
Procesi i integrimit i Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE) është konsideruar si prioriteti më strategjik kombëtar, i cili udhëheq axhendën qeverisëse të vendit. Që nga qershori i viti 2014, Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE. Megjithatë kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian për anëtarësim janë parakushte për kalimin e fazës tjetër të procesit, i cili është ai i hapjes së negociatave.
Bashkimi Europian mori zotimin për tu zgjeruar në Ballkanin Perëndimor në Samitin e Selanikut në Qershor të 2003-it, ku Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit u identifikuan si vendet kandidate potenciale për anëtarësim.
Në qershor të 2006-tës, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit, e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Kjo marrëveshje zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme me Komunitetin Ekonomik Evropian mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar, nënshkruar në maj të vitit 1992.
Objektivi i kësaj qasje të re politike të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhet me rritjen e stabilitetit rajonal dhe parapërgatitjen e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.
Në dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen.
Në 2009-tën, Shqipëria gjithashtu paraqiti kërkesën e saj zyrtare për antarësim në Bashkimin Europian. Komisioni Evropian paraqiti një Opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Europian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit .
Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.
Në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e kandidatit. Marrja e statusit të vendit kandidat shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërrmara dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE.
Hapi tjetër i radhës në këtë proces është hapja e negociatave (bisedimeve) për anëtarësimin në BE, i kushtëzuar nga përmbushja e plotë e 5 prioriteteve kyçe si:
- Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar
- Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
- Lufta kundër korrupsionit
- Lufta kundër krimit të organizuar
- Mbrojtja e të drejtave të njeriut
Pas përmbushjes së këtyre 5 prioriteteve, detyra e Shqipërisë gjatë procesit të negociatave bëhet miratimi dhe vënia në zbatim e të gjithë acquis të BE-së, të cilat ndahen në 35 kapituj, ecuria për secilën prej tyre monitorohet dhe vlerësohet nga Komisioni Evropian.
Vetëm pasi bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët (Shqipëri dhe BE), vendi mund t’i bashkohet unionit.