EU Policy Hub i shkruan Francës, Hollandës dhe Gjermanisë: ja pse duhet të hapen negociatat me Shqipërinë.

Të Nderuar Anëtarë Asamblesë dhe Senatit Francez, Bundestag-ut Gjerman, të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Hollandez,

Si anëtarë të EU Policy Hub, një grup profesionistësh të rinj shqiptarë që mbështesin integrimin evropian, dëshirojmë të tërheqim vëmëndjen tuaj dhe t’i drejtohemi vullnetit tuaj politik për të shqyrtuar rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të
pranimit të Shqipërisë në BE.
Ne vlerësojmë kontributin e madh që vendet tuaja i ka dhënë përparimit të Shqipërisë dhe reformave të saj të mëdha në aspektin e demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik. Falë mbështetjes së jashtëzakonshme të vendeve tuaja dhe shteteve të tjera anëtare të BE-së, Shqipëria është futur në një proces themelor transformues dhe ka ndërmarrë reforma të thella në lidhje me sistemin gjyqësor, administratën publike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne jemi të vetëdijshëm se reformat e qeverisë sonë duhet të zbatohen me guxim, duke prodhuar rezultate të prekshme dhe duke krijuar një rekord solid. Ne gjithashtu kuptojmë skepticizmin në lidhje me aftësinë e Shqipërisë për të zbatuar plotësisht këto reforma dhe sidomos në ndjekjen e duhur penale të krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Megjithatë, jemi të sigurt se dështimi për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë do të dëmtojnë procesin e evropianizimit të vendit dhe reformat vendimtare që po zhvillohen.
Përkundrazi, dhënia e dritës së gjelbër në këtë moment kyç do të inkurajojë Shqipërinë që të punojë më shumë në miratimin dhe zbatimin e normave dhe standardeve të BE-së. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të bëjë që vendi ynë të vazhdojë me zbatimin e duhur dhe në kohë të reformës së drejtësisë, veçanërisht me procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe krijimin e institucioneve të reja gjyqësore që do të kenë mandatin për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar të kryer nga zyrtarët e lartë të shtetit. Sipas opinionit tonë dhe të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian përbën një sinjal pozitiv se kjo është rruga e drejtë për zhvillimin e vendit.

Të Nderuar,

Shqiptarët, veçanërisht brezi i ri, duhet të jenë të vetëdijshëm se vendi ynë ka një perspektivë të vërtetë evropiane. Për herë të parë që prej përmbysjes së regjimit komunist dhe gjatë gjithë procesit të gjatë të tranzicionit, ne besojmë se ekziston një nevojë jetësore për të konfirmuar vullnetin politik të BE-së dhe shteteve anëtare të saj dhe ta çojmë vendin tonë përpara, të lidhur ngushtë me Evropën. Hapja e negociatave të pranimit në BE mbetet çelësi për mbështetjen e shpresës sonë në integrimin evropian, për ta bërë qeverinë tonë më të
përgjegjshme në zbatimin me sukses dhe në plotësimin e reformave dhe standardeve të BE-së.
Ne ju dërgojmë këtë memo, si shprehje të besimit se ju do të merrni vendimin e duhur për të siguruar aspiratën tonë evropiane.

Lëshuar në emër të anëtarëve të EU Policy Hub.

Note: Këtu mund të shkarkoni letrat dërguara Parlamenteve të vendeve të BE-së.
Letter to Dutch Parliament
Letter to French Parliament
Letter to German Parliament