
Një shkrim nga Dafina Hysa
Procesi i integrimit në Bashkimin Europian, është shpallur në vazhdimësi si objektivi kryesor i Shqipërisë pas-komuniste. Përpjekjet për t’u bërë pjesë e familjes europiane, datojnë në maj të vitit 1990, kur qeveria shqiptare iu drejtua Komunitetit Ekonomik Europian për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Kjo do të bëhej e mundur më 20 qershor të vitit 1991, duke i hapur rrugë nënshkrimit një vit më vonë të Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit, si edhe Deklaratës së Përbashkët Politike me Komunitetin Evropian, madje si vendi i parë nënshkrues i saj në rajon.
Por pavarësisht hapave të shpejtë në fillim të viteve ’90, zyrtarisht procesi me synim anëtarësimin në Bashkimin Europian për Shqipërinë do të niste në vitin 2006, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Kjo e fundit konsiderohet si ura, që afron shtetet pretendente me Unionin përmes përmbushjes, jo vetëm të kritereve politike dhe ekonomike, por duke treguar se ato ndajnë të njëjtat vlera me Bashkimin Europian. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit parashikoi, ndër të tjera, vendosjen e një zone tregtie të lirë për një periudhë 10-vjeçare, me synim përshpejtimin e integrimit, përmes thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së, që është partneri ynë kryesor tregtar.
Nga ajo kohë, Shqipëria ka qenë në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një ekonomi tregu funksionale, të aftë për të ndërvepruar dhe për t’i bërë ballë presionit konkurrues brenda Bashkimit Europian.
1 prilli i vitit 2019 shënoi edhe përfundimin e periudhës së parashikuar për zbatimin e detyrimeve dhe angazhimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Por, kursi i reformave të ndërmarra nga vendi ynë, cilësia dhe shpejtësia e realizimit të tyre, nuk arriti të bindë vendet anëtare, të cilat refuzuan disa herë gjatë viteve të fundit çeljen e negociatave, pavarësisht rekomandimeve pozitive të Komisionit Europian.
Edhe dakordësia e 27 shteteve të BE- së, më 24 mars të këtij viti, për të na dhënë një shans, shoqërohet me detyrimin për të plotësuar disa kushte, deri në konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe përfaqësuesve të BE-së, që pritet të mbahet në vjeshtën e këtij viti.
Teksa deri në anëtarësimin me të drejta të plota, duket se do të kemi rrugëtim të gjatë, është e rëndësishme të mbetet në qendër të vëmendjes ndikimi që çelja e negociatave do të ketë mbi shoqërinë shqiptare. Duke vlerësuar ecurinë e reformave, por edhe përvojat e shteteve të tjera, mbeten për t’u parë dinamikat që procesi do të nxisë në ekonominë, politikën e shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Ky shkrim bën objekt të kërkimit të vet këto dinamika, duke u përqendruar kryesisht në ekonomi e përmes diskutimit me disa ndër ekspertët më të njohur në vend, ientifikon disa ndër tematikat ku do të përqendrohet debati në të ardhmen e implikimet që ai do të ketë për vendin.
Procesi
Në vlerësimin e të gjithë ekspertëve të intervistuar për këtë shkrim, procesi i negociatave pritet të jetë i gjatë e i vështirë e me një shumësi aktorësh e zhvillimesh që do ta ndikojnë. Eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko në bisedë, nënvizon se: “…pavarësisht optimizmit që shoqëron gjithmonë çështjen e integrimit në Bashkimin Europian, nuk duhet harruar se çelja e negociatave, nuk përcakton ndonjë afat të shpejtë për përfundimin e tyre. Suksesi i këtij procesi është kryesisht politik dhe pasqyron si vullnetin e Shqipërisë, duke ndërmarrë përsipër pa asnjë rezervë e vonesë të gjitha reformat që kërkohen nga ky proces, ashtu dhe atë të Bashkimit Europian, për të pranuar në gjirin e BE anëtarë të rinj, ku përfshihet dhe Shqipëria. Në kontekstin që po përjetojmë, sigurisht nuk jemi në ditët më të mira të mundshme për të shpresuar që rezultatet do të jenë të shpejta e për rrjedhojë procesi do të zgjasë për shumë vite, sikurse ka ndodhur dhe me shtete të tjera, tashmë anëtare të Bashkimit Europian. Së dyti, në rast se kushtet do të jenë të favorshme për të mundësuar një ecuri dinamike të negociatave, të tilla që ato të prodhojnë efekte të dukshme, do të vlerësoja se rezultatet do të vërehen në të gjithë sektorët e fushat ku Shqipëria ka vend për të kryer reforma, nën presionin pozitiv të përafrimit me legjislacionin dhe standardet europiane, sikurse dhe në aftësinë absorbuese në rritje për të përfituar nga financimet e Bashkimit Europian gjatë procesit të negociatave”.
