
Gjuha e përdorur në media kur flitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, është teknike dhe e vështirë për tu kuptuar nga qytetarët. Për të shpjeguar më qartë këtë proces EU Policy Hub ka botuar Manualin për Qytetarët. Koordintaori i Forumit të Politikave të Integrimit, Dr.Dorian Jano, pedagog i studimeve europiane dhe drejtues i Katedrës Jean Monnet pranë Univerisitetit Marin Barleti, tregon se përse u ndërmorr kjo nismë.
Zoti Jano përse u ndërmor kjo nismë për qytetarët?
Ajo që kemi vënë re në Shqipëri, është që ka diskutime, por gjithmonë mbetet në nivel ekspertësh dhe arrihet të kuptohet pak si proces, pra cilat janë të mirat, kostot, si procedohet, si mund të përfshihen aktorë të ndryshëm, etj. Kjo ishte shtysa e parë për një manual të tillë.
Jemi në proces shumë të rëndësishëm, sidomos tani, me hapjen e negociatave, ku çdo gjë do të duhet të jetë transparente, mirëpo në qoftë se nuk e ke njohurinë e duhur, nuk ke se si të përfshihesh. Negociatat janë të pafundme, si me çështje të momentit, që vendos ose Komisioni, ose qeveria shqiptare, por edhe kalimi në çështje më të strukturuara. Pra, edhe ai që është student të dijë se cilat janë programet apo fushat ku mund të fokusohet dhe kanë interes. Bujqësia, gjithashtu, apo peshkimi. Pra, janë një sërë argumentesh të reja, për sa i përket mënyrës së organizimit të një shteti.
Ne jemi mësuar me një mënyrë, që nuk është e gabuar, por kjo është mënyra që funksionon shteti shqiptar, në bazë të ministrive. Kjo do të thotë, që kush është fermer, e di që ka të bëjë me Ministrinë e Bujqësisë. Edhe grupet e interesit, kështu funksionojnë. Edhe media ka përshembull institucionin përkatës. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka një ndërthurje sektorësh, dhe kapitujt, shpeshherë, nuk i rakordojnë ministrisë përgjegjëse, pra mund të jenë dy-tre ministri që janë të ndërthurura, dhe kjo risi do të duhet të jetë e njohur nga thuajse të gjithë qytetarët, sidomos nga shoqëria civile apo grupet e interesit. U përpoqëm që këtë model të aplikuar në vendet e rajonit ta sillnim edhe në Shqipëri.
Kaq e ndërlikuar është gjuha e Bashkimit Europian?
BE-ja shpeshherë akuzohet për këtë gjë, se përdor gjuhë teknicienësh, që do të thotë se duhet të kesh një ekspertizë shumë të mirë në një fushë të caktuar, për të arritur të kuptosh cili është legjislacioni, institucionet, mënyra e funksionimit të lobimit, pse duhet transparenca, dhe këto gjëra shpjegohen në gjuhë teknike. Edhe programet e BE-së janë aq teknike, sa edhe pse mund të jesh ekspert i fushës, por kur nuk je i ambientuar me terminologjinë e Bashkimit Europian, mbetesh në distancë. U përpoqëm që të ekzistonte kjo lidhje. Pra, ta kthesh diçka shumë specifike në një gjë shumë të thjeshtë. Nga përvoja ime me studentët, ata nuk njohin programin Erasmus. Kanë dëgjuar për të por nuk njohin hapat si të bëhen pjesë e tij.
Kjo është risia që sjell ky manual. Natyrisht, jemi të ndërgjegjshëm se nuk ndodh vetëm nëpërmjet një manuali sepse do të lindë nevoja e përditësimit me informacione të tjera, si edhe përballja me pritshmërinë e qytetarëve. Kemi zhvilluar aktivitete promovuese, dhe na rezulton se përsëri ka nevojë për informacion shtesë.
Dr. Dorian Jano, gjatë prezantimit të Manualit për Qytetarët. Foto: EU Policy Hub
Mendoni se qytetarët janë të painformuar apo të keqinformuar?
