Sfidat e ruajtjes së fuanës së egër në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian

Një shkrim nga Mirjan Topi

Bashkimi Evropian, ka ndërmarrë angazhimin e parë për ruajtjen e natyrës që prej vitit 1979 me miratimin e Direktivës Evropiane të Shpendëve, që garanton mbrojtjen e të gjitha llojeve të shpendëve të egër që hasen brenda kufijve të tij. Më tej, për të garantuar në masë më të gjerë dhe të plotë ruajtjen në tërësi të biodiversitetit, në vitin 1992, u miratua Direktiva Evropiane e Habitateve, nëpëmjet së cilës garantohet mbrojtja e mbi 1000 llojeve të kafshëshve dhe bimëve si dhe mbi 200 llojeve të habitateve.

Më vonë u hartuan dhe miratuan një sërë ligjesh, si për shembull ai i vitit 1999 për përforcimin e rolit të kopshteve zoologjike në ruajtjen e biodiversitetit si dhe për rregullimin e aspekteve të tregëtisë së llojeve të egra.

Përsa i përket përafrimit të legjislacionit të ruajtjes së natyrës me atë të Bashkimit Evropian, vendi ynë ka bërë një progres domethënës në masë afro 90%[1]. Megjithatë, sfidë mbetet zbatimi i këtij legjislacioni në trajtimin e problematikave të mprehta dhe tepër serioze që lidhen me ruajtjen e faunës së egër në vend.

Për të shëmbëllyer këtë pohim, në kuadër të këtij artikulli do të trajtohet një prej problemeve më madhore dhe më peshërëndë në fushën e ruajtjes së faunës së egër që vazhdon të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë në vendin tonë, sikundër është: shkatërrimi dhe degradimi habitateve i habitateve natyrore.

Vendi ynë, si pasojë e vendndodhjes gjeografike si dhe veçorive të relievit gëzoi një trashëgimi të madhe të resurseve natyrore me biodiversitet të lartë, nga e cila në ditët e sotme mungon një pjesë e rëndësime. Shkatërrimi apo tjetërsimi në masë të gjerë i kësaj trashëgimie filloi që pas Luftës së Dytë Botërore, me nismat për hapjen e tokave të reja bujqësore. Këto nisma sollën tharjen apo bonifikimin e disa prej ligatinave më të papërsëritshme të vendit, sikundër ishte Këneta e Maliqit, ajo e Tërbufit, e Durrësit etj. Më tej hapja e tokave të reja bujqësore u shtri paralelisht edhe në zona të tjera, si ato pyjore, kodrinore dhe malore, duke zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e pyjeve dhe sidomos në zonat e ulëta bregdetare por edhe në ato malore[2]. Kjo nismë e njëanshme, pa marrë për bazë kriteret ekologjike, shkatërroi hapësira të rëndësihme natyrore në vend për shumimin dhe strehimin e jetës së egër[3]. Këtu mund të përmendet edhe rasti i disa prej kolonive më të rralla të shpendëve të egër në Shqipëri. Si shembull këtu mund të përmendin rastin e  disa kolonive të shpendëve të ujit qafëgjatë sikundër ishin ato të ish-Kënetës së Maliqit apo ish Kënetës së Tërbufit. Madje nga ky proces zhduku edhe një prej 2 kolonive të rralla të pelikanit kaçurrel që gjendej në ish Kënetën e Maliqit[4]. Kësisoj, në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të në vendin tonë ishte vetëm një koloni e shpendëve të ujit qafëgjatë që e kishte ruajtur ende karakterin e saj, ajo e Kunes, me disa mijra çifte foloezuese në vitet 60-të. Më tej, në vitet 70-të edhe kolonia e Kunes pësoi ndryshime të konsiderueshme si në numra ashtu edhe në përbërje[5],[6],[7]. Në tutje,  këto koloni u zhdukën krejtësisht në vendin tonë për t’u rikthyer vetëm së fundmi me gjetjen dhe raportimin në vitin 2016 nga Shoqata Ornitologjke Shqiptare (AOS) të kolonisë së parë në kufijtë e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta si dhe së fundmi edhe me raportimin nga Selgjekaj dhe Bego (2020) të kolonisë së dytë në kujitë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar Kune-Vain Tale[8],[9]. Në këto ndryshime për mirë, mund të ketë ndikuar ndërmarrja e disa masave të rrepta ligjore dhe institucionale që u vunë në fuqi për rritjen e mirëmenaxhimit të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura si dhe ruajtjen e jetës së egër dhe habitateve në tërësi. Vlen të theksohet këtu, se ndryshimet e sipërpërmendura ndikuan jo vetëm klasën e shpendëve, raste nga e cila u morën shembujt, por të gjitha klasat e jetës së egër të këtyre habitateve, përfshirë këtu amfibët, zvarranikët, peshqit etj.

