Shqipërisë ju hapën më në fund negociatat për anëtarësim në BE mbas disa refuzimeve të njëpasnjëshme. Hapja e negociatave shënon një stad të rëndësishëm të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE. Procesi i integrimit Europian të Shqipërisë në BE do të jetë një process i gjatë. Në këtë process do duhet të përfshihen jo vetëm politikëbërësit dhe institucionet e BE por dhe grupet e ndryshme të interesit dhe aktorë të rëndësishëm të shoqërisë civile si akademia, sindikatat, shoqatat e biznesit, fermerët, rinia etj. Përmes kësaj përfshirje ne nuk do të kemi vetëm një integrim institucional por dhe një integrim shoqëror.
Zakonisht rinia ka qenë larg qendrës së vëmendjes së opinionit publik por ky vit e ktheu përsëri në vëmendje me shpalljen e Tiranës Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, dhe rinia mbetet një ndër tematikat e ndjeshme të përgatitjes së vendit për anëtarësimin në BE. Një pjesë e madhe e politikave të BE-së do të fokusohen tek ky grup shoqëror. Duke qenë se rinia është ndër-sektoriale, është shumë e vështirë që ajo të trajtohet vetëm në një kapitull (nga 33 kapituj, të organizuar në 6 grupime/clusters). Kapitujt që do të prekin më shumë këtë target grup janë përkatësisht kapitujt 19 dhe 26 që kanë të bëjnë me politikat sociale dhe punësimin, edukimi dhe kultura. Prandaj potenciali i të rinjve duhet parë jo vetëm tek kapitujt 19 dhe 26, por të rinjtë duhen përfshirë në një kontekst më gjithpërfshirës në këtë proces të rëndësishëm të vendit.
Rinia karakterizohet nga një mbështetje e lartë për integrimin evropian dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë, kjo mbështetje shoqërohet me një nivel të ulët njohurish rreth procesit të integrimit, përfitimeve dhe kostove të këtij procesi për Shqipërinë. Rinia përballet me sfida të ndryshme që pengojnë apo ngadalësojnë aktivizimin e tyre të plotë në shoqëri dhe në politikëbërje. Siç evidenton edhe ky sondazh, rinia e ka të nevojshme njëherësh nevojën për informim dhe njohuri mbi procesin, aktorët dhe rolet në integrimin e Shqipërisë në BE, programet e BE-së dhe si mund të përfitojnë të rinjtë nga këto programe.
Ky raport përmban analizën e detajuar të të dhënave, përfundimet kryesore të sondazhit si dhe rekomandimet për hapat e mëtejshëm.