
Në takimin e katërt të serisë së bisedave në Zoom, që Forumi i politikave Europiane (EU Policy Hub) po zhvillon me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung, zyra e Tiranës, në kuadër të projektit “Komunikimi i negociatave të Shqipërisë me BE-në ” i ftuar ishte z. Alban Zusi, President i Shoqatës “Industrialistët Ushqimorë”.
Zusi e nisi këtë takim duke ndarë me ne reflektimin e tij mbi vështirësitë e pritshme në rrugëtimin që Shqipëria ka marrë drejt familjes së madhe Evropiane.
Duke u përqendruar në tematikat që lidhen me biznesin, në përgjithësi, e me industrinë ushqimore në veçanti në Shqipëri, ai tha se ka shumë pak ndërgjegjësim se çfarë është integrimi në BE, çfarë përfaqëson ai si proces. Kjo mungesë ndërgjegjësimi është e pranishme edhe tek nga ana e biznesit edhe nga ana e institucioneve publike.

Në vazhdë të bisedës, z. Zusi ndau me ne disa eksperienca nga puna e tij disa vjeçare, ndër të cilat me interes ishte rrëfimi i tij. ‘Në vitin 2005 unë kam qenë pjesë e tryezave të negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit dhe disa ndër kërkesat e diskutuara kishin rrezikun të ushtronin një ndikim që e rrënonte industrinë e përpunimit të açukeve, e cila ishte një nga shtyllat e punësimit në sektor, me më shumë se 4000 të punësuar. E përmenda këtë si rast sepse të bërit të negociatave pa përfshirë palët e interesit, mund të rezultonte fatale për këto vende pune. Negociatorët e BE-së janë shume të përgatitur dhe ne duhet të arrijmë nivelin e tyre me qellim që të jemi të barabartë në tavolinat negociuese,” – tha ai.
Më tej ai tërhoqi vëmendjen tek nevoja që bizneset të mbështeten në rrugën e tyre drejt standardizimit para së të hyjmë në BE, duke theksuar se nëse ky proces bëhet me vonë atëherë rrezikon që shumë biznese të mos i mbijetojnë procesit. Për këtë qëllim presidenti i shoqatës së industrialistëve ushqimorë propozon që “shteti të lehtësojë krijimin e think tankeve, të Organizatave të Shoqërisë Civile me qëllim që ato të jenë një nga palët negociuese që do të ulen në tavolina të atilla për të mbrojtur interesat e sektorëve të ndryshme.”
Për zotin Zusi, rritja e kapaciteteve të punonjësve, kryesisht të administratës së bizneseve, është një domosdoshmëri mbi të cilën duhet të punojnë të gjithë, përfshirë këtu biznesin, shtetin dhe shoqërinë civile. Ky proces do të ndihmonte të gjitha bizneset që të jenë konkurruese në tregun evropian në terma të standardeve.

‘Një nga problematikat më të mëdha që ne kemi është mos pasja e eksperteve për standardet në fusha të ndryshme. Nuk mund të kemi ekspertë të cilët të mbulojnë disa sektorë njëkohësisht. Qeveria nuk mund të marrë përsipër të bëjë çdo rol në negociata, ajo duhet që të bashkëpunojë ngushtë me shoqërinë civile, bizneset dhe grupet e ndryshme të interesit.
“Inspektorët dhe ekspertët duhet të trajnohen sa më shumë. Por ne nuk mund të hyjmë në procesin e integrimit vetëm me sektorin e inspektimit. Ne duhet gjithashtu qe të ecim përpara me sektorin e mbështetjes, sepse nëse ne arrijmë që të forcojmë sektorin privat atëherë të gjithë përfitojnë. Përfiton komuniteti, shteti në terma taksash, madje dhe vetë inspektorët sepse duke u rritur standardet atëherë dhe ata rriten. Është e pashmangshme që inspektorët e fushave të ndryshme të rriten bashkë me kategorinë e bizneseve që ata inspektojnë. Unë besoj se ne duhet të nxisim ata të cilët mund të përfitojnë në mënyre të drejtpërdrejte nga ky proces dhe përfituesit me të mëdhenj janë ata të cilët i përkasin biznesit dhe jo sferës publikes pasi ata kane interes dhe shtysë për të rritur standardet,” – tha ai.
Takimi që pati një ndjekje të kënaqshme dhe ngjalli mjaft interes tek pjesmarrësit vazhdoi me komente e pyetje për tematika të ndryshme.
Kështu, gjatë diskutimit në lidhje me monedhën vendase që ne përdorim, ai u shpreh se: Nëse flasim në terma të vlerës së Lekut, mendoj se është një mundësi që në duhet të dimë ta përdorim. Nëse kemi një fuqizim të Lekut vendas përballë një monedhe të huaj siç është Euro, kjo dëmton ekonominë tonë në terma afatgjatë. Në dy vitet e fundit bizneset shqiptare, kryesisht eksportuese, kanë pësuar një humbje me rreth 15%. Një dem i dytë që i ndodhi ekonomisë shqiptare në terma të importit ka të beje me zhvlerësimet e produkteve vendase. Me uljen e çmimit për produktet vendase nuk kemi një ulje kostosh në prodhim por vetëm një zhvlerësim të produktit. Pra të pasurit të një monedhë të ndryshme nga ajo e unionit është një mundësi e mire nëse ne do ta përdornim por në krahun e kundër dhe jo siç ndodhi në dy vitet e fundit në të cilin Euro humbi kundrejt Lekut. Kjo gjë do të bënte eksportet tona me konkurruese dhe do të mbronte produktet vendase.”

Ai gjithashtu u përgjigj në lidhje me pyetje për mbështetjen që qeveria shqiptare po jep, ku tha se është shumë e lehtë të marrësh deklarata, nga ana e qeverisë shqiptare apo ministrive të ndryshme por për të ka rendësi që bizneset të mbështeten dhe mekanizmi me i rëndësishme që duhet krijuar është ai i konsultimit publik dhe i politik bërjes. “Ne kemi aktualisht një mekanizëm të politik bërjes shume inefektiv. Sot politikat ekonomike në nivel kombëtar behën nga 1 ose 2 ekspertë të cilët paraqesin kryesisht drafte dhe ai draft kalon të gjitha etapat pa u konsultuar duke përfunduar kështu deri në ligj apo strategji kombëtare. Ky është një problem që Shteti ynë ka kohë që përballet, ndaj është e rëndësishme që palët e interesit, qytetarët apo bizneset, të jenë të pranishme në këto tavolina politikbërësish.”