Me ndryshimet e sistemit shoqëror dhe ekonomik që ndodhën në vend në fillimvitet 90-të, trysnia kundrejt burimeve natyrore u shtua. Shkatërrimi dhe degradimi i habitateve natyrore në periudhën e re përshkruhet sërish nga: (i) shpyllëzimi (por në këtë rast pakriter) si dhe shtohen edhe disa faktorë të tjerë kryesorë sikundër janë (ii) urbanizimi (iii) ndotja dhe (iv) mbishfrytëzimi pakriter i resurseve faunistike. Për efekt të parashtrimit sa më të plotë të fakteve dhe argumentave si dhe për të dhënë në mënyrë sa më të qartë dhe të kuptueshme për çdokënd ndikimin e këtyre faktorëve në faunën e egër dhe më tej lidhjen e këtij konteksti me detyrimet që burojnë nga Marrveshja e Stabilizim Asoocimit, në këtë artikull nuk mund të trajtohen të gjithë faktorët. Kësisoj, në këtë shkrim të parë do të shtjellohet çështja e shkatërrimit dhe degradimit të habitateve natyrore vetëm si pasojë e shpyllëzimit. Faktorët e tjerë mund të trajtohen nëpërmjet 1 apo 2 artikujve të mëvonshëm. 

Përsa i përket shpyllëzimit, prerejt pa kriter dhe zjarret përfaqësojnë dy prej faktorëve kryesorë[10] që kanë zhdukur krejtësisht 25 % të sipërfaqes pyjore të vendit nga viti 1990[11] deri në vitin 2019[12], duke mos kursyer këtu as sipërfaqet pyjore më të rralla dhe më me interes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sikundër janë ato të pyjeve parësore të ahut.  Sipërfaqja e këtyre pyjeve tashmë përfaqëson vetëm 1 % të fondit kombëtar pyjor nga 7 % që ishte në vitin 1997[13]. Kjo sipërfaqe e mbetur, për fat të mirë në vitin 2017 u përfshi në listën e Trashëgimisë Natyrore Botërore të UNESCO-s në kategorinë e “Pyjeve të Lashtë të Ahut të Karpateve dhe Zonave të Tjera të Evropës”. Kjo njohje së paku rrit detyrimin e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e dy copazëave të fundit të këtij habitati të gjendura, njëra në zonën qendrore të Parkut Kombëtar Shebenik – Jabllanicë dhe tjetra në Rezervatin Strikt Natyror të Lumit të Gashit[14].  

Degradimi që kanë pësuar sipërfaqet pyjore gjatë viteve të fundit tregohet edhe nëpërmjet shifrave të volumit të lëndës drusore për njësi sipërfaqe që ka rënë nga 80 m3/ha në fillim vitet 90, në 49 m3/ha në vitet e fundit[15]. Ndërsa niveli alarmant i shfrytëzimit mund të ilustrohet nëpërmjet raportit të lartë të nivelit të shpyllëzimit me atë të mbjelljeve dhe rigjenerimit. Kësioj Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për keqshfrytëzimin e pyjeve ku shpyllëzohet në një nivel absolutisht të paqëndrueshëm prej 5.5 herë më shumë nga çfarë mbillet apo rigjenerohet[16].

Por, si ndërlidhet çështja e shpyllëzimit me sfidat e ruajtjes së faunës së egër në kuadër të inegrimit të vendit në Bashkimin Evropian?

Pyjet përfaqësojnë habitatin apo strehën e shumë llojeve të jetës së egër me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian. Kësioj, pyjet janë habitat për pothuajse të gjithë llojet e mishngrënësve të mëdhenj që gjenden në vendin tonë, sikundër janë ariu i murrmë (Ursus actros), ujku (Canis lupus) dhe rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus). Ky i fundit është një nënlloj tejet i rrallë i rrëqebullit të Euroazisë (Lynx lynx) me një popullatë globale që vlerësohet të jetë në rastin më të mirë në nivelin e rreth 50 individëve[17]. Të dy llojet e para janë të listuar në shtojcën II të Direktivës së Habitateteve  të Bashkimit Evropian, po ashtu edhe rrëqebulli i Ballkanit (si nënlloj i rrëqebullit Euroaziatik) që së fundi u përfshi si nënlloj në shtojcën 2 të Konventës për Ruajtjen e Jetës së Egër  dhe Habitateve Natyrore në Evropë apo sikurse njihet shkurtimisht si Konventa e Bernës[18],[19].

