Rëndësia e Reformës në Drejtësi në Negociatat me BE-në – një takim me Znj. Fjoralba Caka, Zv. Ministre e Drejtësisë

Më datë 27 Maj 2020, EU Policy Hub zhvilloi webinarin e dytë në ciklin e bisedave që po organizon për të komunikuar me publikun dhe ekspertët rreth tematikave për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në kuadër të projektit të mbështetur prej Friedriesh Ebert Stiftung, Tirana. 

Zonja Caka, e cila është gjithashtu një eksperte e integrimit evropian, bëri një përmbledhje të shkurtër të natyrës së kushtëzimeve me të cilat ballafaqohet një vend kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Ajo u ndal në përshkrimin e kritereve politike, atyre ekonomike e të përafrimit të legjislacionit duke dhënë një ekspoze të zhvillimit të tyre si dhe vendosjen e tyre në kontekst të zhvillimeve në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.

Ajo tregoi se si kanë qenë zhvillimet e fundit në BE që kanë zgjeruar kriteret politikë për të mbërritur në fund të procesin e negociatave, duke bërë që në to të përfshihen edhe zhvillimet në sistemin gjyqësor, çështjet e sigurisë, elementët e stabilitetit politik, çështje të demokracisë përfaqësuese, respektimit të të drejtëve të njeriut, depolitizimi i administratës publike,  luftën ndaj korrupsionit, rregullimet e marrëdhënieve biletarale, etj. Ndërkohë, që me metodologjinë e zgjerimit është theksuar se kriteri politik do të monitorohet jo vetëm nga komisioni por edhe shtetet anëtare të BE-së.

Zonja Caka bëri edhe një ekspoze të procesit të negociatave që Shqipëria do të hapë në takimin e parë ndërqeveritar, i parashikuar të zhvillohet në tetor e këtij viti. Ajo foli për strukturën negociatore duke bërë një përshkrim të gjithë ‘konstelacionit’ institucional shqiptar në këto negociata. Pasi bëri një përshkrim të krahasuar të modeleve të krijimit të mekanizmave negociuese prej vendeve të ndryshme të rajonit, ajo u ndal në sfidat profesionale e në burime njerëzore e ekonomike që paraqesin negociatat dhe nevojën për një mirëkuptim e bashkëpunim më të mirë mes forcave politike e institucioneve brenda vendit.

Gjithashtu, zonja Caka tregoi se Ministria e Drejtësisë ka marrë në shqyrtim 123 aktet që do të jenë të nevojshme të adresohen në kuadër të kapitullit 23.

Më tej, në përgjigje të pyetjeve e reagimeve prej pjesëmarrësve në takim, znj. Caka u ndal në rolin e parashikuar për shoqërinë civile në kuadër të procesit të integrimit. Pjesëmarrësit, në mënyrë të përsëritur ngritën nevojën për një qasje institucionale që krijon më shumë hapësira për shoqërinë civile dhe ekspertizën e pavarur në procesin e negocimit.

Znj Caka pasi njohu kontributet e deritanishme të shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur në punën për përafrimin e legjislacionit, pranoi se më shumë është e nevojshme të bëhet në këtë drejtim.

Në një tjetër pyetje nga pjesëmarrësit u kërkuar përgjigje mbi mundësitë që të rishikohet struktura negociatore, duke pasur parasysh se ajo është ngritur sipas një modeli që nuk ka pasur mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile ndërmjet të cilave edhe EU Policy HUB. Znj. Caka tregoi se ndryshimi i formulës nga një strukturë e centralizuar me një forum diskutimesh nuk do të jetë fort e lehtë, por sipas saj nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve, megjithëse do të duhet që ndryshimet të diskutohen me BE.

Pyetje të tjera me interes kishin të bënin me pozicionin që ka Ministria e Drejtësisë në lidhje me kërkesën e Ministrisë së Brendshme për ti dhënë policit të rendit atribute të policisë gjyqësore në lidhje me përgjimet, për të cilin znj. Caka tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë pjesë e kësaj nisme për amendimet dhe se Ministria do të shprehë një qëndrim kur të shqyrtojë propozimet në kuadër të detyrave të veta. Një tjetër pyetje nga pjesëmarrësit interesohej mbi qasjen e parashikuar për të bërë ë zbatueshëm legjislacionin e përafruar, për të cilën përgjigja ishte se Ministria e Drejtësisë pret të ketë një ide më të qartë në këtë drejtim pas bashkëveprimit me institucionet që do të jenë përgjegjëse zbatimin, ndërkohë që janë menduar praktika apo strategji për të monitoruar në vazhdimësi zbatimin e legjislacionit të përafruar.

Të tjera diskutime me interes gjatë takimit, patën në qendër zhvillimin e reformës në drejtësi dhe motivimin financiar të ekspertëve të angazhuar gjatë fazës së negociatave, etj.

Projekti “Komunikimi i procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në”, ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e qytetarëve, studiuesve dhe institucioneve në procesin e negocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.