Identiteti Europian, një ngjashmëri e një projekti

Nga Oltion Kadaifçiu*

Një ngjashmëri e një projekti, në fakt, është çdo identitet, e jo vetëm ai Europian. Një ngjashmëri si ajo mes njerëzish, brenda rracash e etnish, burrash e grash, të varfërish e të pasurish, besimtarësh të gjatë ose ateistësh të shkurtër, me marrëdhënie të mira me njerëzit ose jo, drejtues automjeti, bashkëshortësh, pëlqyesish të mishit të pjekur në zjarr të ngadaltë prej bagëtish të imta, etj.

Dhe një projekt, sesi pas mësimeve të Platonit, realizimi i njeriut shkon nëpër një kthjellim të gabuar dhe pastaj në një realitet të shpellës së errët e pastaj në botë të ideve, e pasta një kthim pas me fjalë drite që pak ti besojnë po gjithsesi diçka mësojnë. E domosdo, mëson edhe ti.

Por ky europiani ka një relevancë në zhvillimet gjeopolitike, e praktikë, të mirëqenies, rrokjes së një progresi që po ndodh aty pranë, si edhe nëpër botë, natyrisht, veçse me përjashtime. Europa me zhvillimin e vet teknologjik, organizativ, qytetar, ekonomik e kështu me radhë të bën nder të madh kur të përfshin në rradhët e veta në këto kohë dalldije. Megjithëse ka edhe që mendojnë se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë sepse një komplot ekonomik fle i përgjumur diku dhe nepsi i ndonjë të huaji të pakët, që është përfshirë në marrëdhënie lokale mjafton për përgjithësime gati filozofike. Një rritje e presionit në konkurencë ekonomike parashikohet gjithashtu.

Por kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë sepse në identitetin tonë përfshihen ngjyrime shumë më të thepisura, herë pas here dhe gjithmonë. Pra një intensifikim i marrëdhënieve me europianët nuk mund të mos jetë një zhvillim i mirë. Një pasiguri identitare që ndjek kufitarizmin tonë qytetërimor do të adresohej. Procese emancipuese do të rigjenin energjinë e humbur prej ca kohe. Një administratë me mbështetje për zbatimin e vullnetit të vet të edukuar dhe për më tepër e asistuar gjithandej ka gjasa të forcohej.

Por, problemi nuk është, fare, ky. Entuziazmi ynë, pavarësisht zërave kundër që do të dëgjohen dikur, është i qartë.

Problemi është se çfarë mendon Europa për këtë punë? Ç’mendon për vete, e për ne?

Identiteti i përkatësisë në Bashkimin Europian është vetëm një nga identitetet e europianëve, ose të paktën qëndrimi që kanë për të.

Nëse vazhdojmë me fjalorin e Platonit, shpella Evropiane paska rastisur më e mira e shpellave, pikërisht sepse besohet që ishte një shpellë ku bëri dritë Platoni e Euklidi, Euripidi, Parmenidi dhe plot e plot. Këtë dashuri e gjenialitet për gjeometrinë, artin, mendimin politik, e filozofik që morën mundimin ta shkruanin e ta ballafaqonin me gjithë interpretimet e tjera të mundshme, europianët thonë se nëpër ndryshimet e historisë u ruajt prej Romës, krishtërimit dhe gadishmërisë për rehatim të gjetjeve e ndryshimeve kulturore në zakone e sjellje. (Kontributi i mirëqënies arabe pas zbulimit të islamit e zgjerimit të tij, është për t’u vlerësuar, por nga mungesa e pranisë femërore në jetën urbane ndoshta dhe dielli i tepërt u ndoll squllja që do vinte. Po zeroja, ky kapërcim matematikor, ishte përcjellë tashmë.)

Ndërkohë ishte shfaq mbreti gjerman, kishin ardhur dhe mbetur sllavët e jugut. Dhe një princ bizantin i shplandosur në zheg nën korin e murgjve 300-vjeçarë pa e marr vesh hiç ç’ish ajo e qarë te dhoma tjetër.

