
Reforma në Drejtësi është konsideruar si një nga reformat më të mëdha të ndërmarra nga Shqipëria gjatë 25 viteve të fundit. Reforma është një nga nismat kyçë për të luftuar korrupsionin në shoqërinë shqiptare dhe ka qenë një kërkesë e kahershme e shumicës së shqipëtarëve. Megjithatë, pavarësisht që ka kaluar më shumë se 1 vit nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i ligjeve të reja, akoma nuk kanë filluar të funksionojnë organet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe duket sikur refoma po krijon më shumë probleme se sa zgjidhje.
Për të kuptuar perceptimin e gjyqtarëve për reformën në drejtësi si dhe me qëllim që të krijohet një urë komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile nga njëra anë dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e reformës nga ana tjetër, EU Policy Hub në bashkëpunim me Friedrich-Ebert-Stiftung Zyra në Tiranë, në vijim të nismave të ngjashme të zhvilluara më pare që kanë si qëllim promovimin e vlerave evropiane si dhe rolit të reformës në drejtësi si një nga kushtet për integrimin në Bashkimin Evropian, organizoi pasditen e së premtes (28.10) një bisedë me zotin Ardian Dvorani, anëtar i Gjykatës së Lartë mbi rolin dhe perceptimin e gjyqtarëve mbi reformën në drejtësi.
Në fillim të bisedës gjyqtari Dvorani bëri një përmbledhje të shkrutër të reformave në drejtësi që ka kaluar vendi ynë përgjatë tranzicionit:
- Reforma e viteve 91-95’, 5 vjeçare, ku u përcaktuan: Ligji Kryesor Kushtetues (1992) si dhe kodet e para, Kodi Civil (1994), Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale (1995).
- Reforma e viteve 98’- 2001. Miratimi i Kushtetutës, stabilizimi i KLD, ligjet anti-korrupsion dhe anti-terror.
- Reforma aktuale, e iniciuar që në janar 2015 me grupet e punës: kushtetuese, ligjore dhe institucionale.
„Për nga përmasat e saj, është realizuar në një kohë relativisht të shkurtër. Në aspektin e konsultimit me grupet e interesit, ka qenë më gjithëpërfshirësja deri tani, pavarësisht se mund të ishte bërë më shumë. Grupet e interesit janë konsultuar, por duhet thënë se ka pasur grupe interesi të cilat nuk kanë pasur interes që të ndodhte reforma. Kjo fryma anti-reformë ul pritshmëritë dhe entuziazmin, por nuk do të ketë sukses,“ u shpreh para të pranishmëve gjyqtari Dvorani.

Reforma ka dy shtylla: 1- Ndryshimi i kuadrit kushtetues, ligjor, organizimi dhe përbërja e sistemit të drejtësisë, qeverisja e gjyqësorit dhe 2- vetting ose përshtatshmëria profesionale.
Ai theksoi se reforma aktuale është e nevojshme për shumë arsye. „Sistemi ligjor i deritanishëm si dhe organizimi i gjyqësorit kanë rezultuar të dështuar. Kur ato kanë dështuar në arsyen e ekzistencës së tyre, do të thotë që është koha për reformim. Nuk është zbatuar barazia e të gjithëve përpara ligjit si dhe barazia e të gjithëve në zbatimin e ligjit. Ka pasur dështime në ndëshkueshmërinë efikase. Ka pasur problem me integritetin, cilësinë dhe kapacitetin e gjyqësorit. Të gjitha hallkat janë përgjegjëse, duke filluar nga legjislativi e me radhë,“ deklaroi Dvorani.
I pyetur nga të pranishimit ai u ndal edhe tek problemet që duhen patur parasysh në të ardhmen. “Efikasiteti dhe burimet njerëzore. Është fakt që gjykatat tona nuk kanë infrastrukturë mjaftueshëm. Është parashikuar që çdo gjyqtar të ketë dy këshilltarë. Suporti i infrastrukturës është i vakët. Një tjetër problem është numri i gjyqtarëve nëpër gjykata. Është fakt statistikor që ka mangësi gjyqtarësh. Ata janë të mbingarkuar me çështje. Raporti kohë-cilësi nuk është në favor të tyre. Sidomos krahasuar me vendet e zhvilluara me traditë ligjore kontinentale, numri i çështjeve që shqyrtojnë gjykatësit çdo ditë është jashtë standardeve. Me dorëheqjet nga vetting- u, në Gjykatën e Lartë kanë ngelur 9 nga 19 gjyqtarë. Kolegjet e Bashkuara nuk mblidhen dot sepse nuk plotësojnë as kuorumin për t’u mbledhur. Me procesin e vetting-ut pritet që numri i tyre të reduktohet edhe më tej dhe pritet që në 5-10 vitet në vazhdim të ketë nevojë për magjistratë të rinj. Kjo na çon në pikën e radhës: Përmirësimi i profesionalizmit. Kjo qendron në përgjegjësinë e Shkollës së Magjistraturës po edhe të strukturave që ofrojnë trajnime të vazhdueshme për gjyqtarët,” përfundoi gjyqtari Ardian Dvorani.