cili konsiderohet më i lartë se 108% të nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas publikimeve të Bankës së Shqipërisë, totali i aseteve të sektorit bankar, dominon të gjithë sistemin me mbi 98% të PBB-së ose rreth 90.7% të peshës së gjithë sistemit financiar, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga institucionet financiare jo-banka të mbikëqyrura nga vetë BSH-ja apo AMF-ja.

Struktura e Sektorit Financiar në Shqipëri (pesha e Aktiveve si % ndaj PBB-së)

Burimi: Banka e Shqipërisë, Treguesit e Stabilitetit Financiar, Struktura e Sektorit Financiar

Aktualisht në sektorin bankar operojnë rreth 12 banka tregtare, pasi ky sektor ka pësuar një sërë ristrukturimesh dhe lëvizje të kapitalit të huaj me blerje-shitje, si pasojë e konjukturave të tregjeve ndërkombëtare. Gjithashtu sektori ka rreth 30 operatorë, si institucione financiare jo-banka (mikrofinancë, factoring, leasing, para elektronike, transferim parash, etj.), si dhe më shumë se 500 Zyra të Këmbimit Valutor (ZKV) të mbikëqyrura nga BSH-ja.[1]

Në sektorin jo-bankar të mbikëqyrur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ushtrojnë aktivitetin aktualisht:

  • Tregu i Sigurimeve – 10 kompani të sigurimit të produkteve të jo-jetës, 3 kompani të sigurimit të jetës, 19 shoqëri brokerimi në sigurime, 679 agjentë dhe 72 vlerësues dëmesh.
  • Tregu i Kapitaleve dhe Letrave me Vlerë[2] – 1 bursë titujsh,  14 shoqëri komisionere, 30 brokera fizikë, 9 kujdestarë titujsh, 2 regjistrues titujsh, 2 shoqëri të këshillimit për investime në tituj.
  • Tregu i Fondeve – 4 shoqëri të administrimit të fondeve, 3 kujdestarë fondesh, 5 fonde investimit dhe 3 fonde pensionesh.[3]

Mbikëqyrja e Tregjeve

Parë nga këndvështrimi i rregullimit të tregjeve financiare edhe ecuria e institucioneve mbikëqyrëse, ka ndjekur të njëjtën trajektore. Teksa enti rregullator i sektorit bankar, Banka e Shqipërisë,  jo vetëm që ka një histori pothuaj një shekullore,[4] por gjatë gjithë viteve të tranzicionit e deri më sot, nuk ka pësuar kurrë një ndryshim strukturor që të ketë ndikuar në vazhdimësinë e punës së saj si mbikëqyrëse e stabilitetit financiar. Përkundrazi, me suportin e kujdesshëm të institucioneve financiare ndërkombëtare, banka qendrore ndër vite ka fituar shumë më tepër pavarësi institucionale dhe vendimmarrëse. Edhe pse klasa politike ka ruajtur një distancë të kënaqshme nga rregullatorët e tjerë të sektorit jo-bankar, përsëri eficenca institucionale e këtyre rregullatorëve ka lënë për të dëshiruar sa për shkak të fragmentarizimit të tyre,[5] aq edhe për shkak të fazave të ndryshme kur ka filluar mbështetja financiare e ligjore e Qeverive shqiptare për këta sektorë. Vetëm në vitin 2006, nën kujdesin dhe asistencën e ngushtë të Bankës Botërore, Shqipëria ia doli të realizonte një integrim dhe përqendrim të plotë të institucioneve rregullatore të tregjeve jo-bankare në një ent rregullator më vete, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Që nga ajo kohë, zhvillimi i tregjeve financiare jo-bankare (tregu i sigurimeve, tregu i kapitaleve dhe tregu i fondeve të pensioneve e investimeve) ka pasur një hap cilësor e të qëndrueshëm zhvillimi, si në aspektin institucional (përfshi shërbimet dhe produktet financiare), ashtu edhe në aspektin rregullativ e mbikëqyrës.

