
Shqipëria
Zgjedhjet lokale të 2019 do të zhvillohen në 30 Qershor. Presidenti Ilir Meta dekretoi këtë datë për zgjedhjet e ardhshme pasi u konsultua dhe me liderët e tre grupeve më të mëdha parlamentare: Socialist, Demokrat dhe Lëvizjes për Integrim. Zgjedhjet e mëparshme lokale u zhvilluan në datë 21 Qershor, 2015. Amendamentet e Kodit Zgjedhor, të plotësuar edhe me rekomandimet nga OSBE/ODHIR do të aprovohen para zgjedhjeve të ardhshme lokale, pasi ato janë dhe një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave me BE.
Në 2019 për Shqipërinë pritet konsolidimi i progresit të reformës në drejtësi, në veçanti, avancimi me procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, forcimi i regjistrimit të hetimeve proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë këtu dhe zyrtarë të lartë; si dhe finalizimi brenda muajit shkurt i krijimit të organeve të specializuara, konkretisht Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NBI).
Samti i Londrës krijoi një hapësirë për takimin midis kryeministrit Grek dhe atij Shqiptar, Alexis Tsipras dhe Edi Rama. Të dy vendet kishin diskutuar që në fillim të 2018 çështjet bilaterale dhe përdorën Samitin e Londrës për të njoftuar firmosjen e një “dokumenti partneriteti strategjik” mes dy vendeve, Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo Marrëveshje për Partneritet Strategjik nuk është firmosur akoma. Pritet që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në momentin kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Vendet e Ballkanit Perëndimor
Majlinda Bregu (Shqipëri) është emëruar Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) duke filluar nga 1 Janari 2019, duke zëvendësuar Goran Svilanović (Serbia) i cili ishte në këtë post që nga 1 Janari 2013. Mbledhja vjetore e 10-të e RCC u mbajt në datë 23 Prill, 2018, duke miratuar propozimin për Majlinda Bregun si Sekretarin e ardhshëm të Përgjithshëm të RCC për periudhën 2019-2021 dhe Igor Lukšić për periudhën 2022-2024.
Procedura për përfundimin e ndryshimeve kushtetuese për emrin e Maqedonisë është e gjatë dhe kërkon disa raunde votimi në Parlamentin kombëtar. Raundi i parë u zhvillua në datë 19 Tetor, 2018, dhe procedura do të finalizohet maksimumi në Janar të 2019. Votimi i Parlamentit në 19 Tetor shërbeu si fillim i procesit të vendosjes së emrit të ri të vendit “Maqedonia Veriore”, i cili përbën një hap mjaft të rëndësishëm drejt përfundimit të bllokimit të gjatë Grek prej dy dekadash, dhe hapjen e dyerve drejt NATO-s dhe anëtarësimit në BE. Me 80 vota nga 120 të zgjedhur, Parlamenti kombëtar votoi në favor të vendosjes së emrit “Republika e Maqedonisë Veriore” – duke arritur dy të tretat e votave të kërkuara për të miratuar ndryshimet kushtetuese. Dy vendet arritën marrëveshjen për ndryshimin e emrit në Qershor të 2018, por ekzistojnë akoma pengesa përpara se ndryshimi të finalizohet. Në 30 Shtator, 2018 u mbajt një Referendum mbi këtë marrëveshje, por nuk arriti të kalojë pasi pragu i pjesëmarrjes prej 50% nuk ishte përmbushur duke ja lënë kështu Parlamentit të Shkupit për ta zgjidhur këtë çështje.
Bashkimi Evropian
Rumania do të marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga Austria duke filluar nga 1 Janari 2019, për të parën herë që nga anëtarësimi në BE në 2007. Rumania do të ketë një rol të veçantë në krijimin e mundësisë për diskutim për të ardhmen e Evropës post-Brexit dhe për të ardhmen e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Një datë kritike do të jetë Samiti në qytetin e Transilvanisë Sibiu në Maj të 2019, ku liderët e Bashkimit Evropian pritet të riafirmojnë angazhimin e tyre në këtë bashkim. Ndërsa nga korriku deri në dhjetor 2019, presidenca e BE-së do t’i kalojë Finlandës, e cila do të ketë fokus në këto prioritete: forcimi i të drejtave të njeriut dhe vendosja e sistemit të ligjit në Evropë; mbështetja e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave; hapja dhe përfshirja, si dhe një fokus i veçantë tek të rinjtë dhe parandalimi i radikalizmit.
