
Një shkrim nga Dr. Juliana Gjinko[1]
Në mbështetje të angazhimit politik për integrimin e vendeve ballkanike në BE, në vitin 2003, Samiti i Selanikut ka miratuar disa prej instrumenteve për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë strategji janë huazuar pjesë të rëndësishme nga përvoja me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, tashmë të përfshira me sukses në procesin e zgjerimit[1]. Një nga shtyllat e mbështetjes në procesin e integrimit, i drejtohej forcimit të institucioneve përmes programeve Twinning dhe TAIEX, pjesëmarrjes në programet komunitare të kërkimit shkencor dhe edukimit, si dhe rritja e mbështetjes financiare të BE-së për rajonin përmes programit CARDS.
Në veçanti, programi Erasmus ka lindur në vitin 1987, fillimisht si program shkëmbimi për studentët dhe tashmë përfshin 33 vende, duke qenë i hapur për vendet partnere në të gjithë botën. Për më shumë se 30 vjet, mbi 9 milionë studentë kanë lëvizur midis universiteteve evropiane në programin Erasmus. Që nga viti 2015, Erasmus+ ka lejuar gjithashtu lëvizjen afatshkurtër në Evropë nga pjesë të tjera të botës, për studiuesit dhe stafin universitar. Nëse përqendrohemi te përvojat studentore, kjo lëvizje e dyanshme u mundëson pjesëmarrësve të studiojnë në një universitet të huaj për 3-12 muaj dhe të marrin kredite të cilat më pas njihen në institucionin dërgues, si pjesë e programit të tyre të studimit. Shqipëria është pjesë si vend partner me programin Erasmus+, prej vitit 2014. Vlen, për këto vite, të marrim në shqyrtim rolin dhe ecurinë e këtij bashkëpunimi në formimin akademik dhe eksperiencën jetësore të studentëve shqiptarë. Sipas të dhënave të komunikuara nga Universiteti i Tiranës, universiteti kryesor publik në vend ka sot më shumë se 100 universitete partnere në mbi 20 vende europiane; Janë nënshkruar 110 marrëveshje shkëmbimi dhe numërohen rreth 300 mobilitete stafi e studentësh çdo vit akademik[2].

Nga ana e Bashkimit Europian, vijon të ketë rritje të mbështetjes për programet Mobilitetit të Krediteve Ndërkombëtare duke i akorduar Shqipërisë 20% të fondeve me destinacion vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuotë, përveç Universitetit të Tiranës, përfshihen 8 universitete të tjera publike dhe 3 universitete private. I gjithë programi 2014-2020, parashikon 14.7 bilionë Euro, 40% më tepër krahasuar me nivelet e mëparshme të shpenzimeve[3], në dëshmi të interesit të shtuar për të mbështetur integrimin e botës akademike të Rajonit, në hapësirën akademike të Bashkimit Europian. Si e sa ka arritur në këto vite bota universitare në Shqipëri të përfitojë nga fondet që mundësojnë shkëmbimet?

Sikundër vihet re nga këto shifra modeste, numri i studentëve të cilët kanë qenë pjesë e shkëmbimeve Erasmus, është mjaft i ulët, ndonëse tendenca vit pas viti është në rritje. Midis fakulteteve të të njëjtit universitet, ka ndryshime të rëndësishme, çka i dedikohet kryesisht shkallës së përshtatjes së kurseve të studimit me ato të universiteteve europiane, duke mundësuar njohjen më të drejtpërdrejtë të krediteve të përfituara. Thuajse i papërfillshëm është numri i studentëve të huaj të cilët zgjedhin universitetet shqiptare për shkëmbimet studimore, ku problemet me cilësinë dhe konvertueshmërinë organike të programeve të studimit, mbivendosen me njohjen dhe kureshtjen relativisht të ulët që ka në lidhje me vetë Shqipërinë si destinacion. Më të interesuar dhe të përfshirë në shkëmbimet e mësimdhënies, studimore apo të trajnimit, janë përfaqësuesit e stafit akademik e administrativ. Në reflektim krahasues, shpesh studentët tanë stepen, duke qenë se kanë pak ose aspak eksperienca të jetesës e studimit jashtë vendit, informacion të paplotë, e jo rrallë, pasiguri në lidhje me nivelin e gjuhës së huaj. Nga të dhënat e Universitetit të Tiranës, spikat mbizotërimi i studentëve në aplikimet dhe shkëmbimet Erasmus: 70% e aplikimeve dhe 65% e mobiliteteve të studentëve të UT-së, zhvillohen nga vajzat dhe jo vetëm në fakultetet ku ato mbizotërojnë numerikisht[4]. Ky është një tregues pozitiv që dëshmon, ndër të tjera, iniciativë e pavarësi të shtuar në vendimmarrjet personale në lidhje me studimet dhe të ardhmen profesionale.