Kuadri Ligjor – më pranë Direktivave të BE-së

Megjithatë, përtej ecurisë diku të qëndrueshme e diku të luhatshme të zhvillimit të tregjeve financiare në Shqipëri, duhet thënë se ka një hap mjaft cilësor e të dukshëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ që mbulon këto tregje, sidomos në dekadën e fundit, që kur Shqipëria është futur dukshëm në trajektoren e integrimit në Bashkimin Europian dhe strukturat Euro-Atlantike. Si pjesë e procesit të negociatave, komponenti i harmonizimit të legjislacionit kombëtar me acquis communautaire, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Këtu merita përveç gatishmërisë së Qeverive shqiptare, padyshim që ka qenë edhe e donatorëve të huaj, të cilët tashmë e koordinojnë alokimin e fondeve drejt sektorëve prioritarë, duke rritur edhe eficencën e përdorimit të këtyre fondeve.

Pikërisht në këtë këndvështrim, përtej dritëhijeve dhe kostove që shkaktuan në ekonominë e vendit dy tërmetet e fund vitit 2019 dhe pandemia COVID-19, duhet thënë se viti 2020 ka shënuar një vit mjaft të suksesshëm në drejtim të revolucionarizimit të kuadrit ligjor në sistemin financiar. Kështu pas një mbështetjeje të fuqishme që i kanë dhënë këtij sektori fondet e BE-së dhe Bankës Botërore nëpërmjet Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), Parlamenti Shqiptar miratoi 4 ligje shumë të rëndësishme që mbulojnë tregjet financiare. Këto ligje u përgatitën nga BSH-ja dhe AMF-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë si dhe asistencën e paçmuar të ekspertëve të Bankës Botërore.

Përtej funksioneve klasike që kanë rregullatorët dhe organet kompetente në çdo vend të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e industrive nën mbikëqyrje, licensimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve, mbrojtjen e konsumatorit dhe minimizimin e risqeve që mund të dëmtojnë të gjithë parametrat e sipërpërmendur, duhet thënë që vendet në zhvillim si Shqipëria, kanë plot sfida të tjera të cilat kërkojnë një adresim sa më të shpejtë, duke i mundësuar tregut financiar në vend një integrim sa më të shpejtë në tregjet evropiane. Tre janë shtyllat kryesore që përbëjnë një sfidë të vazhdueshme:

  • Rritja e nivelit të përfshirjes financiare të popullatës dhe përdorimi i shërbimeve financiare duke eliminuar ekonominë cash,
  • Zhvillimi dhe mbështetja e tregjeve të kapitalit si një mënyrë mjaft e dobishme për të nxitur konkurrencën, ulur kostot financiare dhe rritur eficiencën në tregjet financiare duke ndikuar pozitivisht në rritjen e ekonomisë.
  • Rritja e përdorimit të produkteve dhe mjeteve të teknologjisë moderne financiare (FinTech) në çdo shërbim financiar.

Revolucioni Ligjor në Tregun Financiar

Pikërisht duke identifikuar këto problematika, BSH-ja dhe AMF-ja me mbështetjen e donatorëve dhe pas një pune të konsiderueshme me ekspertë ndërkombëtarë, arritën me sukses miratimin e një sërë ligjesh që do të kenë një ndikim pozitiv afatgjatë në perspektivën e zhvillimit të tregut financiar në vend.

  1. Sistemi i Pagesave –  Përfshirja financiare nënkupton që individët dhe bizneset të aksesojnë produkte dhe shërbime financiare jo të kushtueshme (pagesa, kursime, hua dhe sigurime) që plotësojnë nevojat në jetën e tyre të përditshme. Për shkak të një administrimi më të mirë që i bëjnë individët raportit të ardhura-shpenzime, përfshirja financiare konsiderohet si një mjet për të ulur varfërinë dhe rritur mirëqenien. Duke njohur këto kapacitete, komuniteti ndërkombëtar i zhvillimit ka vënë theksin në zgjerimin e përfshirjes financiare në dhjetëvjeçarin e fundit. Ajo është njohur si një nxitës kyç i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGS) dhe është pjesë e agjendës së G20-ës, nëpërmjet Partneritetit të Global për Përfshirjen Financiare (GPFI). Në vitin 2013, Grupi i Bankës Botërore njoftoi një vizion ambicioz të Qasjes Financiare Universale (UFA) deri në vitin 2020, ku të gjithë të rriturit do të kenë akses në një llogari të transaksioneve, si një hap përpara drejt përfshirjes financiare. Të gjitha këto përpjekje kanë pasur rezultate të konsiderueshme. Që nga viti 2011, rreth 1.2 miliardë të rritur kanë hapur llogari. Sot, rreth dy nga tre të rritur në mbarë botën (69% e popullsisë së rritur), kanë një llogari bankare.[6]

