“Communicating Europe; A Perspective From Interest Groups on Negotiations” 2021

Duke ndjekur ecurinë e procesit të negociatave, e duke dëshmuar përgjigjet negative nga Këshilli i Evropës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duket se entuziazmi për procesin si dhe mbështetja e opinionit publik kanë rënë dukshëm. Rënia e optimizmit reflektohet tashmë dukshëm dhe në qëndrimet e qeverisë shqiptare, të theksuara dhe nga zhvillimet pas pandemisë së COVID-19.

E megjithatë, puna e bërë nga palët në kuadër të procesit të hapjes së negociatave nuk ka ndaluar, dhe zhvillime të rëndësishme janë bërë në fusha të ndryshme të ndërlidhura me objektivin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian. Gjithsesi, shpesh është vënë në pikëpyetje fakti nëse procesi është gjithëpërfshirës dhe efektiv, e nëse të gjithë aktorët po e japin ose jo kontributin e tyre.

Marrë shkas nga kjo, EU Policy Hub, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, zhvilloi përgjatë muajve korrik-nëntor një seri prej gjashtë workshop-esh, me synimin për të sjellë në tryeza diskutimi aktorë të shoqërisë civile, administratës, studentë dhe jo vetëm, për të diskutuar për gjashtë nga çështjet të cilat janë konsideruar si prioritare për t’u ndjekur në punën për hapjen e kapitujve të negociatave. Moderuar nga ekspertët më në zë të fushës, me anë të këtij projekti EU Policy Hub zhvilloi diskutime me mbi 80 përfqësues të shoqërisë civile, administratës, studentëve e akademikëve që evidentuan problematika të ndryshme në lidhje me procesin, të fokusuara në:

  1. Procesin e Integrimit Evropian dhe Sfidat në Nivel Lokal
  2. Rininë në Perspektiven e Integrimit në Bashkimin Evropian
  3. BE, Axhenda e Gjelbër dhe Shqipëria
  4. Rolin e Medias në Procesin e Integrimit Evropian
  5. Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së
  6. Mbrojtja Sociale dhe Punësimi në Procesin e Integrimit

Ndër çështjet kryesore të cilat u diskutuan në secilën tryezë ishin:

  • Prioritetet e qeverisë qëndrore dhe lokale
  • Kapacitetet implementuese të ligjeve dhe iniciativave
  • Nevojat e grupeve të interesit,
  • Problematikat në kapacitetet njerëzore
  • Fondet e dedikuara për fusha të ndryshme.

Pavarësisht elaborimit të bërë për secilën nga temat, shpesh dukej se pengesa më e madhe për gjthëpërfshirjen e aktorëve ishte mosvendosja e kontaktit në kuadër të dialogut të nevojitur në proces.

Kështu për secilën nga tematikat e diskutuara në tryeza, u identifikuan disa problematika kryesore:

  • Integrimi në kontekstin lokal: Mospërfshirja e Njësive të Integrimit Evropian në tryezat e diskutimit të organizuara nga instancat përgjegjëse në kuadër të procesit dhe mungesa e ingormimit nga lart poshtë, nevoja për rritjen e kapaciteteve të punonjësve të administratës dhe informimi/ trajnimi  i tyre në lidhje me institucionet përgjegjëse në procesin e lartpërmendur, përfshirja e ulët e banorëve në aktivitetet dedikuar procesit, mungesa e OJF-ve në zonat rurale dhe mosfunksionimi i Zyrave të Statistikave në Bashki.
  • Rinia dhe perspektiva evropiane: Ligji për Rininë dhe ai për Vullnetarizmin, kepërdorimi i imazhit të të rinjve përgjatë periudhave të fushatave elektorale, varësia e institucioneve të rinisë dhe strukturimi i këtyre të fundit, disbalancat mes Tiranës dhe qyteteve të tjera në investimet për rininë, barazia gjinore e gjithëpërfshirja si dhe numri i ulët i partneriteteve ndërkombëtare.
  • Politikat e gjelbra: puna e qeverisë e bazuar vetëm në principe e marrëveshje ndërkombëtare e jo në nevojat konkrete që paraqet vendi, përdorimi i burimeve aktuale të përftimit të energjisë dhe kosto mjedisore që ato kanë dhe insfrastruktura e qëndrueshme për ruajtjen e energjisë.
  • Media në procesin e integrimit: rënia në indeksin e fjalës së lirë, qarkullimi i ulët i informacionit për çështjet e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, nevoja për rritje të kapaciteteve të gazetarëve në njohuritë për BE dhe ndikimi në gazetarinë investigative, ndikimi i qeverisë në përmbajtjen e mediave dhe orientimi i saj si “biznes” dhe rënia e interesit të publikut për procesin e hapjes së negociatave.
  • Politika e jashtme dhe siguria në BE: nevoja për njehsimin e qëndrimeve të Shqipërisë me BE-në në një nivel më të lartë, aktualiteti politik i vendit dhe vullneti i politikanëve për të ndërmarrë reforma dhe iniciativa në kuadër të procesit, investimet e BE-së në rajon dhe nevoja për rritje të kapaciteteve në proceset e aplikimit për grante si dhe shkalla e suksesit të Procesit të Berlinit.
  • Mbrojtja sociale dhe punësimi: arsimi dhe tranzicioni në tregun e punës, investimet në arsimin profesional dhe nevoja e tregut për këto profesione, punësimi i ulët i të rinjve, mbrojtja sociale e fëmijëve dhe politikat për rritjen e popullësisë së re.

Projekti u promovua në rrjetet sociale të organizatës, duke u përpjekur të risjellë në vëmendje punën që duhet bërë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, për çdo workshop u përgatit një raport i cili evidenton problematikat kryesore në çdo fushë, nga perspektivat e ofruara nga profesionistet de target grupet të cilët kontribuuan me eksperiencat e tyre.

  • Fokusi në objektivin jetik dhe strategjik të Shqipërisë për investimin në rritje të punës së kryer në kuadër të procesit të negociatave u evidentua të jetë një ndër prioritetet kryesore të grupeve të ndryshme të interesit të përfshira në projekt.
  • Pjesëmarrja  dhe dialogu me aktorë të shoqërisë civile dhe administratën do të vazhdojë të jetë në fokusin e iniciativave të ardhshme që EU Policy Hub do të ndërmarrë, me qëllimin e promovimit të vlerave të Bashkimit Evropian si dhe nxitjen e pjesëmarrjes së profesionistëve të rinj në krijimin dhe përmirësimin e mekanizmave aktualë ekzistues të procesit.