Roli i Kuvendit të Shqipërisë përgjatë procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Një analizë e ndryshimeve që solli Ligji 19/2023

Integrimi në Bashkimin Evropian është një prioritet strategjik i Shqipërisë i cili mbështetet jo vetëm nga të gjitha forcat politike në vend, por edhe nga shoqëria në përgjithësi.

Procesi i anëtarësimit në BE është sa politik po aq dhe teknik. Prandaj, do të kërkojë përfshirjen e të gjithë grupeve të interesit dhe shoqërisë për të realizuar reformat për të përmbushur standardet e BE-së në këtë rrugëtim, sa të gjatë po aq sfidues. Në këtë kuadër, Kuvendi ka një funksion të domosdoshëm dhe të rëndësishëm nëpërmjet rolit të tij legjislativ për të përafruar legjislacionin me aquis communitare (kapitujt), rolin mbikëqyrës për ecurinë e reformave dhe atë kordinues.

Ky dokument analizon ndryshimet që solli ligji i ri mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian i cili u miratua në 16 mars 2023. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se si Kuvendi do të mund të ndikojë në progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Analiza hedh dritë mbi përmirësimet/avancimet që i janë bërë ligjit Nr. 15/2015 mbi shtimin e funksioneve të Kuvendit në procesin monitorues, në pozicionet negociuese dhe ndryshimet që sjell si për Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE) ashtu dhe Komisionin e integrimit Europian i cili do të emërtohet me ndryshimet e vitit 2023, Komisioni për Çështjet Europiane.

Kjo analizë është zhvilluar në kuadër të Nismës Lokale “Të Rinjtë Hallka e Munguar në Procesin e Integrimit Europian” zbatuar nga EU Policy Hub me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).