
Forumi i Politikave të Integrimit (EU Policy HUB – EUPH) me rastin e Samitit të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet javën e ardhshme, organizoi sot, 6 korrik 2018, në Shtëpinë e Evropës në Tiranë forumin e debatit “Procesi i Berlinit: ‘Samiti i Londrës 2018’”.
Forumi ishte pjesë e një seri aktivitetesh të organizuara në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të iniciuara nga SEE Think Net, një rrjet i organizatave të shoqërisë civile nga rajoni ku është pjesë edhe EUPH.
Tryeza u moderua nga Dorian Jano, Drejtor Ekzekutiv i EUPH. Aktiviteti u hap nga Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Britanike në Shqipëri, Z. Sean Melbourne, i cili paraqiti axhendën e Samitit të Londrës, duke theksuar tre temat kryesore – sigurinë, ekonominë dhe marrëdhëniet rajonale. Z. Melbourne gjithashtu theksoi rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në forume të tilla, si dhe angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm dhe interesin e Britanisë për të gjithë rajonin. Znj. Majlinda Bregu, ish-Ministër i Integrimit Evropian dhe Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, diskutuan mbi rëndësinë e përfshirjes së parlamentarëve në Procesin e Berlinit, përveç qeverive dhe shoqërive civile. Për Znj. Bregu, temat që do të diskutohen në Samitin e Londrës janë shumë në përputhje edhe me prioritetet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Znj. Bregu, përveç rëndësisë së këtyre forumeve, vuri në dukje nevojën për të mos ‘Folur vetëm për të Folur’ por edhe ‘Për të zbatuar ato që kemi Premtuar’. Z. Sokol Dedja, Drejtor i Departamentit të Bashkimit Evropian në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpjegoi komplementaritetin që Procesi i Berlinit ka në axhendën e zgjerimit të BE. Ai gjithashtu paraqiti disa praktika të mira dhe rezultate konkrete që janë arritur përmes Procesit të Berlinit.
Më pas, Zoran Nechev, koordinatori i SEE Think Net dhe studiues i lartë pranë Institute for Democracy ‘Societas Civilis’, shpjegoi idenë dhe rolin e SEE Think Net për të vëzhguar nga afër Procesin e Berlinit dhe fushat e politikave që përfshin procesi. Si rrjet, që përfshin institutet studimore, organizatat e shoqërisë civile dhe individë nga rajoni, duke përfshirë Kroacinë dhe Slloveninë, SEE Think Net ka arritur të sigurojë kontribute të rëndësishme dhe rekomandimet për politikat mbi temat që rrjedhin nga Procesi i Berlinit. Ai gjithashtu theksoi aspektet pozitive të Procesit të Berlinit duke përfshirë çështjet që trajtohen, kontributet pozitive dhe atmosferën që ka krijuar, dhe socializimin e drejtuesve të rajonit. Znj. Jovana Marović, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit Politikon nga Mali i Zi, paraqiti argumentet kryesore të analizës të përgatitur nga anëtarët e rrjetit që do të diskutohet në Samitin e Londrës, duke theksuar arsyet pse ‘Sundimi i Ligjit’ duhet të jetë një temë e rëndësishme për t’u përfshirë në agjendën e Procesit të Berlinit.
Pastaj panelistët zhvilluan një debat me pjesëmarrësit që ishin përfaqësues nga akademia, shoqëria civile dhe nga institucionet publike dhe misionet diplomatike në Shqipëri, në lidhje me të ardhmen e Procesit të Berlinit dhe perspektivën e integrimit evropian të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë aktivitet, publiku shqiptar pati mundësinë të mësonte rreth dokumentit të katërt të politikave i titulluar ‘Ballkani Perëndimor dhe sundimi i ligjit: Si ta zgjidhim një kap-22?’ i shkruar nga Jovana Marović nga Politikon Network të cilin mund ta konsultoni këtu.