Gjuha latine, që deri vonë ishte gjuha e shkruar për shkencë e shtjellim filozofik, i arriti rilindasit humanistë të italianëve, që vunë njeriun mbi gjithçka e tek gjithçka. Ndër ta Dante shqeu latinçen dhe lindi Italishten duke lënë një shenjë për poezinë e gjithë estetikën e shkruar. Lloj lloj piktori. Da Vinçi.

U shfaqën francezët dhe mbreti i tyre. Mbretëreshat e para. Shekspiri. Dhe në Angli lindi debati parlamentar  e jo më një shpërndarje e rrufeshme epërsie. Pa ishte edhe revolucioni francez që erdhi si nevojë e reformës. Vëllai kapitalist dhe kolonialist siguroi edhe burimet e nevojshme financiare. Dhe pastaj një shpërndarje tjetër ishte ëndërruar në Marksizëm. Besimi tek njohja sistematike, rrethanat, teknologjia, identiteti etik kolektiv nxitën ato zhvillime që sollën ditët e sotme.

Por identiteti Europian, në dimensionin e vet si projekt, vuan dyzimin e të qenit universal. Ai është i europianëve, por në këtë kontekst ‘europian’ është një projekt i fjetur i çdo qytetari në botë: të jetojë e të punojë sipas gjetjeve më të besueshme të arsyes e kërkimit shkencor, solidaritetit e organizimit shoqëror.

E nga kjo përafri e europianizmës me progresiven lind një dobësi në identitetin europian. Një dobësi që shtyn, si në rastin e anglezëve që dolën prej Bashkimit, apo të forcave politike kryesisht të djathta e populiste që po rrisin masën e vet prej shumë kohe tashmë dhe duket se po realizojnë ndikimin e vet në gjithë projektin e Bashkimit Europian, në njëfarë mënyre. Por jo domosdoshmërisht.

White paper” i Komisionit Europian parashikonte këto skenarë për të ardhmen: (i)Vazhdojmë përpara; (ii) Asgjë tjetër veç tregut të përbashkët; (iii) Kush do më shumë le të bëjë më shumë; (iv) Le të bëjmë më pak por të jemi më të zotët; (v) Të bëjmë bashkë shumë më tepër.

Dhe kjo larmi skenarësh, që megjithëse përfshin gjithçka, ka qenë gjithmonë në terma të zhvillimit të BE-së. Kryesisht dëshmon se megjithëse, tashmë, një strukturë e qëndrueshme e komplekse, Bashkimi Europian vazhdon të ballafaqohet me nevojën për të negociuar, kultivuar e promovuar identitetin e grigjës së vet. Një identitet që njëkohësisht ndjek e paraprin zhvillimin e BE-së. Një identitet që duhet të ofrojë unitetin e nevojshëm për bashkëveprim politik e ekonomik, për bashkëjetesë, e njëkohësisht duhet të lejojë që të ndikohen identitete të tjera dhe të tjera identitete të kenë hapsirën e vet. Emigrantët e shumtë arritën kulmin në idenë e multikulturalizmit, që tashmë e kaloi kohën e vet dhe u zëvendësua me idenë e një integrimi të qetë e proaktiv. Ndërkohë që zgjerimi është drejtimi tjetër nga ku gjithë këto fleksibilitete të Bashkimit Europian zbulohen.

Bashkimi Europian është një projekt politik. Ai është realizuar nga politikanët që kanë mësuar nga përvoja dhe në shoqëri pak demokratike. Por sërish kjo hapsirë mbetet pionierja e njerëzimit në lëm të demokracisë. Dhe me arritje të shkëlqyera në zhvillim shoqëror, politik e ekonomik, shkencor e në lëm të mendimit filozofik e artistik. Të paktën krahasuar me gjithkënd tjetër. Me përjashtime padyshim, por gjithësesi më mirë.