Një tjetër tregues pozitiv, është vetë ecuria e përfshirjes së studentëve dhe stafit universitar në programet e shkëmbimit dhe projektet e BE-së, në bashkëpunim me IAL partnere[5]:

Më shumë se 90% e studentëve të cilët përfitojnë nga programet e shkëmbimit, shkojnë jashtë vendit për të jetuar një eksperiencë të re jetësore, për të përmirësuar aftësitë e tyre gjuhësore, për të formuar marrëdhënie të reja dhe për të zhvilluar aftësi të tilla si përshtatshmëria[6]. Këto janë edhe shtysat kryesore që studentët shqiptarë shprehen se i kanë çuar drejt eksperiencës Erasmus. Studentët europianë kanë edhe kërkesa të tjera, më pak të nënvizuara nga studentët tanë, si: një këndvështrim alternativ për të njëjtat lëndë akademike, mundësi të reja në kurrikul dhe mundësi për punë, kurajo për të lëvizur dhe për t’u përshtatur me vende dhe kultura të reja. Disa nga arsyet për të mos u bërë pjesë e programeve të shkëmbimit, janë pasiguria në lidhje me kostot, marrëdhëniet personale dhe mungesa e burimeve financiare. Studentët e papërfshirë, zakonisht mendohet se kanë prirje më të ulët ndaj rrezikut; zotërim më të ulët të gjuhës së huaj, situata të vështira familjare, etj. Hetimi dhe njohja e vazhdueshme e këtyre arsyeve, do të ndihmonte në nxitjen e shkëmbimeve Erasmus në të ardhmen.
Shqipëria ende radhitet ndër vendet me investime modeste në arsim e kërkim shkencor. Buxheti i dedikuar për arsimin në vitin 2018 ka qenë 3.5% e PBB-së dhe në vitin 2019, 2.23%, kur mesatarja europiane është 5.1%[7]. Është thelbësore që IAL-të shqiptare të përpiqen të shfrytëzojnë në mënyrë më efikase mundësitë që japin programet dhe projektet europiane në mbështetje të arsimit të lartë. Për këtë, disa nga hapat që mund të ndërmerren nga IAL-të, janë:
- Rritja e ndërgjegjësimit brenda universiteteve dhe institucioneve kërkimore në lidhje me Kartën Europiane për Studiuesit, Kodin për Rekrutimin e Studiuesve dhe në përgjithësi, rritja e vëmendjes ndaj studiuesve të dedikuar ndaj ndërkombëtarizimit;
- IAL-të duhet të kenë strategji institucionale funksionale për ndërkombëtarizimin. Deri më tani, vetëm një pjesë e institucioneve kanë zhvilluar dokumente dhe politika strategjike në lidhje me procesin e ndërkombëtarizimit dhe ka shumë për të bërë në efikasitetin e jetësimit të këtyre strategjive;
- Organizimi i zyrave të hartimit të projekteve pranë fakulteteve dhe nxitja e shkëmbimit të eksperiencave, për sa u përket projekt-propozimeve të suksesshme, si një metodë e vlerësimit dhe krahasimit të performancës shkencore;
- Zhvillimi i strategjive brenda IAL-ve për të rritur numrin e botimeve shkencore nga stafi në revista të indeksuara ndërkombëtare;
- Mentorimi i dedikuar ndaj studentëve të cilët aplikojnë në programet e shkëmbimit;
- Standardizimi i programeve studimore dhe përafrimi i tyre me modelet europiane.
Ndikimi i lëvizshmërisë në forcimin e identitetit europian

Programet ndërkombëtare të lëvizjes së studentëve, janë përdorur prej kohësh si instrumente të politikës së jashtme nga qeveritë kombëtare. Në rastin e programit Erasmus, një nga qëllimet e tij origjinale, ishte promovimi i ndërveprimit personal midis të rinjve evropianë dhe rrjedhimisht, një identitet evropian. Kemi të bëjmë me bindjen intuitive dhe mjaft popullore se të jetuarit jashtë shtetit të origjinës, zgjeron horizontin dhe ndihmon në ndërtimin e një këndvështrimi kozmopolit.
