Sfidat e Shqipërisë në Zbatimin e Politikave Agro-Mjedisore në kuadër të anëtarësimit në BE
Politika bujqësore dhe zhvillimi rural është e një rëndësie shumëdimensionale veçanërisht për Shqipërinë, pasi bujqësia kontribuon rreth 20% të PBB-së dhe punëson pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore të vendit. Për më tepër, mundësitë ekonomike dhe financiare që BE-ja ofron përmes qasjes në tregun e përbashkët dhe instrumentet e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) janë nxitje shtesë për përparimin drejt anëtarësimit në BE. Sidoqoftë, vetëm duke harmonizuar formalisht kuadrin ligjor dhe politikat me kërkesat e BE-së nuk mjafton për të përfituar nga avantazhet e tregut të vetëm evropian dhe instrumentet e ndryshme financiare të CAP-it.
Shqipëria duhet të përgatisë më parë një sektor të qëndrueshëm bujqësor që është në gjendje të përballojë presionet konkurruese në tregun e përbashkët pas hyrjes në BE dhe që mund të nxisë zhvillimin rural dhe të konvergojë me standardet e BE-së në lidhje me sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Kjo do të thotë që politikat, reformat strukturore dhe ato të tregut duhet të udhëhiqen nga karakteristikat kontekstuale të sektorit bujqësor vendas dhe kapacitetet për t’i zbatuar ato në terren. Këto çështje do të diskutohen në detaje në dokumentet e mëtejshme të këtij studimi.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Manuali për qytetarët
Anëtarët e Forumit të Politikave të Integrimit, me mbështetjen e Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë përgatitur botimin me titull “Manuali për qytetarët”. Ky manual ka për qëllim dhënien e informacionit thelbësor qytetarëve mbi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe mbi legjislacionin e Bashkimit Europian.
Manuali për Qytetarët bazohet në burime dhe raporte zyrtare, si informacione të përgjithshme të Komisionit Evropian, vlerësimet e Progres Raporteve për Shqipërinë, ashtu si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2016 – 2020.
Manuali mund të shkarkohet këtu
Diskursi i Integrimit Evropian në Shtypin e Shkruar Shqiptar
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, hapi tjetër është hapja e negociatave për anëtarësim në BE, çka do të kërkojë një angazhim më të madh në ndërmarrjen e reformave thelbësore në vend. Në këtë proces të reformave të brendshme dhe negociatave për anëtarësim, është i nevojshëm informimi dhe përfshirja sa më e gjerë e publikut.
Në këtë kontekst, roli i medias është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në informimin e publikut, por edhe në formësimin e perceptimeve dhe opinioneve publike lidhur me procesin e integrimit evropian dhe çështje të lidhura me BE-në.
Pavarësisht qëndrimit pozitiv të publikut shqiptar ndaj Bashkimit Evropian si dhe përdorimit joparësor që ka shtypi i shkruar tradicional (gazetat), ka një hendek hulumtimi mbi diskursin e shtypit të shkruar në inkuadrimin e opinionit publik. Ky studim shqyrton diskursin e integrimit evropian në shtypin e shkruar dhe mënyrën se si gazetat në Shqipëri raportojnë në lidhje me procesin e integrimit evropian.
Publikimi mund të shkarkohet këtu.
Ekuilibri Evropian. Këndvështrime nga Evropa Jug-Lindore
Forumi i Politikave të Integrimit Evropian (EU Policy Hub) në bashkëpunim me Revistën Shprehja Evropiane (European Expression) i dedikuan një hapësirë të veçantë diskutimit të krizës së refugjatëve dhe masave të ndërmarrë në nivel Evropian ku në qendër ishte perspektivat e ekspertëve të rinj nga rajoni i Evropës Juglindore.
Kriza e refugjatëve ka qenë një çështje shumë e ndjeshme edhe për rajonin, duke krijuar debate të forta politike dhe publike shpesh herë të udhëhequra nga ‘frika’ dhe ‘pasiguritë’. Në mënyrë që të mund të përballemi me ‘frikën’ e rajonit ndaj krizave të refugjatëve, ne vlerësuam si të domosdoshëm një diskutim më gjithëpërfshirës dhe të arsyeshëm mbi shkëmbimin e përvojave kolektive në disa fusha të politikave publike me një vizion të përbashkët afatgjatë evropian, duke marrë parasysh jo vetëm përvojën e kaluar mbi krizat e refugjatëve, por gjithashtu sfidat aktuale politike, humanitare dhe organizative me të cilat përballen vendet nga rajoni.
Dokumentet e shkurtra politike të këtij numri special të revistës, të trajtuara nga profesionistë të rinj nga rajoni, tregojnë jo vetëm interesin në rritje për çështjet e migracionit në Evropë por gjithashtu kontribuojnë në ofrimin e rekomandimeve konkrete për një qasje dhe veprim kolektiv evropian. Trajtimet e profesionistëve të rinj nga rajoni, janë analitike dhe kritike në logjikën që ndjekin; ato ofrojnë mendime të shtjelluara dhe propozojnë rekomandime të guximshme të cilat janë mjaft të sinqerta dhe me një vizion për të ardhmen duke u bërë burim frymëzimi dhe mbështetjeje e atyre vendimmarrësve të cilët kanë pushtetin për të sjellë ndryshimin. Dhjetë janë rekomandimet kryesore, të dala nga kjo iniciative e përbashkët rajonale, sesi Evropa mund të përballet me krizën e refugjatëve. Për më tepër ju ftojmë të lexoni se cilat janë ‘frika(t)’ tona për krizën e refugjatëve dhe cila duhet të jetë qasja Evropiane sipas optikës së profesionistëve të rinj nga rajoni i Evropës Jug-Lindore.