Mbretëria e Bashkuar pritet të dali nga Bashkimi Evropian në 29 Mars, 2019. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendosi në 10 Dhjetor 2018, që MB mund të anulojë BREXIT pa aprovimin e 27 vendeve të tjera anëtare, dhe të mbetet anëtare e BE-së me të njëjtat kushte ekzistuese mjafton që për vendimin e marrë të jetë ndjekur një “proces demokratik”. Kjo hap një mundësi tjetër për një referendum, i cili është mbështetur nga disa Deputetë Britanikë, të cilët duan t’u jepet mundësia e fundit qytetarëve për të vendosur për fatin e MB, me opsionin për të qenë akoma pjesë e BE-së. Në 23 Qershor, 2016, MB mbajti një Referendum për të vendosur nëse duhet të largohet apo jo nga Bashkimi Evropian, ku me 51.9% të votave kundrejt 48.1%. fitoi opsioni i largimit nga BE. Pjesëmarrja në referendum ishte 71.8%, me mbi 30 milion votues.
Komisioni Evropian do të prezantojë në Prill 2019 Paketën vjetore të zgjerimit, një set dokumentesh që shpjegojnë politikat mbi zgjerimin e BE-së, duke përfshirë 7 raporte të vendeve të cilat vlerësojnë gjendjen në çdo vend kandidat dhe potencial kandidat, çfarë është arritur gjatë vitit të kaluar si dhe përcaktojnë udhëzimet për prioritetet e reformave. Axhenda aktuale e zgjerimit mbulon gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Bisedimet e anëtarësimit janë hapur me tre vende kandidate, përkatësisht Malin e Zi (2012), Serbinë (2014) dhe Turqinë (2005). Maqedonia është një vend kandidat që nga viti 2005 dhe Shqipëria mori statusin e kandidatit në vitin 2014. Bosnja dhe Hercegovina (paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE në shkurt 2016) dhe Kosova (në prill 2016 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit) janë kandidatë potencialë. Paketa e mëparshme e zgjerimit u aprovua në 17 prill 2018.
Zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian do të mbahen në 23-26 maj 2019. Gjithsej 751 deputetë të Parlamentit Evropian (MEP) aktualisht përfaqësojnë rreth 500 milionë njerëz nga 28 shtete anëtare. Në shkurt të vitit 2018, Parlamenti Evropian votoi për të ulur numrin e deputetëve nga 751 në 705, pasi Mbretëria e Bashkuar në planin aktual do tërhiqet nga Bashkimi Evropian. Presidenti aktual i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se nuk do të kërkojë një mandat të dytë si President. Partia Popullore Evropiane ka zgjedhur Manfred Weber, udhëheqës i grupit aktual të EPP në Parlamentin Evropian dhe anëtar i CSU, si kandidat kryesor për Presidentin e Komisionit Evropian. Frans Timmermans, Nënkryetari i Parë i Komisionit, dhe Ministri i Jashtëm holandez i Punëve të Jashtme, do të jetë Kandidati i Përbashkët i Partisë Socialiste Evropiane. Sesioni i fundit i Parlamentit Evropian që po largohet është më 18 prill 2019, ndërsa seanca plenare inauguruese e Parlamentit të ri do të jetë më 2 korrik 2019. Zgjedhjet e mëparshme për Parlamentin Evropian u mbajtën më 22-25 maj 2014 .
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i përbërë nga Ministra për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian, do të mbajë takimin e radhës në qershor të vitit 2019. Komisioni përfaqësohet nga Komisioneri për marrëdhëniet ndërinstitucionale, megjithëse kjo varet gjithashtu nga çështjet që diskutohen, Këshilli pritet të vendosë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pas shtyrjes së vendimit për progresin e arritur nga të dy vendet më 26 qershor 2018. Shtetet anëtare të BE ranë dakord më 26 qershor 2018, që të shtyjnë vendimin për fillimin zyrtar të bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë dhe Shqipërisë deri në qershor 2019, me kusht që të dy vendet e Ballkanit të përparonin në axhendën e reformave evropiane. Ministrat e BE ishin të përfshirë në një debat të ashpër mbi hapjen e negociatave, pasi Franca dhe Holanda, mbështetur edhe nga Danimarka, vazhduan të kundërshtonin dhënien e dritës jeshile për këto vende pasi kërkonin hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Samiti i gjashtë i Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Poznań të Polonisë në korrik 2019. Vitin e ardhshëm Polonia feston 15 vjetorin e anëtarësimit në BE dhe simbolikisht samiti do të organizohet në qytetin e Poznańit. Samiti zhvillohet në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit dhe synon të ruajë momentumin e procesit të anëtarësimit si dhe të rrisë vizibilitetin e rajonit në një periudhë zgjedhjesh evropiane dhe krijimin e Komisionit të ri Evropian, duke dërguar kështu një sinjal të fortë institucioneve të reja të BE-së. Për më tepër, kryesia e një vendi të Evropës Qendrore Lindore konsiderohet si një vlerë e shtuar për Ballkanin Perëndimor, pasi Polonia ka përjetuar më parë procesin e anëtarësimit në BE dhe Grupi i Vishegradit ilustron një model të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal. Risia e axhendës së samitit është fokusi në dimensionin kulturor dhe ndërlidhës midis vendeve të rajonit.