Bazuar në të dhënat e fundit të treguesit FINDEX të matur nga Banka Botërore, zotërimi i llogarive në Shqipëri renditet më i ulëti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë. Vetëm 40% e popullsisë në moshë madhore në vend kanë një llogari transaksionesh me një bankë, ndërkohë që në vendet me të ardhura më të larta, ky nivel shkon në 70% të popullsisë. Edhe përdorimi i këtyre llogarive është më i ulët në Shqipëri, ku numri i transaksioneve të pagesave me para cash, për banor në Shqipëri, në vitin 2016, ishte 4.3, ndërkohë që në vendet me të ardhura mbi mesataren raportojnë se më shumë se 40 transaksione për banor nuk kryhen me para cash.[7]

Sjelljet e individëve konsumatorë dhe bizneseve shqiptare dominohen nga paraja cash, duke reflektuar kështu një ekonomi me përdorim të lartë të cash-it. Kështu rreth 96% e pagesave të iniciuara nga konsumatorët dhe 66% e pagesave të iniciuara nga bizneset, janë në para cash. Kjo varësi e lartë nga paraja fizike ka ndikime

të konsiderueshme në kosto jo vetëm për përdoruesit, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Sipas ekspertëve rezulton se paraja cash, instrumenti më i përdorur, përbën njëkohësisht edhe instrumentin më të shtrenjtë, duke i kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 1.7% të PBB-së.[8]

Pikërisht për shkak të efekteve pozitive që ka në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit,  gjatë viteve të fundit, BSH-ja dhe sektori bankar i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përfshirjes financiare dhe edukimit financiar të popullatës. Në këtë kuadër BSH-ja është fokusuar tek përmirësimi i mëtejshëm i kuadrit të saj mbikëqyrës dhe rregullator, duke synuar përafrimin e vazhdueshëm të tij me standardet e BE-së. Kështu, në muajin Prill 2020, Parlamenti miratoi ligjin “Për Shërbimet e Pagesave”, i cili harmonizon direktivën e dytë për Shërbimet e Pagesave të Bashkimit Europian (PSD2), duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon. Ndër përfitimet që sjell miratimi i këtij ligji mund të përmenden:

  • Ndikimi pozitiv në procesin e integrimit të vendit në BE, për shkak të një integrimi më të lehtë me tregun e përbashkët të pagesave në euro (Single Euro Payment Area).
  • Promovimi dhe zgjerimi e përfshirjes financiare të popullatës.
  • Rritja e konkurrencës mes  operatorëve në treg duke ulur kostot e këtyre shërbimeve.
  • Nxitja e përdorimit më të gjerë të instrumenteve elektronike të pagesave duke reduktuar përdorimin e cash-it në ekonomi.
  • Nxitja e transparencës më të lartë nëpërmjet informimit në kohë reale dhe mundësimi i një mbrojtjeje më të mirë të konsumatorëve.
  • Dhënia e mundësisë institucioneve të pagesave për të ofruar shërbime që deri më sot kanë qenë ekskluzivitet i sektorit bankar.
  • Tregu i Kapitaleve dhe Investimet ne FondeZhvillimi i tregut të kapitaleve në Shqipëri mbetet një nga sfidat kryesore të AMF-së.[9] Parë në këndvështrimin e madhësisë se tregut, aksesit në treg, likuiditetit apo elasticitetit, rezulton që tregu i kapitaleve në Shqipëri është ende modest në zhvillimin e tij (aktivet e fondeve të investimeve dhe pensioneve zënë rreth 6.5% të PPB-së), por me potencial të lartë për të luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.  Fondet e investimit dhe të pensionit kanë pasur një rritje të konsiderueshme në 5 vitet e fundit si në numër kontribuuesish ashtu edhe në vlera fondesh nën administrim. Megjithatë, mungesa e një burse likuide me tituj të biznesit të listuar, ka kufizuar tej mase zhvillimin me shpejtësi të këtyre skemave kolektive të kursimit.

