Perspektiva Europiane e Shqipërisë, nën Trysninë e Vendeve jo-Perëndimore

Një shkrim nga Erlis Hoxha

Një koincidencë jo e zakontë, përkimi i ditës së alfabetit të gjuhës shqipe, sanksionuar si i tillë nga Kongresi i Manastirit, midis datave 14 – 22 nëntor 1908. Në këtë Kongres morën pjesë figurat më të shquara të rilindjes Kombëtare, ku mes shumë peripecish, u vendos që alfabeti i gjuhës shqipe, tanimë do të shkruhej më germa latine, sikundër kombet e qytetëruara europiane, përkundrejt dy alternativave të tjera, alfabetit arab dhe atij lindor.[1]

Pikërisht kjo ngjarje e rëndësishme e kombit Shqiptar, dëshmon kahjen proevropiane të Shqipërisë qysh në gjenezën e themelimit të saj, aspak rastësore, por falë gjuhës, kulturës, historisë dhe gjeografisë së saj, e bëjnë atë natyrshëm pjesë të pangatërrueshme të identitetit europian.

E ndërsa lëmë pas historinë e u rikthehemi sfidave aktuale të Shqipërisë dhe rrugës së saj drejt proceseve integruese, konstatohet se ka ende pengesa të qenësishme deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

Vendimi për të qenë pjesë e familjes Europiane, Shqipërinë e obligon të përmbushë detyrimet e saj që janë të materializuara në një tërësi normash, rregullash ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, të cilat duhen përqasur rigorozisht me legjislacionin europian.[2]

Por deri atëherë, shteti aspirant duhet të plotësojë disa parakushte dhe të dëshmojë qasjen dhe vullnetin e duhur që të mund të konsiderohet nga Bashkimi Europian si vend serioz dhe i besueshëm për të avancuar me axhendën konkrete të integrimit.

Pengesat e Shqipërisë në përmbushjen e kësaj axhende, konstatohen në dy aspekte,  pengesa të brendshme dhe të jashtme.

  1. Shqipëria dhe sfidat e saj të brendshme.

Këto problematika janë pasqyruar dhe artikuluar si pengesa në proceset integruese pothuajse në të gjithë progres-raportet e institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare të cilat monitorojnë ecurinë dhe progresin e proceseve demokratike të vendeve aspirante në BE[3].

Së fundmi, këto kritere për t’u plotësuar janë të identifikuara edhe në “stacionin e fundit” para hapjes finale të negociatave me BE-në, të cilat nëse do t’i përmbledhim, ato janë të fokusuara në këto dimensione:

a) Reforma ne Drejtësi;

i. Përmbyllja dhe vënia në funksionim e sistemit të ri gjyqësor, të dalë nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. 

ii. Formalizim të strukturave të reja ligjzbatuese të dala nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, si BKH dhe SPAK.

b) Sistem zgjedhor konsensual; miratim të reformës zgjedhore.

c) Forcim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

d) Administratë publike profesionale, jashtë influencave politike

Këto kritere përbëjnë “sfidën e zjarrit” për qeverinë, e cila mbart dhe përgjegjësinë më të madhe, për realizimin e tyre. Finalizimi me sukses i këtyre reformave do të përbënte një hap të rëndësishëm për vendin, duke i hapur rrugë çeljes së negociatave me BE-në.

  • Shqipëria nën influencën e vendeve joperëndimore

Nga ana tjetër, Shqipëria për një mori rrethanash, të karakterit historik, gjeografik dhe politik, është e ekspozuar po ashtu edhe ndaj influencave të vendeve joperëndimore, konkretisht, Rusisë, Turqisë dhe Kinës.

Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, balanca e fuqive të aktorëve ndërkombëtarë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Rritja e fuqive joperëndimore në skenën globale, në dekadën e fundit, është duke e sfiduar vazhdimisht dominimin e aktorëve të rëndësishëm Perëndimorë në arenën ndërkombëtare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. [4]

Në këtë kontekst, Shqipëria nuk është e imunizuar nga këto influenca, përkundrazi, çdo dobësi apo paqartësi e institucioneve të saj ndaj sfidave reale të vendit, nga njëra anë dhe zbehja e rolit të Bashkimit Evropian në proceset integruese me vendet e Ballkanit Perëndimor, nga ana tjetër, do t’u jepte shkas aktorëve joperëndimorë të gjenin hapësira për ta shtrirë më tej ndikimin e tyre në këtë rajon. Në këto rrethana, vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, u duhet të përballen me sfida dhe rreziqe, si:

  1. rishfaqja e interesave ruse në dimensionin ekonomik, politik dhe ushtarak;
  2. axhenda neo-otomane e Turqisë në politikën e jashtme;
  3. interesat gjeoekonomike të Kinës në këtë rajon.

Vlen të theksohet se forcat e përbashkëta midis Rusisë, Turqisë dhe Kinës, krijojnë një trekëndësh strategjik që sfidon haptazi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë në terma gjeopolitike dhe gjeoekonomike, të cilat shoqërohen me implikime të rëndësishme për fuqitë më të vogla ndërkombëtare dhe rajonale, por edhe për vendet individuale në pjesë të ndryshme të botës[5]).

Me gjithë madhësinë apo rëndësinë e tyre në politikën botërore, nuk mund të anashkalohet fakti se vendet e Ballkanit Perëndimor ndikohen nga ndryshimet e përsëritura të pushtetit dhe konkurrencës midis Perëndimit dhe Lindjes. Paqëndrueshmëria politike dhe krizat e herëpashershme në këtë rajon (Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), i kanë dhënë Rusisë hapësirë dhe mundësi që të depërtojë dhe prania e saj në Ballkanin Perëndimor të shndërrohet në shqetësim për BE-në dhe SHBA-në. Pavarësisht nga zhvillimet e brendshme politike lokale, interesat e ndryshme të vendeve jashtë këtij rajoni, përplasen në Ballkanin Perëndimor dhe bëhen pjesë e konfliktit të përgjithshëm gjeopolitik midis Lindjes dhe Perëndimit, më së shumti ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian, por pa përjashtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ballkani Perëndimor duket se vazhdon të jetë ende një “rajon problematik” për Evropën dhe më gjerë. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara të shmangin çdo mundësi, për të mos lejuar përsëritjen e konflikteve të përgjakshme, sikurse kanë ndodhur në vitet 1990 (me Bosnjë-Hercegovinën dhe luftën e Kosovës), si dhe për të minimizuar ndikimin potencial të Rusisë dhe afrimin së fundmi të Kinës në këtë rajon.

Rusia, nga ana tjetër, i sheh vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht aleatët e saj historikë (Serbinë dhe Malin e Zi), si zona të favorshme për t’iu kundërpërgjigjur ndikimit të BE-së dhe SHBA-së drejt Lindjes. Ajo ka përdorur instrumentet e saj ekonomike dhe ushtarake për të dëshmuar fuqinë e saj në këtë rajon, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatët në çështjet ushtarake dhe duke investuar në sektorët kyç strategjikë, si: energjia, transporti, turizmi dhe tregjet financiare.

Edhe pse Ballkani Perëndimor ka pësuar një konfigurim të ri gjeopolitik përgjatë dekadave të fundit, Rusia dhe Turqia kanë treguar një interes të gjerë në këtë rajon: Rusia në sektorin e energjisë, ndërsa Turqia si një nga fuqitë më të mëdha tregtare dhe investuese në rajon, duke përdorur lidhjet historike dhe kulturore, përveç investimeve ekonomike, për të rritur dominimin e saj, (Ribaj, P; Cami, Sh. 2015. Lufta paqja dhe siguria: realitete ballkanike. [war, peace and security: Balkanic realities], Tiranë.)

