‘Gara me pengesa’ e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

A është Shqipëria në grupin e vendeve me anëtarësim të ngadaltë dhe pse?

Sot, ‘gara’ për anëtarësim në BE është thelluar së tepërmi në varësi të ecurisë së çdo shteti, fakt i cili  reflektohet në shkallën dhe llojin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Të gjitha vendet e rajonit janë në etapa të ndryshme të integrimit evropian. Kroacia është i vetmi vend nga rajoni, i cili që nga korriku i vitit 2013 është shtet anëtar i BE-së.

Ndërkohë, Mali i Zi dhe Serbia janë në negociata për anëtarësim, Maqedonia dhe Shqipëria janë vende kandidate, kurse Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë akoma vende potencialisht kandidate. Madje edhe brenda një modaliteti, vendet e Ballkanit Perëndimor paraqesin shpejtësi të ndryshme të avancimit në përmbushjen e standardeve evropiane

Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me anëtarësim të ngadaltë, pasi progresi në përmbushjen e kushteve të BE-së ka qenë i vështirë dhe më i gjatë, në krahasim me shumicën e vendeve të tjera të rajonit, pavarësisht se Shqipëria nuk u përfshi në konfliktet e dhunshme të ishJugosllavisë dhe nuk ka mosmarrëveshje politike thelbësore, si në rastin e Maqedonisë për çështjen e emrit, mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga 5 shtete anëtare të BE-së apo kriza e thellë politike dhe institucionale e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Po ku qëndron realisht Shqipëria në garën e anëtarësimit për t’iu bashkuar BE-së krahasuar me vendet e tjera të rajonit, por edhe në kohë? Sa kohë i është dashur vendit për kapërcimin e etapave të ndryshme të procesit të integrimit, si dhe cili është niveli i përafrimit me standardet evropiane? Cilat janë shkaqet kryesore të cilat influencojnë në performancën e Shqipërisë dhe si mund të nxirren mësim për të përmirësuar procesin?

Në këtë dokument politikash, me autor Dr. Dorian Jano, vlerësohet ecuria e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si në aspektin e marrëdhënieve institucionale ashtu edhe në lidhje me shkallën e përmbushjes së standarteve evropiane. Nga analiza e këtij dokumenti politikash vërejmë se ecuria e Shqipërisë drejt anëtarësimit është jo vetëm e avashtë por edhe e çalë, kjo kryesisht për shkak të polarizimit politik dhe kapaciteteve të mangëta administrative.

Dokumenti i plotë mund të shkarkohet këtu në gjuhën shqipe dhe këtu në gjuhën angleze.