
Në takimin e tretë të serisë së bisedave në zoom, që Forumi i politikave Europiane (EU Policy Hub) po zhvillon me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung, zyra e Tiranës, në kuadër të projektit “Komunikimi i negociatave të Shqipërisë me BE-në ” i ftuar ishte zv/Ministri i Ministrisë për Evropën e Punët e Jashtme, zoti Sokol Dedja.
Zoti Dedja e nisi bisedën duke sjellë në vëmendje nevojën për ti dhënë përparësinë e duhur procesit të integrimit dhe diskursit mbi të.
Ai u shpreh se retorika mbi procesin e integrimit europian në vendin tonë është e mangët në përmbajtje dhe, duke parë rëndësinë që ky proces ka për jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar është e nevojshme që ai të diskutohet në mënyrën përmbajtjesore.
Më tej ai u ndal edhe në faktin se ky proces ofron një mjet të rëndësishëm monitorimi për zhvillimet në vend jo vetëm për BE-në por edhe për opinion publik ndaj ka nevojë ti qasemi edhe teknikisht.
Në diskutimin nëse gjeopolitika ka qenë një faktor me ndikim të shtuar në çeljen e negociatave në këtë moment, kundrejt zhvillimeve të mirëfillta ekonomike e politike në vendet për të cilat u dha miratimi në këtë mars, zoti Dedja tha se gjeopolitika mbetet një konstante gjithnjë e pranishme në procesin e zgjerimit, ndaj nuk ka arsye të shihet si ndonjë faktor me ndikim përcaktues.

Më tej, diskutimet u ndalën në formën e zgjedhur nga shteti shqiptar për të bashkëpunuar me shoqërinë civile. Pyetjet kërkuan një vlerësim nga zoti Dedja mbi efikasitetin e platformës së partneritetit me shoqërisë civile, duke kërkuar që ky format të krahasohej me atë të Malit të Zi, ku shoqëria civile, në vend të një partneriteti monitorues e këshillues është përfshirë në ekipet negociatore.
Zoti Dedja duke mbrojtur formatin e zgjedhur prej qeverisë shqiptare, nënvizoi faktin se ky partneritet i mundëson shoqërisë civile që të kontribuojë duke ruajtur nga njëra anë pavarësinë e vet për të artikuluar qëndrime të ndryshme me ato të qeverisë e nga ana tjetër i siguron hapsirën për të mobilizuar opinionin publik për të avancuar qëndrimet e veta.
Në fjalën e tij, ai, gjithashtu, tërhoqi vëmendjen tek një gatishmëri shumë e ulët e shoqërisë civile për tu bërë pjesë e tryezave të ngritura për negociatat në ministritë përkatëse.
Pjesmarrës të ndryshëm në takim nga ana tjetër ngritën shqetësimin se mungon informimi apo gatishmëria e institucioneve të shtetit shqiptar për të ftuar në procesin e përgatitjes për integrim të aktorëve të tjerë.
Në këtë vazhdë ishin edhe diskutimet mbi rolin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, për të cilin disa opinione të shprehura gjatë takimit nxirrnin në pah se është mënjanuar duke mpakur kështu rolin që opozita, apo aktorë të tjerë, kanë në proces. Duke bërë një prezantim të rrjedhës së procesit të negocimit e mënyrës se si artikulohen qëndrimet negociuese zoti Dedja shprehu qëndrimin se KKIE është pjesë e procesit dhe se egziston vullneti i qeverisë shqiptare për të siguruar një mbështetje sa më të madhe për procesin nogociator.
Ndaj komenteve për mos marrjen në konsideratë të komenteve të shoqërisë civile për planin e masave për tu përmbushur para takimit të parë negociator, zoti Dedja ju përgjigj duke thënë se procesi është në vazhdim e konsultimet janë duke u kryer. E nuk ka hiç rezistencë veç dëshirës për bashkëpunim.
Më tej u u vazhdua me pyetje si ndikimi i metodologjisë së re të zgjerimit me një rol më të madh prej vendeve anëtare në proces në parashikueshmërinë e zhvillimeve, për të cilin zoti Dedja tha se kjo metodologji do të sigurojë mirëkuptim në vazhdimësi për procesin duke ulur rrezikun për një bllokim të prerë nga vende të caktuara duke pasur parasysh të drejtën e vetos që gëzon secili shtet anëtar.
Një tjetër pyetje kishte të bënte me hulumtimin e mundësisë për një bashkërendim më të madh mes vendeve të rajonit dhe qasje ndaj anëtarësimit në bllok, si në rastin e zgjerimit të vitit 2004. Përgjigja e zotit Dedja ndaj kësaj pyetje ishte se BE ka zgjedhur ti qaset zgjerimit në rajonin tonë duke vlerësuar meritat dhe zhvillimet e vendeve individuale dhe meqenëse pranimi duket të jetë ende largë për secilin vend kandidat apo kandidat potencial edhe përcaktimi një mënyre pranimi nuk ka qenë ende i nevojshëm.
Zoti Dedja tha se aftësitë profesionale që ofronte administrata civile mund të mos të mos ishin të mjaftueshme, por edhe po të kërkoje më shumë burime ishte e vështirë që të gjejë kapacitetet e nevojshme.

Një tjetër pyetje kishte synim informimin për angazhimin e qeverisë shqiptare për të tërhequr kapacitete profesionale në proceset e anëtarësimit nga radhët e diasporës shqiptare apo edhe ndikimet më të gjera të afrimit me BE-në në flukset e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendit apo jashtë tij. Zoti Dedja informoi se është duke u përgatitur një projekt nga qeveria shqiptare në në bashkëpunim me IOM-in për të tërhequr ekspertizë të specializuar nga dispora, ndërkohë që zhvillimet në përgjithësi duket se do të jenë më komplekse.
Gjatë komunikimit për
organizimin e takimitm zoti Dedja na dha adresën e tij dhe gjatë takimit na
autorizoi të përcjellim letrat e gatishmërisë për përfshirje në tryezat e
partneritetit pwr integrimin. Nëse do të ketë interes të madh me siguri që këtë
detyrë mund ta kryejë një ndihmës i specializuar i zotit zëvendësministër, por
fillimisht jemi të lumtur ta kryejmë këtë detyrë. Adresa jonë është info@eupolicyhub.eu
[Projekti “Komunikimi i procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në”, ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e qytetarëve, studiuesve dhe institucioneve në procesin e negocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.