
Një shkrim nga Mirjan Topi
Qeveria shqiptare ka në plan të ndërtojë një aeroport ndërkombëtar brenda kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë (Peizazhi i Mbrojtur / kategoria V sipas IUCN[1]).
Në datë 24 janar 2018, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, kaloi me procedurë të përshpejtuar projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction’, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”[2]. Ky projektligj u paraqit për shqyrtim dhe miratim në datë 29 janar 2018 në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin[3]. Më tej në datë 30 janar 2018, projektligji u shqyrtua edhe në Komisionin Parlamentar, Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat[4].
Pas shqyrtimeve në komisionet përkatëse, ligji u miratua nga parlamenti duke i hapur rrugë negociatave midis qeverisë shqiptare dhe kompanive të përmendura më lart. Negociimi i ofertës për një investim krejtësisht privat prej afro 100 milionë euro me kompanitë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, nuk u arrit dhe kësisoj kontrata nuk u nënshkrua nga palët. Pas kësaj, qeveria shqiptare hapi tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke lënë afat deri në datë 12 mars të vitit 2020 për pranimin e ofertave, afat i cili u shty më tej deri në datë 30 mars 2020[5]. Që prej asaj kohe, asnjë informacion zyrtar nuk është publikuar në lidhje me ecurinë e këtij projekti nga institucionet përkatëse.

Plani i paralajmëruar është të ndërtohet në këtë zonë aeroporti më i madh i Shqipërisë, me të paktën dyfishin e madhësisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”. Aeroporti planifikohet të jetë gjithashtu ndërkombëtar dhe të përfshijë edhe shërbimin e ngarkesave dhe një sektor të rëndësishëm për mirëmbajtjen e aeroplanëve[6].
Vjosë-Narta është një prej komplekseve ligatinor më të rëndësishëm, jo vetëm në rang vendi, por edhe në nivel ndërkombëtar. Në këtë zonë është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egra.

Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë, ku 8 lloje mbajnë statusin e Rrezikimit Kritik (CR), 9 specie klasifikohen si të rrezikuara (EN), 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar (VU) si dhe 3 lloje mbartin statusin e Rrezikut të Ulët (LR). Në vazhdim, 123 lloje janë të listuar në shtojcën II të “Konventës së Bernës”të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Në Shtojcën II të kësaj Konvente, listohen të gjitha llojet e kafshëve për të cilat kërkohet mbrojtje e veçantë[7]. Më tej, 43 lloje listohen në Shtojcën I të Rrjetit të Zonave me Interes të Veçantë Ruajtjeje (Emerald Network). Në këtë shtojcë listohen të gjitha llojet që kërkojnë marrjen e masave të veçanta për mbrojtjen e habitatit të tyre[8]. Në vijim, 7 lloje janë të listuar në Shtojcën I të Konventës për Llojet Shtegtare (CMS), ku listohen llojet shtegtare popullatat e të cilave vlerësohen të jenë në rrezik zhdukje në një pjesë apo në të gjithë hapësirën e shpërndarjes së tyre[9]. Po në kuadër të kësaj konvente, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen për Ruajtjen e Shpendëve të Ujit të Afrikës dhe Euro Azisë (AEWA), e cila vepron për 92 prej llojeve të gjendura në Vjosë-Nartë, duke kushtëzuar vendin të mbajë apo krijojë kushte të mira habitati për këto lloje[10]. Për sa i përket gjendjes së popullatës së llojeve në Bashkimin Evropian, 23 lloje janë me interes të veçantë ruajtjeje, pasi popullatat e tyre kanë hyrë në njërin prej kufijve të rrezikut sipas Bashkësisë Ndërkombëtare të Ruajtjes së Natyrës (IUCN)[11]. E fundit, por për nga rëndësia, në nivel ndërkombëtar, 62 lloje janë të listuar në Shtojcën I të Direktivës Evropiane të Shpendëve, që detyron vendet anëtare dhe ato vende që kanë nënshkruar Marrëveshjen e StabilizimAsociimit me Bashkimin Evropian, të shpallin Zona të Posaçme Mbrojtje (SPA) për këto lloje[12].
Të dhënat e sipërpërmendura, e bëjnë këtë zonë, së bashku me Divjakë-Karavastanë dhe Kriporen e Ulqinit në Malin e Zi, një prej ligatinave më të rëndësishme në Korridorin e Shtegtimit të Adriatikut, ku qindra -mijëra shpendë ndalojnë rregullisht çdo vit gjatë shtegtimit, nga vendet e folezimit drejt atyre të dimërimit në vjeshtë dhe anasjelltas në pranverë. Kjo zonë është më e rëndësishmja në Shqipëri për folezimin e disa prej llojeve të rendit Charadriiformes me nivel të tillë popullatash folezuese që kalojnë shifrën e 1%[13] të popullatës tërësore të një zone gjeografike. I tillë është për shembull i sqepbizës (Recurvirostra avosetta), popullata folezuese e së cilit në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, e tejkalon nivelin e 1% të popullatës së përbashkët të Evropës Juglindore, Detit të Zi dhe Turqisë, në të cilën bën pjesë. Në të njëjtën kohë, në këtë zonë haset rregullisht mbi 1% të popullatës Mesdhetare dhe asaj të Detit të Zi për lloje të tjera, sikurse është rasti i pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus), rasti i flamingos (Phoenicopterus roseus), etj[14].