Në vijim, një numër i gjitarëve të vegjël që hasen në vendin tonë dhe janë me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian, gjejnë sërish srtehë në habitatet pyjore. Këtu mund të përmendim për shembull gjumashin e lajthisë (Glis glis) që është listuar në Shtojcën IV të Direktivës së Habitateve që udhëzon ruajtjen në mënyrë të rreptë të llojit gjatë gjithë shtrirjes së tij natyrale. Po ashtu, përsa i përket këtij grupi një vend të rëndësishëm në edhe rendi i lakuriqëve të natës. Edhe pse ky rend i gjitarëve fluturues, mendohet shpesh si banorë të shpellave, një numër i konsiderueshëm llojesh varet nga pyjet në një pjesë të ciklit jetësor apo në tërësi[20]. Kësisoj pyjet ofrojnë ushqim dhe strehë për një numër të konsiderueshëm të lakuriqëve të natës që gjenden në vendin tonë dhe një pjesë prej tyre janë lloje me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian. Këtu mund të përmenden për shembull, lakuriqi i natës hundëpatkua i Mesdheut (Rhinolopus euryale), lakuriqi i natës hundpatkua i madh (Rhinolophus ferrumequinum), lakuriqi i natës hundëpatkua i vogël (Rhinolophus hipposideros), lakuriqi i natës veshmiu i vogël (Myotis myotis) etj, që janë të listuar në Shtojcën II, të Direktives së Habitateve. Të gjithë këto lloje për shembull u hasën në zoën e pyjeve të gjendura në brendësi të kufijve të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në një studim të realizuar nga Shoqata Holandeze e Gjitarëve në vitin 2015[21].

Më tej, sërish disa lloje amfibësh dhe zvarranikës me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian që hasen në vendin tonë gjejnë gjithashtu strehë në habitatet pyjore. I tillë është rasti i salamandrës (Salamandra salamandra) apo i nepërkës me bri (Vipera amodytes) që listohen përkatësisht në shtojcën II dhe shtojcën IV të Direktivës së Habitateve. Në Shtojcën II të Direktivës së Habitateve listohen llojet e kafshëve dhe të bimëve me interes të përbashkët mbrojtja e të cilave kërkon shpalljen e zonvae të veçanta të ruajtjes.

Në të njëjtën kohë, në habitatet pyjore gjen strehë edhe një numër jo i vogël i llojeve të shpendëve të egër që është me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian dhe listohen në Shtojcën I të Direktivës Evropiane të Shpendëve[22],[23].  Sipas Nenit 4 të kësaj Direktive, llojet e listura në Shtojcën I  “duhet të jenë objekt i masave të veçanta të ruajtes për sa i përket habitatit tëtyre, në mënyrë që të garantohet mbijetesa dhe riprodhimi i tyre në zonat e shpërhapjes”. Këtu mund të përmenden shpendë grabiqarë të ditës që hasen në vendin tonë si për shembull: gjeraqina këmbëshkurtër (Accipiter brevipes) dhe huta grenxangrënëse (Pernis apivorus). Po ashtu edhe shpendëve grabiqarë të natës si: bufi i madh (Bubo bubo), kukuvajka kokëmadhe (Aegolius funereus) dhe kukuvjaka e vogël (Glaucidium passerinum). Në vijm, mund të përmenden pothuajse të gjithë llojet e rendit të qukapikëve që hasen në vendin tonë, me përjashtim të qukapikut të madh (Dendrocopos major), qukapikut të gjelbër (Picus viridis), qukapikut të vogël (Dendrocopos major) dhe qukapikut qafëshkurtër (Jynx torquilla). Më tutje, s’mund të lihen pa përmendur edhe lloje të rendit të harabelorëve si drenja e malit (Lullula arborea), mizakapësi gushëkuq (Ficedula parva), mizakapësi i zi (Ficedula hypoleuca), mizakapësi gjysmëqafëbardhë (Ficedula albicollis), larushi kurrizkuq (Lanius collurio) etj. Të gjithë shembujt e mësipërm u përmendën me qëllim nxjerrjen në pah të  rëndësisë së pyjeve si habitate të një numri dhe larmie të madhe të kafshëve të egra që janë me interes të lartë ruajtje për Bashkimin Evropian. Shkatërrimi, degradimi apo keqmenaxhimi i habitateve pyjore pasohet nga një ndikim i drejtpërdrejtë në popullatat e këtyre llojeve të jetës së egër. Kësioj ruajtja dhe përdorimi i qendrueshëm i habitateve pyjore, ndër të tjera, përfaqëson edhe një detyrim të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin.