Edhe pse Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është licensuar që në vitin 2017 dhe ka filluar zyrtarisht tregtimin që në Shkurt 2018, mungesa e infrastrukturës së regjistrimit-klerimit-shlyerjes së titujve të emetuara nga biznesi, ka qenë një pengesë për zhvillimin e tregut të organizuar. Këtë hapësirë e kanë mbushur deri diku ndërmjetësit financiar, banka kujdestare titujsh të cilat u kanë mundësuar rreth 9 korporatave të mëdha në vend, emetimin e obligacioneve nëpërmjet ofertës private (nuk kërkon listim në bursë). Shuma e pashlyer e obligacioneve të emetuara nëpërmjet ofertave private në fund të vitit 2019, ishte rreth 60 milionë euro.[10]

Mbështetja e tregjeve të kapitalit shihet nga AMF-ja si një mënyrë mjaft e dobishme për të nxitur konkurrencën, ulur kostot financiare dhe rritur eficiencën në tregjet financiare duke ndikuar pozitivisht në rritjen e ekonomisë së shkallës. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2019 u hartuan dy ligje të rëndësishme, “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe “Për Tregjet e Kapitalit”, me asistencën teknike të ekspertëve të huaj në kuadër të projekteve me mbështetjen e Bankës Botërore. Këto ligje forcojnë më tej kuadrin mbikëqyrës të AMF-së, si edhe modernizojnë dhe zhvillojnë tregun e kapitaleve në Shqipëri.

  • Ligji nr. 56/2020  “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, synon përshtatshmërinë e kuadrit ligjor me direktivën UCITS dhe AIFMD, apo direktiva të tjera të BE-së. Zbatimi i këtij ligji pritet t’i japë hov zhvillimit të mëtejshëm të tregut të skemave kolektive dhe merr në konsideratë një mbikëqyrje më efektive dhe vendosjen e standardeve më të larta për një treg transparent dhe të mirërregulluar. Ligji sjell:
  • përafrimin dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me direktivat evropiane: 
  • bërjen e sektorit të fondeve më tërheqës për pjesëmarrësit e tregut dhe investitorët duke krijuar premisat për një mbrojtje më të mirë të tyre;
  • krijimin e një game më të gjerë të fondeve të përshtatshme bazuar në nivele të ndryshme rreziku për tregjet shqiptare dhe evropiane;
  • mobilizimin e më shumë kursimeve në tregjet e kapitalit dhe në ekonomi;
  • një klasifikim të investitorëve në bazë të profesionalizmit dhe njohurive për tregun dhe investimet, si dhe u ofron atyre më shumë mundësi zgjedhjeje.
  • Ligji nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit” ka për qëllim përshtatjen e kuadrit ligjor me direktivat e BE-së në fushën e tregut të kapitaleve (MIFID II, Direktiva e Abuzimit me Tregun, Direktiva e Prospektit etj.) dhe synon nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të tregut të kapitaleve, rritjen e transparencës dhe sigurimin e integritetit të këtij tregu. Ligji i ri sjell një frymë pozitive kryesisht në drejtim të:
  • Mbledhjes nën të njëjtën ombrellë të të gjithë kuadrit ligjor për tregun e kapitaleve.
  • Harmonizimit të kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së që mbulojnë industrinë financiare.
  • Përcaktimit të rolit dhe aktivitetit të disa tregjeve dhe ndërmjetësve financiarë.
  • Sjelljes për herë të parë të disa koncepteve dhe institucioneve të reja në tregjet financiare si: depozitari qendror i titujve, agjencitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit etj.).
  • Standardizimit të kritereve të “përputhshmërisë dhe përshtatshmërisë” për funksionarët kyç në organet drejtuese të institucioneve në tregun e kapitaleve.
  • Teknologjia Financiare (FinTech)Teknologjia e Blockchain ka mundësuar për herë të parë në historinë ekonomike botërore kryerjen e transaksioneve financiare të sigurta ndërmjet dy palëve në distancë, pa përfshirjen e ndërmjetësuesve ose palëve të treta (institucionet bankare, VISA, Paypal, etj.) si garantues të besueshmërisë. Kjo është arritur padyshim falë ndërthurjes së revolucionit teknologjik me elemente të kriptografisë dhe sigurisë. Në thelb, kjo teknologji është një regjistër i shpërndarë, i cili mund të inspektohet nga të gjithë, por nuk mund të kontrollohet nga askush, madje as nga autoritetet shtetërore. Tokenët digjitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aseti virtual, thelbësisht të varura nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese. Ndërkohë që përdorimi i shërbimeve financiare të bazuara në DLT po transformon në mënyrë të shpejtë tablonë e tregjeve financiare si për investitorët në treg, ashtu edhe për ofruesit e infrastrukturës së tregjeve (sistemet e pagesave, bursat, vendet e tregtimit, kujdestarët e titujve, kompanitë emetuese), këto ngrenë sfida specifike si për rregullatorët, ashtu edhe për pjesëmarrësit e tregut, sepse ka paqartësi për mënyrën se si mund të aplikohet kuadri rregullator ekzistues mbi këto shërbime inovative. Aktualisht, ekzistojnë disa ligje, të cilat rregullojnë sistemin financiar në Shqipëri, por asnjëri prej tyre nuk u përshtatet specifikave të tregjeve financiare të bazuara në DLT e si rrjedhojë, ky aktivitet aktualisht mbetet i parregulluar.

