
MANUAL PËR TË RINJ
Korrupsioni është njëri prej fenomenve më negative që pengon zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të një vendi. Kjo dukuri shpesh quhet “tumori i shoqërisë”, sepse një njeri i prekur nga tumori humb imunitetin, ndërsa një shtet me shkallë të lartë të korrupsionit humb besueshmërinë e qytetarëve. Vendet në tranzicion janë veçanërisht të rrezikuara nga ky fenomen për shkak se korrupsioni nuk lejon investimin e fondeve publike për të zhvilluar sektorët jetik, por i kanalizon ato në përfitime personale apo drejt grupeve të caktuara. Në një shoqëri të tillë, cilësia e jetës së qytetarëve është e ulët dhe pasojat janë veçanërisht të dëmshme për pjesën më të varfër të shoqërisë.
Rinia e sotme do të jetë lidershipi i të ardhmes prandaj përfshirja e rinisë në luftën kundër korrupsionit mund të sjellë ide të reja të cilat mund të kontribuojnë në zëvendësimin e politikave tashmë të vjetëruara.
Të rinjtë mund të influencohen më shumë nga moshatarët e tyre të cilët kthehen në ambasadorë të mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupionit.
Manuali ofron informacione bazë duke filluar nga përkufizimi i korrupsionit e deri tek nevoja e domosdoshme që korrupsioni të jetë pjesë e kurikulave, programeve shkollore, aktiviteteve e fushatave permanente që të rinjtë duhet t’i zhvillojnë në nivel vendi së bashku me stafin arsimor e akademik dhe me partnerë nga shoqëria civile dhe me mbështetje të organizatave ndërkombëtare.
Ky manual u realizua nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe EU Policy Hub në kuadër të projektit “Të rinjtë ambasadorë të mirëqeverisjes: forcimi i angazhimit të të rinjve në luftën kundër korrupsionit përmes artit dhe komunikimit” si pjesë e Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Bashkisë Tiranë dhe Kongresit Rinor Kombëtar.