Simbol apo kusht? Roli i vlerave evropiane në procesin e integrimit

“We are not forming coalitions of states, we are uniting men” Jean Monnet

Autorësia: EU Policy Hub

Vlerat universale të njeriut luajnë një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian (BE) pasi tek ato është organizuar rendi shoqëror. Roli i vlerave është përkthyer në ligje dhe rregullore për të garantuar që çdo qytetar evropian të ndihet i barabartë para ligjit, të gëzojë të gjitha të drejtat dhe të ndihet i lirë të shprehë mëndimin e tij pas asnjë formë diskriminimi. Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave bëjnë të përbashkëtën e një qiprioti më një portugez apo një finaldezi më një italian.

Ky artikull synon të ekzaminojë vlerat e përbashkëta shqiptare me ato të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit dhe përkthimi i tyre në formën e kriterit politik, i cili duhet të përmbushet nga shteti shqiptar.

Roli i vlerave në Bashkimin Evropian

Bashkimi Evropian nisi si projekt i bazuar tek dëshira dhe vullneti i dy shteteve që prej shekujsh e shihnin njëri-tjetrin në luftë të vazhduar për të dominuar në kontinentin evropian. Aspekti ekonomik dhe hegjemonia ishte ndasia kryesore ndërmjet Francës, fituese e Luftës së Dytë botërore dhe Gjermanisë. Zhvillimi ekonomik dhe rimëkëmbja e dy shteteve kryesore mund të arrihej vetëm nëpërmjet garantimit të paqes së vazhdueshme. Ndaj, ideja e Robert Schuman[1] dhe Jean Monnet[2], ideatorëve dhe themeluesve kryesorë të projektit evropian, vuri në pah nevojën për të gjetur elementët e përbashkët të nevojshëm përtej aspektit ekonomik të zgjerimit të mëtejshmë të projektit evropian. Gjashtë vendet themeluese të  Komunitetit Evropian për Qymyrin dhe Çelikun, zanafilla e Bashkimit Evropian aktual, të vetëdijshme për trashëgiminë historiko-gjeografike, kulturore dhe morale të përbashkët por nga ana tjetër edhe për veçantitë e tyre vendosën në thelb të projektit vlerat e përbashkëta[3]. Vlerat, përtej simbolikës së rëndësishme në krijimin e identitetit janë thelbësore në trasformimin nga një simbol dhe entitet ekonomiko – politik në një sistem organizativ dhe rregullator ligjor të shoqërisë dhe komunitetit evropian. Me ratifikimin e Traktatit të Lisbonës dhe Kartës së të Drejtave Themelore, Bashkimi Evropian[4]  vendoset në rolin e aktorit kryesor ndërkombëtar në mbrojtjen, promovimin dhe edukimin për vlerat universale. Shtetet anëtare kanë përqafuar unionin duke gjetur të përbashkëtën tek mbrojtja e vlerave themelore si: respektimi i dinjitetit njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti, demokracia dhe shteti i së drejtës. Duke respektuar dhe mbrojtur këto vlera, Bashkimi Evropian vendos individin në zemër të veprimtarisë të tij. BE kontribuon në ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre vlerave të përbashkëta duke respektuar shumëllojshmërinë e kulturave dhe traditave të popujve të Evropës, si dhe identitetin kombëtar të Shteteve Anëtare[5].

Për të konfirmuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta, BE ka vendosur nën suazën e kriterit politik, që duhet të përmbushi çdo shtet që kërkon të bëhet anëtar i saj, vlerat thelbësore në formë kriteresh[6]. Shtetet kandidate që përpara se të bëhen pjesë integrale e BE duhet të kenë një demokraci funksionale me zgjedhje të lira e të ndershme, që respekton të drejtat e njeriut dhe funksionimin e shtetit ligjor. Këto kritere mund të duken të përgjithshme dhe relative për të vendosur nëse një shtet i i përmbush këto kritere, por BE nuk mund të cënojë vlerat e saj pa bindjen e plotë që vlerat e përbashkëta të përkthyera në kritere  respektohen brenda tij. Një shtet i korruptuar, ku shkelen të drejtat e njeriut, ku sundimi i ligjit cënohet nga interesa politike dhe të drejtat dhe liritë interpretohen nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Shqipëria dhe vlerat e përbashkëta me BE:

Shqipëria në udhëtimin e saj drejt familjes evropiane ka kaluar në disa etapa të rëndësishme që nga viti 1992 deri në mars të 2020 me miratimin e Këshillit Evropian[7] për fillimin e çeljes së negociatave.  Ky rrugëtim ka patur, që e ndajnë Shqipërinë nga vendet e tjera të BE-së.

