RAPORT STUDIMOR: PËRFSHIRJA E TË RINJVE NË ARSIMIN PROFESIONAL DHE TREGUN E PUNËS

Raport-Studimor-YHWBT

Edukimi është një nga të drejtat më thelbësore të njeriut, dhe si i tillë duhet t’I sigurohet çdo qytetari, në të gjitha format e tij. Nëse individëve nuk i ofrohet akses në arsim që në një moshë të re, ata rrezikojnë të bien pre e varfërisë, stigmatizimit dhe dhunës. Aksesi në edukim bën diferencën ndërmjet mospërfshirjes përgjatë gjithë jetës apo të qenit një pjesëtar aktiv i shoqërisë. Shqipëria përbën një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë me rreth 48.5% të moshës nën 35 vjeç.
Të rinjtë në Shqipëri përballen me sfida të mëdha për të hyrë në tregun e punës në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Shqipëri është e lartë 27.4% dhe ata që kërkojnë në mënyrë aktive punësim nuk mund të gjejnë një të tillë, pavarësisht se për shumë prej tyre kanë një nivel të mirë kualifikimi, gati dyfish në krahasim me shkallën e përgjithshme të papunësisë në vend. 1 Punësimi si një fushë e lidhur ngushtësisht me arsimin, duket se paraqet mundësi të cilat nuk ecën në përputhje me nevojat që shfaqen për profesione të caktuara. Prej vitesh vazhdon të bëhet një diskutim në lidhje me promovimin e arsimit dhe formimit profesional, e megjithatë duket se ai vazhdon të mbetet jo I preferuar nga të rinjtë, e sidomos vajzat, të cilat e frekuentojnë në nivele shumëfish më të ulëta se djemtë. Arsimi profesional, si një formë e edukimit e cila bazohet më së tepërmi në zhvillimin e aftësive manuale dhe praktike, duket të shfaqë një kërkesë të lartë për profesionistët që diplomohen në një nga fushat hoteli- turizem, artizanat apo profesione të tjera.
Arsyet kryesore pse të rinjtë nuk e zgjedhin arsimin profesional është pikërisht mungesa e investimeve në gjimnazet profesionale për sa i përket çështjeve të infrastrukturës, mungesa e informimit ndër të rinj, stafe akademike apo dhe prindër, të cilët kanë një koncept të keqpërshtatur për arsimin profesional, efektivitetin e tij në tregun e punës dhe skepticizëm për sa i përket të ardhmes profesionale të tërinjve që ndjekin këtë rrugëtim. EU POLICY HUB përmes zbatimit të projektit “Fuqizimi i Sipërmarrjes Rinore përmes Edukimit në Karrierë” ka synuar të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve për ndjkjen e arsimit profesional dhe forcimin e rolit të këshillimit në karrierë. Ky raport studimor, ka për qëllim të kontribuojë në uljen e stigmatizimit për arsimin profesional dhe të japë një panoramë më të qartë të përfshirjes së tyre në arsimin profesional dhe tregun e punës.