Forumi EU Policy Hub, është një organizatë e krijuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) – Zyra për Shqipërinë, që synon angazhimin e profesionistëve të rinj në promovimin, monitorimin e ecurisë dhe ushtrimin e ndikimit në procesin e integrimit të vendit në strukturat europiane.

Zyrtarizimi i Shqipërisë në Qershor të vitit 2014 vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe deklarata e Komisionit Europian se vendi duhet të përqëndrohet në përmbushjen e pesë prioriteteve për çeljen e negociatave, ka intesifikuar përpjektjet e politikëbëresëve, si dhe ka nxitur debatin publik lidhur me përshpejtimin e ecurisë së këtij procesi. Organizatat e shoqërisë civile, grupet e ndryshme të interesit dhe qytetarët duhet të luajnë një rol kyç në monitorimin, përmirësimin dhe ritmin e zbatimit të reformave dhe prioriteteve të parashtuara nga BE.

Në këtë kontekst Forumi “EU Policy HUB” do të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e ideve në përmirësimin e procesit, do të ndërveprojë me aktorët politik në planin kombëtar dhe atë rajonal duke nxitur kështu debatin publik mbi çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu kjo organizatë do të shërbejë si një zë i pavarur në cilësinë dhe zbatimin e reformave që derivojnë nga analizat vjetore të progres raporteve dhe dokumenteve të tjerë strategjikë.

Cili është qëllimi ynë?

  • Ndërtimin dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese për monitorimin dhe analizimin efektiv të reformave të integrimit përmes angazhimit të profesionistëve/ekspertë të rinj në këtë proces;
  • Krijimin e një mjedisi interaktiv dhe ndërdisiplinor mes anëtarëve të forumit ku secili do të ketë mundësinë të advokojë, shkëmbejë dhe të jëtë pjesë e iniciativave të ndërrmara nga forumi;
  • Konsolidimin e kulturës së përfshirjes civile në Shqipëri, në mënyrë që mbështetja e tyre në hallka të ndryshme të integrimit të jetë pro-aktive dhe i vazhdueshëm;
  • Organizimi i grupeve të punës për diskutimin dhe analizimin në mënyrë të pavarur të procesit, të kapitujve të ndryshëm të negociatave dhe dokumenteve strategjikë të sugjeruara nga Komisioni Europian dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit;
  • Publikimin e raporteve dhe analizave nga anëtarët e Forumit të cilat do të përmbajnë në fokusin e tyre përmbushjen e pesë prioriteteve për hapjen e negociatave, me qëllim lehtësimin e politikave publike dhe pjesëmarrjen qytetare në proceset e vendimmarrëse;
  • Mbajtja e takimeve këshillimore me përfaqësues me përvojë politike në rang kombëtar, rajonal dhe europian për shkëmbimin sa më efektiv të pikëpamjeve dhe eksperiencave lidhur me sfidat e integrimit europian.

Vizioni dhe Misioni

Aspirojmë integrimin në familjen europiane ku larmia e vlerave dhe dialogu janë urat që na bashkojnë.

Misioni i Forumit eshte të kontribuojë në krijimin e sinergjive për integrimin europian të vendit nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit të një stukture profesionistësh të rinj, të cilët promovojnë, monitorojnë dhe ndikojnë në ecurinë e procesit.

Vlerat

Me besimin dhe vendosmërinë se puna dhe kontributi ynë do t’i shërbejnë integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane, vlerat tona të përbashkëta frymëzohen nga:

  1. Profesionalizmi: Përpjekje për të arritur rezultate konkrete në cdo aspekt të punës sonë, duke i prezantuar ato tek profesionistët e fushës, qytetarët dhe aktorë të tjerë të interesuar;
  2. Përgjegjshmëria: Të qenurit të përgjegjshëm ndaj publikut duke marrë përsipër zbatimin e zgjidhjeve të mundshme;
  3. Risia: Dëshira për inovacion në aplikimin e zgjidhjeve unike e bashkëkohore;
  4. Qasja bashkëpunuese: Bashkëpunimi i ngushtë me organizata që ndajnë të njëjtat vlera dhe objektiva;
  5. Vullnetarizmi: Përpjekje të vazhdueshme për të ndikuar pozitivisht në ecurinë e procesit të integrimit.
  6. Respekti ndaj tjetrit: Vlerësimi, respektimi i dinjitetit, aftësive, kontributit të stafit, institucioneve dhe të gjithë atyre që kanë interes të ecin në një rrugë të përbashkët me misionin e këtij Forumi.

A mendoni se ndani këto vlera, a keni të njëjtat qëllime dhe a doni ti bashkoheni ekipit tonë? Për më shumë informacion kliko këtu.