Në bazë të informacionit të publikuar deri më tani, as Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) dhe as Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në këtë zonë, nuk është realizuar. Kjo është tepër serioze, sepse aeroporti i planifikuar të ndërtohet, ndodhet në qendër të zonës së “Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë”. Krahas kësaj, kjo zonë është pjesë e pothuajse të gjitha “Rrjeteve Ekologjike Ndërkombëtare” që një sipërfaqe natyrore në Shqipëri mund të jetë.

Kësisoj, zona është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët” e quajtur “Laguna e Nartës me numër dallimi “AL005”, pasi plotëson kriteret A1, A4i, A4iii, B1i[15]. Në vijim, Vjosë-Narta është njohur si Zonë Kryesore për Biodiversitetin në rang global e quajtur “Vjosë – Nartë (Vjosë-Pishë Poro-Laguna e Nartës)” me numër dallimi ALB24[16]. Zona me shumë gjasë përmbush edhe kriteret për t’u klasifikuar si “Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare” sipas “Konventës të Ligatinave me Rëndësi Ndërkombëtare” apo sikurse njihet ndryshe “Konventa e Ramsarit” që Shqipëria ka ratifikuar. Një proces vlerësimi ka nisur për këtë nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)[17]. Dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, kjo zonë është nominuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare pranë “Konventës për Ruajtjen e Florës dhe Faunës së Egër dhe Mjedisit Natyror të Evropës”, si zonë që përmbush kriteret për të marrë statusin e zonës Emerald, nën emërtimin “Peizazhi i mbrojtur i kompleksit ligatinor Vjosë – Nartë” me numër dallimi AL0000008 dhe sipërfaqe: 19.412,00 hektarë[18].
Pikërisht tek Rrjeti Emerald, qëndron edhe lidhja më drejtpërdrejtë e kësaj zone me rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian. Rrjeti Emerald, përfaqëson një rrjet ekologjik i përbërë nga Zona me Interes të Veçantë Ruajtjeje (ASCI), zbatimi i të cilit u kërkua nga Këshilli i Evropës, në funksion të punës së këtij të fundit në kuadër të Konventës së Bernës, me miratimin e Rekomandimit No. 16 (1989), të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës. Ngritja e Rrjetit Emerald në nivel kombëtar, konsiderohet si një prej mjeteve kryesore nëpërmjet të cilit shtetet që kanë ratifikuar konventën, përmbushin detyrimet që burojnë prej saj[19].
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, ka organizuar rrjetin “Natura 2000” për të përmbushur detyrimet që burojnë nga Konventa e Bernës. “Natura 2000” është një rrjet i zonave thelbësore të riprodhimit dhe qëndrimit të llojeve të rralla dhe të kërcënuara si dhe disa habitateve të rrallë natyrorë të cilat mbrohen. Ky rrjet shtrihet në të 27 vendet e Evropës së Bashkuar dhe ka për qëllim, të sigurojë mbijetesën e llojeve dhe habitateve më të rëndësishëm dhe më të kërcënuar[20].
Rrjeti i zonave “Natura 2000”, organizohet nëpërmjet zbatimit të dy Direktivave Evropiane dhe pikërisht Direktivës së Shpendëve dhe Direktivës së Habitateve. Këto dy direktiva, përbëjnë edhe kuadrin ligjor kryesor të Bashkimit Evropian për ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që vendi ynë ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, është i detyruar, krahas të tjerash, të njehsojë dhe zbatojë edhe këtë kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës. Përsa i përket njehsimit të legjislacionit për ruajtjen e natyrës, në dokumentin e Politikave Strategjike për Ruajtjen e Biodiversitetit, raportohet se vendi ynë ka bërë një progres i vlerësuar në masën 85%. Më tej, në janar 2017, u miratua nga parlamenti edhe ligji ri i Zonave të Mbrojtura nr. 81/2017, i cili përfaqëson njehsimin në masë të gjerë të legjislacionit kombëtar për ruajtjen e biodiversitetit, me atë të BE-së. Në këtë ligj i kushtohet një seksion i veçantë (përkatësisht seksioni V), zonave të mbrojtura me interes ndërkombëtar dhe në veçanti zonave “Natura 2000”.
Nga sa më sipër del qartazi, që çështjet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në sektorin e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit, tashmë janë bërë pjesë e kuadrit ligjor kombëtar.
Në këtë logjikë, ruajtja e Rrjetit të Zonave Emerald është kërkesë e legjislacionit vendas, por përbën edhe kusht në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në momentin, kur Shqipëria do t’i bashkohet unionit, Rrjeti Emerald i vendit do të kalojë një proces të dytë vlerësimi dhe do t’i bashkohet rrjetit të Zonave “Natura 2000”.