Studiuesit shprehen, se stabiliteti dhe demokracia në rajonin e Ballkanit Perëndimor po dobësohen, duke krijuar në këtë mënyrë një terren të lirë për rikthimin e garave gjeopolitike, për të çuar më tej interesat e fuqive të tjera në rajon. Gjatë dekadës së fundit, demokracitë e brishta të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa prapa, veçanërisht pas krizës financiare të vitit 2008, një proces që nuk është vlerësuar maksimalisht nga SHBA-ja dhe BE-ja. Indeksi i transformimit të “Bertelsmann” (BTI 2018, Albania Country Report, [6]i rendit vendet e Ballkanit Perëndimor si demokraci jofunksionale. Ky indeks, është një nga pyetësorët më gjithëpërfshirës të shteteve mbi përpjekjet e tyre për transformim dhe përfshin 129 vende, ndër të cilët edhe Shqipërinë, duke zbuluar pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Indeksi BTI i vlerëson shtetet sipas treguesve, në një shkallë nga 1 deri në 10. Ky indeks i ndan treguesit në tri kategori kryesore: statusi i demokracisë, statusi i ekonomisë së tregut, si dhe indeksi i qeverisjes. Posaçërisht për Shqipërinë, ky indeks vlerëson: Statusin e Demokracisë: 7.05 /10; Statusi i Ekonomisë së Tregut: 6.61/ 10; Indeksi i Qeverisjes: 6.02/10 dhe Indeksi i Përgjithshëm: 6.83/10.

Nga të dhënat e mësipërme vërehet një progres i ngadaltë në procesin e integrimit evropian, në një kohë që Bashkimi Evropian po përballet me sfida të brendshme, si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike. Vitet e fundit, dobësitë e Bashkimit Evropian përballë kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, për të ofruar mundësi reale për vendet e Ballkanit Perëndimor, u krijuan terren të lirë fuqive dhe aktorëve të tjerë globalë, për të mbushur këtë boshllëk gjeoekonomik, veçanërisht Rusisë, Turqisë dhe Kinës. (Duroselle, J. B. Kaspi, A.  2009. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare, vëllimi II, Nga viti 1945 deri në ditët e sotme.  Tiranë).

Turqia – Politika e Jashtme e Turqisë e dy dekadave të fundit, kryesisht është bazuar në doktrinën e “Thellësisë Strategjike” të ish-Ministrit të Jashtëm dhe ish-Kryeministrit, Ahmet Davutoglu, i cili doktrinën e vet e bazon tek e kaluara e ndritur e ish-Perandorisë Osmane, si dhe tek kufijtë e hershëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe historinë e tyre. Në këtë prizëm, theksohen lidhjet e Turqisë me Ballkanin Perëndimor, Lindjen e Mesme, madje edhe me Azinë Qendrore[7]

Prej vitit 2000, kohë kur Turqia njohu dhe bumin e saj ekonomik, interesi i saj për të investuar në këto vende, ka qenë gjithnjë e më i lartë. Agjencia Turke për Zhvillim është aktive në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rusia – Një analizë e kohëve të fundit arriti në përfundimin, se Gadishulli Ballkanik po bëhet një fushëbetejë e rëndësishme midis interesave gjeopolitikë e strategjikë të Rusisë dhe interesave të Perëndimit. Edhe pse në kontrast të fortë me institucionet dhe demokracinë perëndimore, nëpërmjet mjeteve informative, politike, ekonomike dhe ushtarake, Rusia ia ka dalë të përballet me to, madje nuk janë të pakta rastet e diskreditimit të tyre (Bieri, 2015, Leadership adrift: American policy in the western Balkans[8].).

Në disa vende të rajonit ekziston një perceptim i ndikimit më të madh ekonomik rus, krahasimisht me BE-në, siç është Serbia. Në aspektin e stabilitetit të zhvillimit ekonomik, është e rëndësishme të vlerësohet, se ekonomia e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor është tepër vunerabël/e dobët, me përjashtim të Kroacisë (Leci, 2006, Botime Ushtarake: Integrimi në NATO dhe Interesat Kombëtare [Military publications: Adriatic and integration in NATO] Tiranë). Nevoja për investime ekonomike, por jo vetëm, e lidhur ngushtë me korrupsionin dhe institucionet e dobëta, kanë krijuar mundësi për aktorë të tillë si Rusia, për të përfituar dhe ndikuar politikisht dhe në fushën kulturore. Ndikimi ekonomik rus është më i fortë në Serbi, Bosnjë – Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me ndikim të moderuar në Kosovë dhe më pak ndikim në Kroaci dhe Shqipëri.