Gjatë vitit 2020 u miratua nga Parlamenti ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Kjo e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që hedh një hap të guximshëm drejt rregullimit të një industrie revolucionare të teknologjisë financiare (FinTech). Ligji rregullon kushtet për emetimin dhe tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente. Ai parashikon gjithashtu kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave si edhe mbikëqyrjen e tyre. Vlerësohet se një mjedis i mirërregulluar i industrisë Blockchain mund të sjellë përfitime thelbësore si për ekonominë e vendit, ashtu edhe për zhvillimin e tregjeve financiare në tërësi, si: rritja e eficiencës së tregut, mbështetja e formacionit të aftësive në tregun lokal të punës, nxitja e financimeve për kompanitë shqiptare nëpërmjet alternativave të reja të financimit, mbështetja e sistemeve të reja të pagesave, si dhe promovimi i vendit si një ambient kompetitiv për biznesin inovativ. Për më tepër, rregullimi i këtij sektori do të mbrojë investitorët potencialë shqiptarë nga përfshirja në ndonjë skemë të mundshme mashtrimi.

Ligji synon të rregullojë kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave e mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente, kushtet e rregullat për tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale, ofruesit e shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin e praktikave abuzive në treg.

Të gjithë këto ligje kanë shtruar bazën e nevojshme për një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të tregjeve financiare në Shqipëri, bazuar në praktikat dhe tendencat bashkëkohore të tregjeve ndërkombëtare. Efekti i pritshëm i tyre në disa aspekte është afatshkurtër, por në shumicën e komponentëve do jetë afatmesëm dhe afatgjatë.


[1] BSH, Raporti Vjetor 2019

[2] Në terminologjinë ligjore të industrisë financiare termi “letër me vlerë” është i njëjtë me termin “titull”.

[3] AMF, Raporti Vjetor 2019

[4] Banka e Shqipërisë është themeluar që në vitin 1925 në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Alberti në emër të një grupi financiar italian.

[5] deri ne mes të viteve 2000, secili prej sektorëve të sigurimeve, titujve dhe pensioneve kishte rregullatorë të ndarë

[6] Ardic. O. & Dashi. E. (2018), “Përfshirja financiare – një hyrje”, Revista Bankieri, nr. 29, fq. 

[7] Bregu. L. (2020) “Albania – Chasing the the Financially Excluded”, Volume 3, Issue 8, August 2020, pg. 22-25

[8]  BSH dhe BB, (2018),  “Kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri”

[9] AMF, Raporti Vjetor 2019

[10] Sipas të dhënave zyrtare të AMF-së, nga viti 2012 deri në fund të vitit 2019 ishin emetuar në total afërsisht 7.45 miliardë lekë, nga të cilat 53.2% janë në Lekë, 38% janë në Euro dhe 8.8% në USD. (AMF, Raporti vjetor 2019).