
Politikat e Bashkimit Evropian mbi sigurinë ushqimore përcaktojnë rregulla të qarta mbi prodhimin e produkteve ushqimore. Këto rregulla mbulojnë fushën veterinare për sa i përket sigurisë së ushqimit me origjinë shtazore dhe fushën fitosanitare, për sa i përket cilësisë së farave, mbrojtjes së bimëve, organizmave të dëmshme dhe ushqimit të kafshëve.
Për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, politikat e Bashkimit Evropian përcaktojnë rregulla të qarta për sigurinë e konsumatorit dhe mbrojtjen e interesave ekonomike në shumë sektorë. Vëndet që kërkojnë të harmonizojnë legjislacionin me Bashkimin Evropian duhet të krijojnë dhe vënë në punë edhe institucione të afta për mbikqyrjen e tregut dhe zbatimin e ligjeve që mbrojnë konsumatorin.
Këto institucione, që mund të jenë të pavarura, në varësi të pushtetit qendror (që varen nga Ministritë), apo në varësi të pushtetit lokal (që varen nga Bashkia), duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe kontrollojnë që tregtarët dhe prodhuesit të zbatojnë rregullat.
Me rëndësi është dhe krijimi i mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin për shkak të dëmtimit të konsumatorit, informimi dhe edukimi i konsumatorit për të drejtat që gëzon, si dhe fuqizimi i rolit të organizatave të konsumatorëve.
Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të konsumatorëve, në funksionimin e institucioneve kontrolluese, në praktikën e punës së tregtarëve dhe prodhuesve, ashtu si dhe në fuqizimin e organizatave të konsumatorëve.
Çfarë të rejash sjell procesi i Integrimit Evropian në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore?
Forumi i Politikave të Integrimit – EU Policy Hub në bashkëpunim me Europe House, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, zhvilloj dy tryeza diskutimi në Tiranë dhe Vlorë rreth mundësive dhe detyrimeve që lindin nga procesi Integrimit Evropian në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore, duke u përqendruar në sfidat e zbatimit në nivel qendror por edhe atë vendor.
Në këto takime ishin të pranishëm përfaqësues të nivelit të lartë politik-bërës dhe teknik të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, përfaqësues të projekteve të donatorëve, shoqatave të biznesit dhe shoqatave të konsumatorëve ashtu si dhe media dhe ekspertë të interesuar për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore.
21 Nëntor 2018, Vlorë
Tryeza e parë e debatit mbi sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit (kapitujt 12 dhe 28 të acquis-it) u organizua në qytetin e Vlorës dhe trajtoj gjendjen e tanishme për sa i përket sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit në këtë qytet, arritjet dhe mangësitë kryesorë në punën e bërë nga agjencitë publike përkatëse, si edhe mundësitë dhe sfidat në të ardhmen për të gjitha palët e interesuara. Në panel ishin të pranishëm z. Shkëlqim Rama nënkryetar i Bashkisë së Vlorës, z. Nertil Bellaj drejtor i Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Pandeli Bilbili përfaqësues vendor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, z. Adila Kojdheli përfaqësues i Drejtorisë Rajonale të Inspektimit Veterinar dhe z. Klodjan Rama lektor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe anëtar i EUPH. Takimit iu bashkuan rreth 30 pjesëmarrës, duke përfshirë këtu një spektër të gjerë përfaqësuesish të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, shoqatave të biznesit, dhe donatorëve, si edhe ekspertë në fushat e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit, studentë dhe media vendore. Z. Armando Memushi, lektor në Universitetin e Tiranës dhe anëtar i EUPH, drejtoi diskutimin.