Të njëjtin vizion për një proces të gjatë e të vështirë, e ndan edhe një tjetër ekspert ekonomie, zoti Artan Gjergji, i cili vë në dukje se: “Procesi i integrimit është një rrugëtim i gjatë e me plot sfida për çdo vend që i është dhënë statusi i kandidatit për t’u pranuar në familjen e madhe Europiane. Ky proces përfshin ngritjen dhe pavarësinë e institucioneve, integrimin e tregjeve, konkurrencën e lirë e të ndershme e plot komponentë të ndryshëm ekonomikë, ligjorë e socialë. Padyshim që integrimi i tregjeve ka të bëjë me heqjen e të gjitha barrierave tarifore e jo-tarifore, mes vendeve të BE dhe vendeve në proces aksesimi.
Për rrjedhojë, ky proces do të ketë ndikim direkt dhe indirekt në të gjithë sektorët e ekonomisë, të cilët do të përballen me një nivel më të lartë të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga operatorët e tregjeve të BE-së. Gjithashtu, duhet thënë se si pjesë e procesit, vendet kandidate përfitojnë mjaft fonde me qëllime zhvillimore për të nxitur segmente të caktuara të tregjeve, të cilat nëse pwrdoren me efikasitet, mund të sjellin një zhvillim më të shpejtë të sektorëve të caktuar të ekonomisë së vendit tonë”.
Por, pavarësisht vështirësive e kohëzgjatjes së këtij procesi, e implikimeve që ai do të ketë, anketimet tregojnë se rreth 90% e qytetarëve shqiptarë, mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por më së shumti, duket se ata e shohin këtë proces, jo në kompleksitetin e tij me të drejta dhe detyrime, por si zgjidhje të shumë problemeve, veçanërisht atyre ekonomike.
Ndaj ndikimet e procesit të negociatave e më tej integrimit në ekonominë e vendit, janë ato që më së shumti do të përcaktojnë vazhdimësinë e këtyre qëndrimeve ndaj BE-së.
Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi në diskutimin për implikimet ekonomike të procesit shprehet: “Për vlerësimin e përfitimeve ekonomike të një vendi që anëtarësohet në BE, siç është rasti i pritshëm i vendit tonë, brenda dekadës së ardhshme, duhet të merren parasysh të paktën dy çështje:
Së pari, lidhet me kostot direkte të fondeve të paguara BE-së, nga momenti i anëtarësimit, krahasuar me përfitimin e Shqipërisë nga programet financiare të Unionit. Përndryshe do të përballemi, me situata paradoksale të disa vendeve ish-socialiste, që kur u anëtarësuan, duhej të kontribuonin me fonde në BE, shumë më tepër sesa përfitonin.
Së dyti, është ndikimi makro-ekonomik dhe ndryshimi pozitiv i mirëqenies, që rrjedh nga përfitimi (ose kostoja) e përfshirjes në një treg shumë më të madh, me tarifa zero të importit dhe eksportit, për shkëmbimet tregtare brenda BE-së, nga bashkimi doganor, si vend anëtar në Union, me një monedhë të përbashkët. E gjitha kjo është më shumë në dobi të konsumatorëve dhe sipërmarrjeve, se sa të vetë shtetit.