Ka autorë të cilët argumentojnë se strategjitë e ndërkombëtarizimit, duhet të përfshijnë një sërë elementesh të integruar. Sipas tyre, nxitja e lëvizshmërisë së studentëve dhe rritja e nivelit të pjesëmarrjes në programet Erasmus, duhet të jenë qëllime për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe duhet të përfshihen në një strategji të europianizimit e cila duhet të jetë vetë pjesë e një strategjie më të gjerë ndërkombëtarizimi[8]. Europianizimi nuk duhet të përfshijë vetëm studimin jashtë vendit, qoftë brenda kornizës Erasmus apo jo, por gjithashtu nxitjen e dimensionit europian dhe në veçanti, mundësitë për t’u ekspozuar ndaj një kulture tjetër e për të mësuar një gjuhë të huaj[9]. Disa studime përqëndrohen veçanërisht në lëvizjen ndërkufitare të njerëzve, si një mënyrë për promovimin e integrimit europian ose europianizimin e identitetit të studentëve. Sigalas[10] ka hulumtuar premisën që përvoja e studentëve Erasmus jashtë vendit dhe kontaktet e drejtpërdrejta ndërpersonale, promovojnë një identitet evropian. Rezultatet e studimit të tij tregojnë se, pavarësisht se studimi jashtë vendit rrit mundësinë e njohjes dhe komunikimit me qytetarë europianë, kontakti me studentët e vendit pritës, mbetej i kufizuar. Për më tepër, Sigalas ka argumentuar se shoqërimi i shtuar me europianët e tjerë, dukej se kishte një ndikim pozitiv, edhe pse modest, në identitetin europian. Në një tjetër linjë, De Wit[11] ka shkruar se programi Erasmus mund të konsiderohet si një mjet i cili i shërben drejtpërdrejt qëllimit të promovimit të një identiteti europian tek të rinjtë. Një studim i Van Mol[12] gjithashtu, ka shqyrtuar ndikimin e lëvizshmërisë së studentëve europianë në identitetin europian. Gjetjet sugjerojnë që lëvizshmë
Studentët e BE-së, si rezultat i përvojës së tyre jashtë vendit dhe ndërveprimit të tyre shoqëror, e konsiderojnë Europën pothuajse si një projekt personal në të cilin dimensioni social, mbizotëron mbi atë politik.
Studentët e vendit tonë, sot i përkasin një brezi të ekspozuar ndaj kulturës dhe identitetit europian për së largu, zakonisht me ndërmjetësimin e debateve politike shqiptare në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit. Ata ose ato që zgjedhin të përfshihen në programet Erasmus të shkëmbimit, ndërmarrin një eksperiencë krejt të re edhe për faktin se ndryshimet kulturore e të sistemeve arsimore midis vendit tonë dhe vendeve pritëse, janë mjaft më të mëdha se ato midis vendeve anëtare të BE-së. Edhe për këtë arsye, mbështetja e nxitja ndaj tyre, duhet të jetë qëllim i IAL-ve shqiptare, në të gjitha nivelet. Vlera e shtuar e një eksperience Erasmus është personale – jetësore, akademike, kulturore e gjuhësore, por jo vetëm. Në rastin e një vendi që synon të integrohet në Bashkimin Europian, ata janë ura lidhëse e forcuese të vetë identitetit europian të shoqërisë shqiptare të cilës i përkasin. Në vijimësi, përveç nxitjes dhe mbështetjes ndaj këtyre shkëmbimeve, duhet të ndërmerren studime të mirëfillta mbi impaktin shumëdimensional që këto eksperienca kanë tek brezat Erasmus të studentëve shqiptarë.
[1] Van Meurs, Wim, The next Europe: South-eastern Europe after Thessaloniki, SEER: Journal for Labour and Social Affairs in Eastern Europe 6, no. 3 (2003): 9-16.
[2] https://unitir.edu.al/marreveshjet-bilaterale-2/
[3] Erasmus+ Albania Office Data, http://erasmusplus.al/?page_id=781
[4] Po aty
[5] European Commission, Erasmus + for Higher Education in Albania, Nov. 2018
[6] European Commission, Effects of mobility on the skills and employability of students and the internationalization of higher education institutions, 2014
[7] https://ec.europa.eu/eurostat/tgm/table
[8] Elspeth Jones (2013) Internationalization and employability: the role of intercultural experiences in the development of transferable skills, Public Money & Management, 33:2, 95-104
[9] Simon Sweeney (2012) Going mobile: Internationalisation mobility and the European higher education area, British Council, 23
[10] Emmanuel Sigalas, 2009. “Does ERASMUS Student Mobility promote a European Identity?,” The Constitutionalism Web-Papers, University of Hamburg, Faculty for Economics and Social Sciences, Department of Social Sciences, Institute of Political Science
[11] De Wit, Hans (2011). “Globalisation and Internationalisation of Higher Education”, Revista de Universidad y Sociedad del Conocimiento (RUSC). Vol. 8, No 2, 241-248
[12] Christof Van Mol (2012), “Intra-European Student Mobility and European Identity: A Successful Marriage?” Population, Space and Place 19, 209–222