Kina – Për vendet tashmë anëtare të BE-së, investimet kineze shihen si plotësuese të fondeve të BE-së, ndërsa për shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, prania kineze është një mënyrë vitale për të siguruar financim për infrastrukturën dhe teknologjinë, megjithëse nuk janë vënë ende në dispozicion të vendeve që nuk janë pjesë e BE-së. (Zhou & Nakagawa, 2002; The Current Tax System and Priorities for Reform, in China in the world Economy: Domestic Policy Challenges, OECD, Paris).

Duke pasur një boshllëk financimi, procedurat e ngadalta të zbatimit për projektet e BE-së dhe pengesat e tjera institucionale, në këto rrethana, Kina është paraqitur si një alternativë tërheqëse me ofertën e saj të “proceseve të efektshme të miratimit, financimit shtetëror të mbështetur dhe zbatimin e shpejtë”.

Përfshirja e Kinës me vendet e Evropës Juglindore është përqendruar në tri fusha kryesore:

1) Huadhënie e drejtpërdrejtë qeverive, për infrastrukturë;

2) Forcimin e lidhjeve tregtare;

3) Investime të drejtpërdrejta të kapitalit (Newton, & Subbaraman, 2002, China: Gigantic Possibilities, Present Realities, Lehman Brothers, New York).

Strategjia e Kinës është të ndërtojë një “linjë të shpejtë për Evropën” për produktet kineze, duke “përdorur” Ballkanin Perëndimor si rrugë kalimi, për pasojë qasjet e liderëve të Kinës në këtë rajon rrjedhin nga strategjia e saj për krijimin e lidhjeve dhe integrimit ekonomik të tyre. Ndërsa tregjet e Ballkanit Perëndimor janë relativisht të vogla për vëllimet kineze të produkteve, por ato kanë një pozicion gjeografik të rëndësishëm që mund të lidhë Kinën me Evropën Perëndimore për të depërtuar në tregun përfundimtar të synuar. (Lleshi, 2009, Gjeopolitika dhe probleme të sigurisë në Ballkan. [Geopolitics and security issues in the Balkans].  Tiranë).

Në mënyrë që të forcojë prezencën e saj në Ballkanin Perëndimor, në vitin 2012, Kina nisi iniciativën “16+1”, me qëllim intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të saj me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin Perëndimor, në fushën e investimeve, të transportit, të financave, të shkencës, të arsimit dhe kulturës. Çdo vit, në një nga shtetet, organizohet një mbledhje e palëve pjesëmarrëse, çka ka rezultuar një hap pozitiv në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe ka ofruar një derë të hapur për infiltrimin kinez në tregjet perëndimore[9].  

Konkluzion

Shqipëria e ndodhur në këto rrethana gjeopolitike, i duhet të vijojë me thellimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian, pasi çdo vonesë dhe paqartësi e saj, në mënyrë indirekte, do t’i hapte rrugë investimit të vendeve joperëndimore në këtë rajon, të cilat janë të gatshme të mbushin vakumin e lënë nga BE-ja dhe SHBA-ja.


[1] https://www.vaticannews.va/sq/bota/news/2018-11/kongresi-i-manastirit-dhe-mid-hat-frasheri.html
[2] http://www.dap.gov.al/images/DokumentaStrategjik/PKIE%202016-2020.pdf
[3] https://faktoje.al/9296-2/
[4] (Rise of new centres of power in Eurasia: Implications for Turkish foreign policy. Journal of Eurasian Studies, Volume 5, Issue 2, July 2014, Pages 184-191. https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S1879366514000049)
[5] (Western Balkans in the Context of Competition Between China, Russia, the European Union, and Turkey. Warsaw Institute Special Reports. https://warsawinstitute.org/western-balkans-context-competition-china-russia-european-union-turkey/
[6] https://bti-project.org/content/en/downloads/reports/country_report_2018_ALB.pdf
[7] (https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S1879366514000049)
[8] The Balkans in Europe Policy Advisory Group (BIEPAG). https://biepag.eu/wp-content/uploads/2019/08/Leadership-Adrift_fin-2.pdf
[9] Hillman,Mc Calpin, 2019, Will China’s ‘16+1’ Format Divide Europe? Center for Strategic and International Studies. https://www.csis.org/analysis/will-chinas-161-format-divide-europe).