Manuali për qytetarët

Manuali per qytetaretAnëtarët e Forumit të Politikave të Integrimit, me mbështetjen e Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë përgatitur botimin me titull “Manuali për qytetarët”. Ky manual ka për qëllim dhënien e informacionit thelbësor qytetarëve mbi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe mbi legjislacionin e Bashkimit Europian.

Manuali për Qytetarët bazohet në burime dhe raporte zyrtare, si informacione të përgjithshme të Komisionit Evropian, vlerësimet e Progres Raporteve për Shqipërinë, ashtu si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2016 – 2020.

Manuali mund të shkarkohet këtu

Diskursi i Integrimit Evropian në Shtypin e Shkruar Shqiptar

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, hapi tjetër është hapja e negociatave për anëtarësim në BE, çka do të kërkojë një angazhim më të madh në ndërmarrjen e reformave thelbësore në vend. Në këtë proces të reformave të brendshme dhe negociatave për anëtarësim, është i nevojshëm informimi dhe përfshirja sa më e gjerë e publikut.

Në këtë kontekst, roli i medias është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në informimin e publikut, por edhe në formësimin e perceptimeve dhe opinioneve publike lidhur me procesin e integrimit evropian dhe çështje të lidhura me BE-në.

Pavarësisht qëndrimit pozitiv të publikut shqiptar ndaj Bashkimit Evropian si dhe përdorimit joparësor që ka shtypi i shkruar tradicional (gazetat), ka një hendek hulumtimi mbi diskursin e shtypit të shkruar në inkuadrimin e opinionit publik. Ky studim shqyrton diskursin e integrimit evropian në shtypin e shkruar dhe mënyrën se si gazetat në Shqipëri raportojnë në lidhje me procesin e integrimit evropian.

Publikimi mund të shkarkohet këtu.

Ekuilibri Evropian. Këndvështrime nga Evropa Jug-Lindore

Forumi i Politikave të Integrimit Evropian (EU Policy Hub) në bashkëpunim me Revistën Shprehja Evropiane (European Expression) i dedikuan një hapësirë të veçantë diskutimit të krizës së refugjatëve dhe masave të ndërmarrë në nivel Evropian ku në qendër ishte perspektivat e ekspertëve të rinj nga rajoni i Evropës Juglindore.

Kriza e refugjatëve ka qenë një çështje shumë e ndjeshme edhe për rajonin, duke krijuar debate të forta politike dhe publike shpesh herë të udhëhequra nga ‘frika’ dhe ‘pasiguritë’. Në mënyrë që të mund të përballemi me ‘frikën’ e rajonit ndaj krizave të refugjatëve, ne vlerësuam si të domosdoshëm një diskutim më gjithëpërfshirës dhe të arsyeshëm mbi shkëmbimin e përvojave kolektive në disa fusha të politikave publike me një vizion të përbashkët afatgjatë evropian, duke marrë parasysh jo vetëm përvojën e kaluar mbi krizat e refugjatëve, por gjithashtu sfidat aktuale politike, humanitare dhe organizative me të cilat përballen vendet nga rajoni.

Dokumentet e shkurtra politike të këtij numri special të revistës, të trajtuara nga profesionistë të rinj nga rajoni, tregojnë jo vetëm interesin në rritje për çështjet e migracionit në Evropë por gjithashtu kontribuojnë në ofrimin e rekomandimeve konkrete për një qasje dhe veprim kolektiv evropian. Trajtimet e profesionistëve të rinj nga rajoni, janë analitike dhe kritike në logjikën që ndjekin; ato ofrojnë mendime të shtjelluara dhe propozojnë rekomandime të guximshme të cilat janë mjaft të sinqerta dhe me një vizion për të ardhmen duke u bërë burim frymëzimi dhe mbështetjeje e atyre vendimmarrësve të cilët kanë pushtetin për të sjellë ndryshimin. Dhjetë janë rekomandimet kryesore, të dala nga kjo iniciative e përbashkët rajonale, sesi Evropa mund të përballet me krizën e refugjatëve. Për më tepër ju ftojmë të lexoni se cilat janë ‘frika(t)’ tona për krizën e refugjatëve dhe cila duhet të jetë qasja Evropiane sipas optikës së profesionistëve të rinj nga rajoni i Evropës Jug-Lindore.

Lexo revistën këtu