Padyshim që pengesa kryesore është aspekti ekonomik. Një ekonomi e dobët dhe e brishtë më shumë se sa barrë dhe ngarkesë për BE do të ishtë një rrënim për vetë Shqipërinë duke mos e përballuar dot konkurrencën e lartë dhe rregullat strikte të vendosura nga Bashkimi Evropian. Këto rregulla janë strikte pasi garantojnë standarde dhe cilësi të shërbimeve dhe jetesës që Bashkimi Evropian ka vendour për qytetarët e tij. Këto standarde, kjo cilësi jetese duhet të jetë e përballueshme për qytetarët shqiptarë në mënyrë që të drejtat themelore të tyre sic është edhe e drejta për një jetë dinjitoze, vlerë e rëndësishme në  BE, të mos cënohet.

Vonesa në përmbushjen e kriterit  ekonomik nuk ka si mos të shkojë paralelisht me vonesën në përmbushjen e kriterit social. Shumë prej arsyeve gjejnë lidhje me të shkuarën jo të largët të periudhës komuniste dhe vitet e para të democracisë së brishtë. Shqipëria prej 30 vitesh tashmë, pas rrëzimit të sistemit komunist, ende vuan pasojat e një izolimi dhe varfërie të tejskajshme. Të gjitha deprivimet çuan drejt një intepretimi të vlerave demokratike dhe lirisë në mënyrë të gabuar, ku nën petkun e lirisë së munguar për rreth gjysëm shekulli, u tejkalua liria duke shkelur lirinë e tjetrit duke filluar nga zaptimi i pronës dhe duke cënuar të mirat e përbashkëta. Nëse në mesin e viteve ’90 Shqipëria njohu momentin më të keq të periudhës post- komuniste me shkatërrimin e shtetit dhe institucioneve që garantonin të paktën në fillim të democracisë hapat e parë drejt formimit të një shteti funksional ku drejtesia dhe liritë qëndronin në themel.

Pasojat e vitit ’97 kanë lënë gjurmë pasi në “shtet- formimin” pasardhës ka nevojë të rivendosen vlerat në shoqëri, të cilat reflekohen në sundimin e ligjit. Nuk mund të këtë demokraci dhe liri në mungesë të sundimit të ligjit dhe nuk mund të ketë sundim të ligjit pa institucione demokratike dhe të pavarura. Nëse për popullin shqiptar vlerat mbeten të njëjtat me ato të vendeve anëtare të BE, trasformimi i tyre në ligje dhe rregulla për t’u zbatuar ka munguar duke krijuar distancë nga shoqëritë e përparaura. Pandëshkueshmëria dhe abuzimi me pronat shtetërore, dështimi në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë viteve të tranzicionit ka kërkuar refoma të vazhdueshme për qeveritë shqiptare të cilat janë shprehur qartë në kërkesat dhe kushtet e vëna gjatë procesin e integrimit evropian.   

Reforma në drejtësi mbetet një nga elementet kyç të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE, i cili edhe pse mbetet një proces politik, nuk mund të zhvillohet pa garantimin e respektimin e te drejtave kryesore të qytetarëve.

Përtej vonesave të shkaktuara nga interasat politike, faktori gjeografik na bën pjesë të pandashme të familjes evropiane dhe populli shqiptar ndan dhe repekton të njëjtat vlera universale me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat pasqyrohen në parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Procesi i integrimit evropian ka ndihmuar dhe ndihmon që shteti shqiptar të fuqizohet jo vetëm ekonomikisht, por edhe të ndërtojë institucione të forta dhe të pavaruara, ku si në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian qytetari të gëzojë të drejtat që burojnë nga vlerat universale. Procesi i integrimit me kriteret dhe kushtet e vëna për t’u arritur nga shteti shqiptar synon të përcaktojë standarde dhe rregulla që garantojnë një cilësi më të mirë për çdo qytetar. Përmbushja e këtij kriteri politik, përcaktuar nga BE,  do të jetë një nga sfidat kryesore në 10-vjeçarin e ardhshëm për shtetin shqiptar.

Instrumenti i vlerave evropiane

Edhe pse vlerat janë gurë themeli kryesor për qytetarët e Bashkimit Evropian shpesh herë është vënë në pikëpyetje mekanizmi që siguron respektimin e vlerave. Rastet e fundit të Polonisë[8] dhe Hungarisë[9] ku Komisioni Evropian ka hetuar nëse ka mosrespektim të vlerave themelore dhe në rast vërtetimi  zbatimin e sanksioneve për këto vende.