Z. Sh. Rama e vendosi theksin mbi hapjen e thertoreve bashkëkohore në rajon dhe ndalimin e therjes së kafshëve në vende të papërshtatshme, mbi rregullimin e tregjeve ushqimore që pritet të ndërmerret dhe mbi nevojën për të rritur ndjeshmërinë e popullatës ndaj problemeve që lidhen me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Z. Bellaj e nisi fjalën e tij me disa statistika rreth inspektimeve dhe ndëshkimeve të kryera gjatë vitit 2017, dhe më pas vijoi me disa kufizime me të cilat institucioni përballet për sa u përket burimeve njerëzore dhe atyre materiale dhe reflektimi në rezultatet që rrjedhin prej këtyre mungesave, duke e përmbyllur fjalën e tij me rëndësinë e etiketave dhe gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore. Diskutimi i Z. Bilbili u përqendrua te rëndësia e shëndetit të punonjësve në sektorin e shërbimeve dhe te hapat që institucioni ka marrë për të siguruar këtë gjë, ndërkohë që vuri në dukje problemet me të cilat përballen për shkak të tregjeve ushqimore jo formale dhe zbatimit të ngadaltë dhe të kufizuar, deri në jo ekzistent, të rekomandimeve dhe sanksioneve. Pasi theksoi rëndësinë e mirëqenies së kafshëve të përfshira në zinxhirin ushqimor, Z. Kojdheli paraqiti disa statistika rreth punës së bërë për të përmirësuar regjistrimin e kafshëve dhe gjurmueshmërinë e ushqimeve me origjinë shtazore, si dhe shprehu nevojën për kontrolle më të forta mbi përdorimin e produkteve mjekësore veterinare. Së fundi, Z. K. Rama vuri theksin mbi rolin jetik të bujqësisë në ekonominë shqiptare për sa i përket prodhimit dhe punësimit si dhe vuri në dukje nga njëra anë jo vetëm sfidat me të cilat ofruesit shqiptarë do të përballen teksa do të hyjnë në tregun evropian më të madh dhe më të rregulluar, por nga ana tjetër prezantoi edhe mundësitë më të mëdha për financime në këtë sektor.
Më pas, anëtarët e panelit dhe të pranishmit e tjerë u përfshinë në një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi problemet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit në qytetin e Vlorës si edhe mbi zgjidhjet e mundshme. Diskutimi u përqendrua kryesisht rreth kohës më të mirë për vendosjen e etiketave në gjuhën shqipe mbi mallrat e importuara nga vendet e origjinës ose kur produktet arrijnë në Shqipëri, si dhe rreth mundësive të ardhshme për produktet tipike shqiptare. Në përgjithësi, disa nga problemet kryesore të vëna në dukje gjatë këtij takimi mund të veçojmë:
- Ndërgjegjësimin e ulët publik, por i cili ka filluar të marri hov së fundmi, në lidhje me problemet në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, si edhe në lidhje me detyrimet që sjell acquis-i në këto fusha;
- Ndërgjegjësimin e ulët të fermerëve në lidhje me mundësitë që ofron hyrja në tregun evropian, si dhe cilat janë përfitimet potenciale për ofruesit e produkteve tipike shqiptare nga skemat e BE-së për cilësinë;
- Bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e dobët midis institucioneve por edhe midis politikë-bërësve dhe ekspertëve për hartimin dhe zbatimin e politikave;
- Pamjaftueshmërinë e burime njerëzore dhe materiale në dispozicion të agjencive publike;
- Zbatimin e ngadaltë dhe të kufizuar, deri në jo ekzistent, tët rekomandimeve dhe sanksioneve.
22 Nëntor 2018, Tiranë
Tryeza e debatit në Tiranë u fokusua rreth ndikimit të procesit të integrimit evropian mbi politikat e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri. Paneli i folësve përbëhej nga znj. Ermira Rusi zëvendës-Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Llazar Korra menaxher programi për Bujqësinë dhe Mjedisin pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, znj. Hermiona Hajdini përgjegjëse e sektorit veterinar në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit të Bashkisë Tiranë, z. Granit Sokolaj gazetar AlertNews dhe znj. Ersida Teliti drejtore ekzekutive e Qendrës ‘Konsumatori Shqiptar”. Të gjithë panelistët ndanë njohuritë dhe eksperiencat e tyre në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit si dhe diskutuan rreth ndikimit të procesit të integrimit evropian në përmirësimin e standardeve. Zëvendësministrja Rusi prezantoi programin shumëvjeçar të Ministrisë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e parimit nga ferma në tryezë. Në kuadër të procesit të shqyrtimit (screening), ministria është duke punuar mbi dy akte kryesore ligjore, Ligjin për Ushqimin dhe Ligjin për Veterinari. Ministria është e angazhuar në rritjen e sigurisë ushqimore, dhe për ta ilustruar solli shembullin e monitorimit dhe mbylljes të 10 thertoreve nga 33. Zëvendësministrja Rusi përmendi gjithashtu ndihmën financiare dhe institucionale të BE-së në rritjen e kapaciteteve për një ushqim më të sigurt. Megjithatë, qeveria ende përballet me sfida në transpozimin e legjislacionit, në koordinimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve të ndryshme si dhe në krijimin dhe funksionimin e laboratorëve të specializuar për analiza të ndryshme që lidhen me bimët dhe kafshët.