Të gjitha këto tipare u arritën tek një bërthamë popujsh, pavarësisht skajeve që arrihen prej euforisë së këtij zhvillimi. Fqinjët verilindorë të Rusisë dhe gjithë damari sllav, shqyrtuar nga Hantingtoni, krijojnë një tërësi që tenton të jetë një qytetërim. Dhe ha inat. Nxitja shkon aq largë sa gjithë ukrainasve këtë fillim vere të 2017-ës u ofrohet liri lëvizje gjashtë mujore pa problem hiç, ku të duan e si të duan brenda Bashkimit Europian. Një liri lëvizjeje që do të thotë diçka në terma të tregut të punës apo një buzëqeshje kërcënuese për shikim e Putinit. Dhe ruajnë një marrëdhënie që shfaqet gjithnjë e më e pavarur e nervoze, megjithëse dashuria europiano-ruso në balet, ideologjizmë, estetikë, literaturë e lloj lloj bashkëpunimi shkencor e fitimprurës, në luftra e aleanca. Vetë gjyshi i ‘Ivanit të tmerrshëm’, kur kishte hequr qafen Kanin e madh mongol, që ishte një nip i vonë i Xhingisit edhe më të tmerrshëm, kish thënë se kish marrë stafetën e Perandorisë Romane prej Kostandinopojës bizantine, kurajo që vdiq në duart të osmanllinjve.

Por, përplasjet e vërteta në terma të zhvillimit të brendshëm prekin çështje të menaxhimit të mirëqenies që mund të prodhohet, nga njëra anë, dhe thellimi i pabarazive, duke arritur kështu motivimin e elementit më efikas në ndodhje të gjërave kundrejt masës së gjërë që gjithsesi e ka të miratuar vazhdimësinë e vet, nga ana tjetër. Megjithëse tematika e rritjes ekonomike është marrë për diskreditim prej shumë autorësh, që provojnë se rritja mund të mos jetë e nevojshme nëse sigurohet njëfarë rishpërndarje më të arsyeshme dhe të gjithë bëhemi më të përgjegjshëm, por në garë aludohet të jenë kinezët, indianët, afrikanët, myslimanët., Ndërkohë që Bashkimi Evropian thotë dhe tregon se është pikërisht ai që i është bërë fre e vrulleve të rënda të zhvillimit global që nuk e kanë për gjë të çakordojnë planetin nga dhimbja e ndërgjegjësimit për shpërdorimin e tmerrshëm të mundësive për jetë me kuptim paskësh pasur realiteti.

Një pjesë e europianëve në gatishmëri për aksion politik, thonë, se ç’na duhet  ne që dashkeni ju të ruani rritjen ekonomike, që gjithësesi nuk është se i shërben të gjithëve. Ajo që na duhet në të vërtetë është mirëqenie e qytetarëve, mundësitë e tyre për të shijuar atë për të cilën ata vetë dhe brezat e mëparshëm kanë kontribuar. Qetësinë e bukurinë e qyteteve, sigurinë, estetikën e vet.

Le Pen humbi, por prania e saj në raund të dytë mjafton. Në letërsi Hulebeku fiton vëmendje me skenarë islamizimi të universiteteve franceze dhe në vend të xhihadistëve virgjëreshat e parajsës i shpërndahen profesorëve të Universitetit të Sorbonës, për më tepër ai imagjinon një zgjerim arabo-afrikan të Bashkimit Evropian nën drejtimin e francezëve.  Ndërkohë ndër gjermanikë, polonezë, bullgarë, krahu më i pakët i rezistencës detyrohet të jetë më radikal.  Hungarezët e dashur dhe vëllezërit e tyre austriakë nuk nuk i tuten hiç djathtizmës edhe andej lartë ndër skandinavë e holandezë përmendet një qëndrim i ftohtë.

Gjithësesi, ajo që na intereson jemi ne. Identiteti ynë europian e përzjerja e tij me dimensionin e Bashkimit Europian.

Kadareja tek “Dantja i pashmangshëm” vazhdon atë diskurs të njohur të tij: qëndër ne shqiptarët qysh herët një vetdije e një rreth komunikimi qënkërkësh krijuar, kryesisht me fqinjët italianë, ca na lidhte krishtërimi, ca tregëtia e ca më shumë aleanca ndaj armikut të përbashkët. Osmanët mezi ndalën dhe kur ndalën ne ishim fshirë nga ai rrjet komunikimesh ku Dantja po lulëzonte. Kadare në vepër ndoshta egzalton domethënien e letërsisë për përzjerjen e përgjithshme identitare, por besimi i tij se një kujtesë kolektive fshehur nëpër gjithçka u ruajt, është një besim që është lehtë ta ndash. Autorët shkojnë aq tej në këtë besim sa ka që mendojnë se sulmi osman ishte aq i padëmshëm në këtë drejtim sa shyqyr që ndodhi se greku e serbi do na kishin shkrirë në ato furira të hershme të mijëvjecarit të kaluar, por Kadare e shtrin besimin e tij që në ato kohë. Dhe ky rrjet komunikimesh me italianët e mesjetës nga ku na vijnë edhe veprat e autorëve të parë shqiptarë, në latinishten e përbashkët me gjithë evropën tjetër, do na ruante nga serbi e greku më mirë se Osmani, qëpër më tepër vetë ishte një llahtar i madh që rrafshoi e përvetësoi për pesëqind vjet. Madje ndoshta nuk do kishte nevojë të na ruante hiç se ne ruhemi edhe vetë.