Nisur nga rastet e mosrespektimit dhe shkeljes së vlerave themelore, BE po mendon t’i rikthehet vlerave në mënyrë më të qëllimshme duke ndërtuar një instrument, i cili do t’i mundësojë qytetarëve evropianë të promovojnë vlerat demokratike. Instrumenti i vlerave evropiane synon të nxisë rolin e qytetatëve evropianë dhe shoqërisë civile në forcimin e demokracive evropiane nëpërmjet “Fondit të vlerave të BE-së” brenda kornizës financiare 2021-2027[10].

Ursula von der Leyen në fjalimin e saj të parë[11] në Parlamentin Evropian si Kandidate për Presidente të Komisionit Evropian shprehu qartë qëllimin dhe drejtimin e saj për të mbrojtur vlerat themelore duke i mëshuar fort mekanizmave që bëjnë të mundur sundimin e ligjit duke u shprehur: – “Komisioni do të jetë gjithmonë një kujdestar i pavarur i Traktateve. Zonja Drejtësi është e verbër – ajo do të mbrojë Sundimin e Ligjit kudo që të sulmohet”.

Me vendimin e çeljes së negociatave[12] në kohën e krizës globale të shkaktuar nga pandemia globale e Covid- 19, u krye një hap i mëtejshëm dhe u vendos një garanci më shumë për shtetin shqiptar për të treguar, nëse ishte e nevojshme, se cila është rruga e duhur për të garantuar dhe respektuar vlerat themelore dhe të drejtat e njeriut. Një mori me kushte[13], (12) dhe kërkesa për zbatimin e reformave që kthejnë edhe një herë e më shumë vëmendjen te trasformimi i nevojshëm që duhet të shkaktojë procesi i integrimit evropian në shoqërinë shqiptare. Kushte, të cilat duken si kërkesa nga Bashkimi Evropian në të vërtetë  duhet të jenë kërkesat e popullit shqiptar ndaj politikës dhe politikanëve për të pasur institucione të pavaruara dhe demokratike për të garantuar sundimin e ligjit. Kushtet dhe kërkesat janë forma kryesore që Bashkimi Evropian kërkon që të arrihen stardardet për të pasur një shtet ku të drejtat e njeriut nuk mbrohen vetëm me ligj por respektohen dhe sigurohen nga institucionet e ligjit. Këto reforma nuk mund të kalojnë vetëm si dëshirë apo vullnet i politikës shqiptare por duhet të vijnë si kërkesë dhe nevojë e popullit shqiptar. Zbatimi i reformës në drejtësi, reforma zgjedhore, lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kthyer në refren në mjedisin politik shqiptar dhe duken sa afër po aq dhe larg nga respektimi në realitet i vlerave  si dinjiteti njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti si themele të parimeve të demokracisë dhe sundimit të ligjit që populli shqiptar mbart në vetvete.


[1]https://europa.eu/european-union/sites/europaeu/files/robert_schuman_en.pdf
[2]https://europa.eu/european-union/sites/europaeu/files/docs/body/jean_monnet_en.pdf
[3]  The Debate on European Values and the Case of Cultural Diversity http://aei.pitt.edu/6158/1/2004_edap01.pdf
[4]https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=CELEX:12016P/TXT&from=EN
[5]https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=CELEX:12016P/TXT&from=EN
[6]https://eur-lex.europa.eu/summary/glossary/accession_criteria_copenhague.html
[7]https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/countries/detailed-country-information/albania_en
[8]Në Shtator 2018, Parlamenti Evropian kërkoi që Këshilli Evropian të veprojë për të parandaluar autoritetet hungareze të shkelin vlerat themelore të BE-së. Eurodeputetët ishin kryesisht të shqetësuar për pavarësinë e sistemit gjyqësor, lirinë e shprehjes, korrupsionin, të drejtat e pakicave dhe situatën e migrantëve dhe refugjatëve. Në rastin e Polonisë, Komisioni Evropian kërkoi veprimin e BE-së në Dhjetor 2017 në funksion të kërcënimeve të perceptuara për pavarësinë e gjyqësorit. Në një rezolutë të miratuar në Mars 2018, Parlamenti Evropian ra dakord me Komisionin mbi rreziqet e sundimit të ligjit në Poloni.
ttps://www.europarl.europa.eu/news/en/press-room/20200109IPR69907/rule-of-law-in-poland-and-hungary-has-worsened
[9]https://www.iusinitinere.it/sanzioni-per-violazioni-gravi-e-persistenti-dei-valori-fondanti-dellue-il-caso-ungherese-13429
[10]https://www.euractiv.com/section/economy-jobs/opinion/making-the-most-of-the-european-values-instrument/
[11]https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/it/speech_19_4230
[12]https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-7002-2020-INIT/en/pdf
[13]https://europeanwesternbalkans.com/2020/04/08/albanias-homework-what-are-the-conditions-for-the-next-step-towards-the-eu