Z. Korra nga Delegacioni i BE-së theksoi rëndësinë e përafrimit ligjor në këtë fushë. Ai theksoi se kapitujt mbi Bujqësinë dhe Sigurinë Ushqimore janë kapitujt më voluminozë dhe më delikatë për t’u negociuar, prandaj ekziston nevoja për të krijuar struktura të përshtatshme për zbatimin e duhur të detyrimeve që rrjedhin nga këto kapituj. Z. Korra gjithashtu prezantoi asistencën teknike që BE po jep për ngritjen e kapaciteteve në këtë sektor dhe progresin që është bërë deri më tani. Megjithatë, z. Korra përmendi disa nga sfidat kryesore që ekzistojnë ende në këtë sektor, si pajisjet me laboratorë për 9 zyrat rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kontrolli më i mirë i pesticideve si dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve që janë përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Përfaqësuesja e Agjencisë së Konsumatorëve pranë Bashkisë së Tiranës theksoi rëndësinë e ngritjes së vetëdijes dhe informimit të konsumatorëve për të drejtat e tyre dhe masat paraprake që konsumatorët duhet të marrin para dhe kur konsumojnë ushqim. Ajo përmendi fushatën e re të agjencisë, “Merr bukë me vete”, e cila i adresohet kryesisht fëmijëve dhe studentëve. Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin e konsumatorëve për të shmangur blerjen e ushqimit nga tregtarët ambulantë pranë shkollave, universiteteve ose ambienteve të punës, ushqim i cili mund të jetë i pakontrolluar dhe jo me standardet e sigurisë ushqimore. Znj. Hajdini përmendi edhe thertoren e parë publike të hapur në Tiranë, e cila është pjesë e masave shtetërore për të mbyllur të gjitha thertoret private që nuk përputheshin me rregullat dhe standardet e sigurisë. Disa nga sfidat kryesore të institucionit janë konsultimet me fermerët dhe konsumatorët, sistemi i monitorimit në nivel lokal dhe qendror, si dhe rritja e konkurrueshmërisë së produkteve rurale vendore dhe përputhshmëria e tyre me standardet e BE-së.
Z. Sokolaj, në diskutimin e tij theksoi faktin që konsumatorët nuk janë të vetëdijshëm për çështjet e sigurisë ushqimore si dhe nevojën e madhe për fushata dhe politika të ndërgjegjësimit qytetar. Sipas z. Sokolaj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është më shumë i fokusuar në inspektime sesa në kërkime dhe se ka mungesë komunikimi me qytetarët. Për më tepër z. Sokolaj gjithashtu pranoi se mediat dhe gazetaria nuk janë të informuar mbi sigurinë ushqimore prandaj lind nevoja për emisione mediatike dhe programe të veçanta për sigurinë e ushqimit.
Znj. Teliti nënvizoj faktin se pavarësisht korniza ligjore për mbrojtjen e konsumatorit është e harmonizuar në mënyrë të konsiderueshme me standardet e BE-së, problemi qëndron në zbatimin e tij. Konsumatorët nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe nuk janë të informuar dhe të mirë-edukuar mbi çështjet e sigurisë dhe etiketimit të ushqimit. Në Bashkimin Evropian, rregullat e etiketimit u mundësojnë qytetarëve të marrin informacion të plotë rreth përmbajtjes dhe përbërjes së produkteve ushqimore. Etiketimi ndihmon konsumatorët të bëjnë një zgjedhje të informuar gjatë blerjes së ushqimeve të tyre. Shumica e konsumatorëve në Shqipëri janë të kufizuar vetëm duke vëzhguar datën e skadimit të etiketave të ushqimit dhe nuk kërkojnë elementë të tjerë në lidhje me sigurinë e ushqimit. Për më tepër, mungojnë etiketat në gjuhën shqipe dhe disa prej etiketave nuk përmbajnë informacion për praninë ose jo të alergeneve. Fushatat sensibilizuese për konsumatorët janë të pakëta dhe të izoluara. Si një shqetësim i madh për znj. Teliti ishte mungesa e reagimit të autoriteteve publike në lidhje me analizat e ushqimit si dhe mungesa e komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe konsumatorëve.
Diskutimet që vijuan më pas me pjesëmarrësit në këtë aktivitet u përqëndruan tek përdorimi dhe kontrolli i pesticideve në Shqipëri, gjurmueshmëria, mungesa e regjistrit nëpër farmacitë bujqësore për pesticidet dhe produktet farmaceutike për bimët dhe kafshët.
Duke pasur parasysh rëndësinë dhe shtrirjen e fushës së veprimit të kapitujve 12 dhe 28 të acquis-it për mirëqenien e konsumatorëve shqiptarë dhe për procesin e anëtarësimit, EU Policy Hub-i do të vazhdojë të ndërmarrë nisma të tilla në fushat e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit dhe për ti sjellë të gjitha çështjet e lidhura me to në vëmendjen e politikë-bërësve dhe publikut.