Manuali per qytetaret EU Policy Hub

Anëtarët e Forumit të Politikave të Integrimit, me mbështetjen e Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kanë përgatitur botimin me titull “Manuali për qytetarët”. Ky manual ka për qëllim dhënien e informacionit thelbësor qytetarëve mbi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe mbi legjislacionin e Bashkimit Europian.

Manuali për Qytetarët bazohet në burime dhe raporte zyrtare, si informacione të përgjithshme të Komisionit Evropian, vlerësimet e Progres Raporteve për Shqipërinë, ashtu si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2016 – 2020.

Parathënia e Manualit është shkruajtur nga Romana Vlahutin, Ambasdore e Bashkimit Evropian në Shqipëri

Një nga aspektet më të vështira të punës time si Shefe e Delegacionit të BE-së, në një vend kandidat për anëtarësim si Shqipëria, është gjetja e mënyrës së duhur për të shpjeguar thelbin e asaj çka është vërtet Bashkimi Evropian.

Kjo pasi BE përfaqëson një larmishmëri gjërash për njerëz të ndryshëm – që nga identiteti i përbashkët Evropian dhe komuniteti i vlerave të përbashkëta, tek tregu i përbashkët dhe pa kufij të brendshëm, nga solidariteti e deri tek burokracia.

Për shumë të tjerë, Bashkimi Evropian tingëllon paksa i vështirë për tu kuptuar, mijëra standarte dhe rregulla, dhe një vendim-marrje shumë komplekse. Por, për mua si qytetare, Bashkimi Evropian është para së gjithash i lidhur me cilësinë e jetës, në një komunitet që kujdeset për të gjithë anëtarët e vet pavarësisht nëse ata janë të fortë apo të dobët, ambiciozë, të talentuar, të sfiduar, të rinj apo të moshuar.

Romana Vlahutin, Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri

Është një sipërmarrje e jashtëzakonshme historike e cila solli paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe begati të cilën kontinenti evropian nuk e kishte njohur kurrë më parë. Është një përpjekje e përbashkët e shteteve dhe popujve të ndryshëm të cilët kanë vendosur që së bashku të qëndrojnë shumë më të fortë se kur janë vetëm.

Në mënyrë që ky komunitet të qëndrojë i fortë, duhet të mbështetet në dy premisa themelore – tek parashikueshmëria dhe solidariteti. Parashikueshmëria nënkupton që ne të gjithë duhet t’i përmbahemi të njëjtave rregullave dhe standarteve të dakordësuara, në mënyrë që besimi të jetë i bazuar në zbatimin konkret të këtyre standardeve, të cilat janë njësoj për të gjithë.

Solidariteti është fuqia më e madhe e Bashkimit tonë – dhe filozofia themelore e asaj çka përfaqësojmë. Kjo e dëshmuar herë pas here, që nga rastet e fatkeqësive natyrore deri tek kriza financiare. Bashkimi Evropian ka treguar se solidariteti nuk është vetëm një vlerë fisnike njerëzore, por edhe një zgjedhje e zgjuar strategjike.

Rimëkëmbja dhe qëndrueshmëria e fqinjëve na bën edhe ne më të fortë dhe të qëndrueshëm. Politika e zgjerimit të BE-së ka provuar se është një prej politikave më të rëndësishme dhe më të vlefshme të sigurisë dhe zhvillimit që është zbatuar ndonjëherë.

Shqipëria është pjesë e kësaj sipërmarrje të madhe, një vend i cili ka qenë i qartë që prej momentit të parë të lirisë pas rënies së një prej regjimeve komuniste më mizore në Evropë. E duam Shqipërinë si Evropa, brohorisnin studentët në 1991. Një vizion i cili kurrë nuk është vënë në dyshim, nuk është shndërruar apo ndryshuar.

Sot jam shumë e lumtur dhe e nderuar të shkruaj disa fjalë në një manual të hartuar nga vajza dhe djem të rinj e të zgjuar të cilët po punojnë shumë për ta ndryshuar Shqipërinë deri në atë pike sa të mund të bëhet një anëtar i rëndësishëm dhe krenar i Bashkimit Evropian.

Ka shumë elementë që janë të rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi, por dija është çelësi. Dija mbi proceset dhe standartet, të kuptuarit analitik i nevojave dhe mundësive. Është me rëndësi të përpiqemi që të informojmë gjithkënd se çfarë do të thotë me të vërtetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe çfarë ai ofron për çdo anëtar të shoqërisë.

Çfarë do të sjellë për fermerët, për industrialistët, për bizneset e vogla, për njerëzit në nevojë, për fëmijët që duan arsimim më të mirë, për të gjithë ne që duan të konsumojmë ushqim të sigurt, të pimë ujë të pastër, dhe të jetojmë në një mjedis jo të ndotur.

Bashkimi Evropian është një cilësi më e mirë për çdo jete njerëzore, është mundësia e shanseve të barabarta. Ka shumë rëndësi që të ndergjegjësojmë qytetarët për këtë perspektivë, dhe t’i ndihmojmë ata të kërkojnë dhe të mbështesin të gjitha reformat që do ta mundësojnë këtë proces.

Dija është mjeti më i fuqishëm në demokraci. Ne të gjithë duam të punojmë edhe më tepër për të fuqizuar ndryshimin i cili do të sjelli Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe do të bëjë të mundur që Bashkimi Evropian të përfitojë nga të gjitha pasuritë, bukuritë dhe talentet e Shqipërisë.

Jam e sigurt se manuali që keni në duar do t’iu ndihmojë për të mësuar dhe kuptuar më mirë të gjitha mundësitë që procesi i zgjerimit sjell për vendin tuaj. Lexim të këndshëm dhe ri-kthejuni këtij manuali sa më shpesh të jetë e mundur!

Manuali mund të shkarkohet këtu