
HUB Monitor është një nga katër shtyllat e aktiviteteve të Forumit të Politikave të Integrimit qëllimi i tij është të monitorojë nga afër procesin e integrimit evropian dhe institucionet e përfshira në të, duke u përqendruar kryesisht në koordinimin ndërinstitucional ndërmjet njësive dhe dokumenteve të tyre ligjore. Dokumentet e përmbledhura të politikave të HUB Monitorimit evidentojnë gjetje empirike nga dokumentet ligjore dhe raportet e publikuara nga institucionet përkatëse. Treguesit e monitorimit i përmbahen udhëzimeve metodologjike të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen. në aktet normative dhe/ose legjislative të miratuara; aktivitetet e kryera (numri i takimeve, plan-veprimeve, raportet, strategjitë për të adresuar mangësive e identifikuara nga të Raportet e KE-së etj.); fazën e zhvillimit paraprak të instrumenteve; si dhe shqyrtimin institucional dhe publik të rezultateve të arritura.
Aktualisht, anëtarët e Forumit në bashkëpunim me ekspertë të tjerë dhe mbështetjen e Fondacionit Friedrich-Ebert dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë përgatitur disa Dokumente të përmbledhura të politikave të cilat analizojnë jo vetëm aspektet institucionale të procesit, por edhe sektorë të ndryshëm të politikave publike; duke paraqitur mangësitë aktuale si dhe duke ofruar rekomandime për të adresuar përmirësimin e strukturave dhe akteve ligjore.
Në këtë publikim analizojmë fondet IPA dhe disa sektorë të politikave. Dokumenti i parë ofron një vlerësim kritik të programimit dhe zbatimit të fondeve IPA I në Shqipëri, duke identifikuar arritjet kyçe, sfidat dhe mospërputhjet e evidentuara gjatë zbatimit të tij. Dokumenti i dytë trajton reformën në drejtësi dhe rolin e ri të ekzekutivit. Ai përshkruan ndryshimet e kompetencave të organeve të reja qeverisëse të drejtësisë, rolin që duhet të kenë dhe sfidat e bashkëpunimit ndërinstitucional, krahasuar atë me praktikat e ngjashme rajonale në Serbi dhe në Mal të Zi. Dokumenti i tretë fokusohet në sektorin e politikave mjedisore dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Shqipëria në zbatimin e acquis të BE-së për ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit duke ofruar rekomandime për të shmangur çdo pengesë të mundshme në procesin e integrimit të vendit në BE. Dokumenti i katërt analizon kuadrin ligjor dhe institucional të sigurisë ushqimore si dhe sfidat e saj për harmonizimin me acquis të BE-së. Në përfundim të këtij publikimi, ne bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si në aspektin e marrëdhënieve institucionale ashtu edhe në lidhje me shkallën e përmbushjes së standardeve evropiane, duke argumentuar se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është jo vetëm i ngadaltë por edhe i kufizuar, për shkak të polarizimit politik të vendit dhe kapaciteteve të dobëta administrative.
Jeni të lutur që për detaje më të hollësishme dhe rekomandimet konkrete që ne propozojmë për secilën çështje specifike, të lexoni këtë publikim të HUB Monitorimit. Me shpresën se do të na ofroni sugjerime të vlefshme për publikimet e ardhshme, Ju urojmë lexim të mbarë.
Grupi i Hub Monitorit