Ndërtimi i një aeroporti ndërkombëtar i përmasave të tilla, të përshkruara në Master Planin e prezantuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që do të shoqërohet edhe me ndërtimin e infrastrukturës shtesë duke përfshirë hotele dhe resorte, zona rezidenciale dhe hapësira sportive, do të tjetërsojë një sipërfaqe të konsiderueshme brenda zonës së mbrojtur dhe pashmangshmërisht, do të shkatërrojë një sërë habitatesh natyrore[21]. Në këtë mënyrë kërcënohet në tërësi integriteti ekologjik, jo vetëm i Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, por i gjithë ekosistemit ligatinor Shkumbin-Seman-Vjosë, deri në veri të qytetit të Vlorës (ku ndodhet edhe kufiri më jugor).
Investimi në fjalë, bie në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, sikurse është venë në dukje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë (faqe 106, paragrafi 2)[22].
Kësisoj, për sa i përket procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ky investim bie ndesh me legjislacionin e BE-së për ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit dhe specifikisht me Direktivat Evropiane të Shpendëve dhe Habitateve.
Një pjesë e mirë e vendeve të Bashkimit Evropian, kanë qenë pre e masave ndëshkuese, si pasojë e shkeljes së këtyre direktivave. Një ndër rastet më të afërt me vendin tonë, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë të problematikës, është rasti i Bullgarisë. Qeveria Bullgare kishte miratuar ndërtimin e infrastrukturës për zhvillimin e sporteve dimërore në Zonën e Mbrojtur të Malit Pirin, përpara se të realizonte një vlerësim rigoroz të ndikimit të këtij projekti në llojet dhe habitatet me interes të lartë ruajtjeje për Bashkimin Evropian [23]. Për këtë arsye, Komisioni Evropian, në vitin 2009, i dërgoi katër paralajmërime Bullgarisë për shkelje të Direktivave Evropiane të Shpendëve dhe Habitateve, në kuadër të këtij projekti dhe projekteve të tjera të ngjashme.
Në kuadër të procesit të integrimit, pasojat e këtyre veprimeve për Shqipërinë, mund të jenë edhe më të ndjeshme pasi, shkelja e legjislacionit të BE-së për Ruajtjen e Natyrës, në këtë rast, përbën edhe shkelje të MSA-së dhe mund të sjellë kosto domethënëse në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Qeveritë shqiptare duhet të tregojnë kujdes të veçantë në të gjithë sektorin e investimeve strategjike, në mënyrë që këto të fundit, të jenë në pajtim të plotë jo vetëm me kuadrin ligjor vendas, por edhe me detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, në mënyrë që të mos pengohet apo vonohet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
[1] Bashkësia Ndëkombëtare për Ruajtjen e Natyrës
[2]https://www.infrastruktura.gov.al/procedure-te-pershpejtuar-per-projektin-e-aeroportit-te-vlores/
[3]https://www.infrastruktura.gov.al/aeroporti-i-vlores-projektligji-per-hapjen-e-bisedimeve-paraqitet-ne-kuvend/
[4] https://www.parlament.al/Home/RendDite/2265
[5] https://www.infrastruktura.gov.al/njoftim-per-projektimin-ndertimin-operimin-mirembajtjen-dhe-transferimin-e-aeroportit-nderkombetar-te-vlores-via/
[6] https://www.dailymotion.com/video/x7mno2k
[7] https://rm.coe.int/168078e2ff
[8] https://rm.coe.int/168074669d
[9] https://www.cms.int/en/species/appendix-i-ii-cms
[10] https://www.unep-aewa.org/en/species
[11] https://ec.europa.eu/environment/nature/conservation/species/redlist/birds/status.htm
[12] https://ec.europa.eu/environment/nature/legislation/birdsdirective/index_en.htm#:~:text=In%20a%20nutshell,occurring%20in%20the%20European%20Union.
[13] Pragu pre 1% i popullatës së një lloji përdoret si kriter për njohjen e zonave nga rrjete të ndryshme ekologjike ndërkombëtare sikurse është rasti i “Njohjes së Ligatinave me Rëndësi Ndërkombëtare”, “Zonave Kryesore Globale për Biodiversitetit” etj.
[14] Topi, Mirjan., Vorpsi, Zydjon., Selgjekaj, Ledi., Lama, Olsion. (2020) Survey for Breeding and Migrating avifauna in Vjosë-Nartë Key Biodiversity Area in Albania. Technical report under the CEPF funded project “Land of Eagles and Castles: Integrated Participatory Management for Albanian Coastal Biodiversity” (Grant 108570).
[15] http://datazone.birdlife.org/site/results?cty=2&fam=0&gen=0
[16] http://www.keybiodiversityareas.org/kba-data
[17] www.ppnea.org
[18] https://rm.coe.int/updated-list-of-officially-nominated-candidate-emerald-sites-december-/168098ef50
[19] https://www.coe.int/en/web/bern-convention/emerald-network
[20] https://ec.europa.eu/environment/nature/natura2000/index_en.htm
[21] https://www.infrastruktura.gov.al/ëp-content/uploads/2019/12/AL-MASTERPLAN.pdf
[22] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/albania_report_2020.pdf
[23] https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/IP_09_1484