Do të thosha se informacioni nuk mungon. Në aktivitetet që kemi bërë, vihet re se ka interes. Ekziston dëshira e mirë se integrimi është diçka pozitive, por nuk arrijmë ta përkthejmë në jetën tonë të përditshme. Sa më ndikon mua si pedagog, sa prek fermerin? Këto dy vite, ne njohim vetëm reformën në drejtësi, por ka sektorë të tjerë ku përsëri negociohet, apo përshtaten legjislacione të BE-së, të cilat nuk i njohim. Është shumë e rëndësishme të ketë informacion më të thjeshtë.
Keqinformimi mund të vihet re kur një çështje bëhet politike, zakonisht atje humbet sensi i arsyes. Nëse diçka kthehet në politike, nuk përqendrohen më tek brendia, por kthehet në luftë politike. Kur një çështje përdoret për arsye të mëdha politike ndodh keqinformimi.
Cilat janë fushat që keni trajtuar në manual?
Manuali përmban 33 kapituj. Kurse për sa i përket ndarjes së sektorëve, janë përfshirë më shumë se 20 të rinj, të cilët kanë studiuar jashtë dhe temat e studimeve të tyre kanë të bëjnë me studime europiane, ose një fushë e caktuar, si ekonomia, sociologjia, politika, që kanë të bëjnë me çështjet e integrimit europian. Ne kemi bërë një strukturë orientuese për të gjithë manualin, që do të thotë se në pjesën e parë tregon se çfarë përmban kapitulli, cilat janë fushat që përfshin, ndërsa pjesa e dytë flet për gjendjen ku ndodhet Shqipëria në sektore të caktuara.
Gjithashtu, kemi përfshirë edhe përfitimet për çdo sektor, për të informuar se cilat janë fondet që Bashkimi Europian ofron për ta. Jeta e një vendi nuk është vetëm drejtësia. Për Shqipërinë është kthyer dhe është çështje kyçe, por kjo nuk do të thotë që të penalizohemi nga përparimi i sektorëve të tjerë, që mund të jenë më mirë, si shëndetësia, arsimi, ambienti. Gjatë rrugës së reformës në drejtësi, nuk duhet të harrojmë edhe fusha të tjera thelbësore, që edhe ato të mund të ecin. Çdo reformë ka një kosto ekonomike nga pas, dhe BE-ja gjithnjë përpiqet që këtë kosto ta mbulojë nëpërmjet fondeve që ofron.
Mendoni se po e arrini rezultatin e kërkuar?
Është një risi, dhe gjithnjë risitë kanë kostot e tyre gjersa të maturohen. Ka eksperienca të ndryshme në aktivitetet që kemi bërë. Një pjesë e qytetarëve e kanë pritur mirë dhe me kritika e sugjerime të nevojshme, që na ka bërë të mbajmë shënime. Kurse pjesa tjetër e ka parë si vazhdimësi të shumë gjërave që bëhen në Shqipëri, dhe kjo ishte e vështirë, sepse duhet të kuptohet domosdoshmëria.
Nuk do të isha entuziast i flaktë, por e shoh që ka sjellë një ndryshim dhe informacion. Vit pas viti, do të përditësojmë materialin, duke sjellë diçka të re, sepse nuk është diçka që bëhet vetëm një herë. Ne e shohim më tepër si një proces sesa produkt përfundimtar.
Rëndësia e këtij manuali, pavarësisht se e quajmë manual për qytetarët, mendojmë se rëndësia më e madhe është për qytetarët aktivë, pra organizatat jofitimprurëse. Me hapjen e negociatave, ka një numër të madh nismash që përfshijnë shoqërinë civile në to. Dihet që negociatat janë detyrë e qeverisë, por qeveritë kanë prirjen për të ecur shpejt. Përvoja e ka treguar se përfshirja e shoqërisë civile e bën procesin më cilësor. Prandaj, ne synojmë të informojmë sa më tepër këtë grup interesi që të jenë në dijeni për mekanizmat dhe mënyrat e kontributit në këtë proces të vështirë.