[1] http://www.eupolicyhub.eu/wp-content/uploads/2017/11/Natura-policy-brief-shq.pdf
[2] ASHSH (1990) Gjeografia Fizike e Shqipërisë 1, faqe 308.
[3] Fotaq Lamani (1989) Më shumë kujdes për faunën, sidomos atë të gjahut. Shkenca dhe Jeta, 4 / 1989. Faqe 24 – 26.
[4] George Handrinos , Giorgos Catsadorakis (2020) The historical and current distribution of Dalmatian Pelican Pelecanus crispus and Great White Pelican Pelecanus onocrotalus in Greece and adjacent areas: 1830-2019. Avocetta 44: 11-20 (2020).
[5] Zeko, I. & Lamani, F. (1966). Të dhëna ornito1ogjike nga rezervati i Kunës. Bu1etin i Shkencave Natyrore 2: 3-14.
[6] Lamani, F. (1966). Të dhëna ornitologjike nga rezervati i Kunës (Vazhdon nga Nr. 2). Buletin i Shkencave Natyrore 3: 83-104.
[7] Larnani, F. (1966). Të dhëna ornitologjike nga rezervati i Kunës (Vazhdon nga Nr. 3). Bu1etin i Shkencave Natyrore 4: 25-38.
[8] www.aos-alb.org
[9]Ledi Selgjekaj, Ferdinand Bego (2020) On the Colonial Breeding Waterbirds in the Lagoonary Complex of Kune-Vaini. 1st International Conference on Water Environmental Protection and Sustainable Development WEPSD-2021, 17-18 March 2021, Tirana Albania.
[10] file:///C:/Users/User/Doënloads/AL-Albania-landcover-2012.pdf
[11] http://www.fao.org/3/x6953e/X6953E05.htm
[12] http://www.instat.gov.al/media/7422/njoftim-per-media-statistikat-e-pyjeve-dhe-biodiversitetit-2019.pdf
[13] https://wilderness-society.org/ëp-content/uploads/2019/11/Broshure_old20beach20forests20in20ALBANIA.pdf
[14]https://www.euronatur.org/fileadmin/docs/projekte/Gruenes_Band/Publication_Beech_Forests_along_AGB_FINAL.pdf
[15] https://ëilderness-society.org/ëp-content/uploads/2019/11/Broshure_old20beach20forests20in20ALBANIA.pdf
[16] https://exit.al/shqiperia-i-vetmi-vend-ne-evrope-qe-pret-me-shume-peme-se-sa-mbjelll-2/
[17] https://rm.coe.int/proposed-amendment-to-appendix-ii-listing-balkan-lynx-lynx-lynx-ssp-ba/168074c2fe#:~:text=THE%20STATUS%20OF%20BALKAN%20LYNX&text=The%20total%20size%20of%20the,about%2020%2D39%20mature%20individuals.
[18] https://rm.coe.int/proposed-amendment-to-appendix-ii-listing-balkan-lynx-lynx-lynx-ssp-ba/168074c2fe#:~:text=THE%20STATUS%20OF%20BALKAN%20LYNX&text=The%20total%20size%20of%20the,about%2020%2D39%20mature%20individuals.
[19] https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:31992L0043
[20] https://www.intechopen.com/books/bats/bat-conservation-management-in-exploited-european-temperate-forests
[21] Mammal Survey in Shebenik Jabllanice National Park in 2016. Publication of the Field Study Group, Dutch Mammal Society Report 2017.06 Nijmegen, April 2016. ISBN/EAN 97890799243 63
[22] Mirjan Topi & Stoyan C. Nikolov (2016) Udhwzues i Shpendwve tw Shqipwrisw. Sofie 2016. ISBN: 978-954-8310-31-4.
[23] https://eur-lex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=OJ:L:2010:020:0007:0025:EN:PDF