Gjithsesi, ky është një muhabet i parëndësishëm, meqenëse Osmani erdhi dhe ne u shkrimë me të. Për 500 vjet perandoria mori e dha. Dha fe dhe ligje e ekskluzivitete, lloj lloj konçesioni. Mori njerëz e liri esolli arkitekturë, gatime, fjalë, bestytni. Vuajtje e mundësi punësimi. Arbitraritet e liri për ambicje personale. Aheng. Por kaloi.

Në 45 vjet të Marksizmit me drapër e çekan ky kujtim identitar u fshi me furi. Dhe Kadaresë i bën përshtypje që ishte pikërisht në këtë kohë që Dantja mbërriti i plotë. Dhe këtu ne kthehemi në një tjetër çështje. Atë të identitetit si projekt e jo më si një ngjashmëri.

Në vazhdë të debateteve të mëhershme pyetja shtrohet, deri në ç’masë përafroi regjimi diktatorial identitetin shqiptar me thelboret përbashkuese të evropianëve? Kjo pyetje paraprihet me pyetjen se, në ç’masëduhet pranuar mbreti Zog si kontribues i rëndësishëm i krijimit të identitetit europian të vendit? E më tej na kthen në problematika të identitetit shqiptar të parapavarësisë, pavarësisë e më tej. E për më tepër duhen shqyrtuar edhe periudha si kjo e pas rënies së komunizmës që patën edhe marrëdhëniet më intensive?

Gjithësesi në secilin zhvillim ne ju afruam pa prerë Europës e identiteteve të saj. Prania e gruas në jetën shoqërore u rrit. Demokracia nuk ka kurrëfarë mospërputhje kulturore, pavarësisht problematikave që paraqet individi i skalitur në diktaturë e tranzicion. Në letërsi, muzikë, mendim, e orientim administrativ importet janë krejt Europiane. Besimi fetar ky përmbytës identitetesh nuk u desh fort prej komunistave, por gjithësesi ateizma e flamosur është më pranë Europës se tingujt e zvarritur të thirrjeve kuranore. Rritja e komunitetit mysliman dhe deri diku afrimi i tij me një qasje fundamentaliste promovuar prej një  kontributi financiar të pashëndetshëm duket se e kapërceu kulmin. Po kështu edhe rebelimi ndaj kolektives, qasja energjike e me ngjyrime gati kriminale e nevojës për vetrealizim, kanë gjasa të kenë një qetësim. Një Shqipëri më e madhe a më e vogël mund të kopjojë pa komplekse ‘Letrën e Bardhë’ të Komisionit të Bashkimit Evropian e të thojë se këto janë skenarët për Shqipërinë e Madhe.

Tematikat identitare mbesin të njëjtat. Një ngjashmëri si ajo mes njerëzish, brenda rracash e etnishë, burrash e grashë, të varfrish e të pasurish, besimtarësh të gjatë ose ateistësh të shkurtër, të djathtësh e të majtësh, me marrëdhënie të mira me njerëzit ose jo, drejtues automjeti, bashkëshortësh, pëlqyesish të mishit të pjekur në zjarr të ngadaltë prej bagtish të imta, etj.

Dhe një projekt, se sipas mësimeve të Platonit, realizimi i njeriut shkon nëpër një kthjellim të gabuar dhe pastaj në një realitet të shpellës së errët e pastaj në botë të ideve, e pasta një kthim pas me fjalë drite që pak ti besojnë po gjithsesi diçka mësojnë. E domosdo, meson edhe ti.

*Ekspert i çështjeve të integrimit