Në përfitimet ekonomike duhet përfshirë edhe fakti se BE është një nga zonat më të forta ekonomike në botën e sotme, se tregtia e lirë dhe heqja e barrierave jo tarifore, kanë ndihmuar në uljen e kostove dhe çmimeve për konsumatorët. Vendet anëtare të BE-së, kanë arritur ndër nivelet më të larta në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor, ndërsa në mënyrë më të drejtpërdrejtë për vendin tonë, mendoj se duhet vlerësuar lufta, që BE-ja, i bën varfërisë dhe përshpejtimit të zhvillimit në zonat më pak të zhvilluara nga fondet strukturore, etj.”.
Tregu i punës

Mungesa e vendeve të punës, shoqëruar edhe me një sërë faktorësh të tjerë, kanë nxitur emigrimin masiv të shqiptarëve pas viteve ’90. Shkalla e emigrimit në raport me popullsinë, rezulton më e larta në Europë dhe ndër më të lartat në botë. Deri në vitin 2010, sipas Bankës Botërore, nga vendi ynë kanë emigruar mbi 1,4 milion persona, që përbëjnë rreth 45.4% të popullsisë aktuale në vend. Vala e emigrimit, nuk është ndalur edhe pas liberalizimit të lëvizjes. Madje nuk janë të paktë ata, që zgjedhin të qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e zonës “Shengen”, në përfundim të afatit 3-mujor.
Sipas ekspertit Gjergji: “Tregu i punës dhe lehtësimi i procedurave të qarkullimit të krahut të punës, është një ndër aspektet pozitive që do ketë Shqipëria prej integrimit. Megjithatë duhet thënë që këto procedura edhe pse do të lehtësohen, nuk do të liberalizohen plotësisht. Lëvizja e krahut të punës nga vendet në proces aksesimi, drejt BE-së, do të jetë një proces i kontrolluar dhe mjaft selektiv, duke i dhënë prioritet sidomos krahut cilësor të punës, sidomos punonjësve profesionalë në zotërim të një zanati”.
Më i rezervuar në këtë kontekst është zoti Ciko, i cili mendon se: “… duhet të jemi realistë për të pranuar se mundësitë e punësimit në Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë janë të kufizuara dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe për një kohë relativisht të gjatë e cila nuk varet nga ecuria e procesit të negociatave. Qytetarët shqiptarë përfitojnë nga lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Europian, por punësimi i tyre me të drejta të plota në këto vende, varet nga faktorë të brendshëm të këtyre vendeve, për të cilët edhe vetë Bashkimi Europian e ka jo të lehtë të flasë me gjuhë të përbashkët. Për shembull, sot qytetarë shqiptarë punësohen në Gjermani apo Greqi, si pasojë e kërkesës së tregut të punës në këto vende, ndërkohë që qytetarë nga vende të Bashkimit Europian e kanë të vështirë, në mos të pamundur, për të punuar në vendet e tjera të BE-së, si p.sh.. rasti i Bullgarisë, Rumanisë etj.”.
Por duket se këtë dimension të integrimit, e shoqërojnë edhe problematika të tjera. Zoti Preçi në komentimin e kësaj tematike gjatë bisedës sonë nënvizoi se në qasjen ndaj kësaj tematike, duhet të jemi të kujdesshëm, përtej rendjes pas të drejtës për të kërkuar një vend pune në një shtet tjetër, për të banuar atje, si dhe për trajtim të barabartë me punëtorët e shtetit pritës. “Në vlerësimin tim, ky set të drejtash nuk duhet parë si vullnet politik dhe si interes i vendeve pritëse, por duhet “lexuar” si një nevojë emergjente e qeverisë dhe e shtetit shqiptar, për të rishikuar dhe përmirësuar thelbësisht sistemin arsimor në të gjitha nivelet e tij. Lidhur me lirinë e lëvizjes së punëtorëve, integrimi duhet parë si konkurrencë e fortë, madje dhe në rritje. Një çështje të rëndësishme në procesin negociator të vendit tonë me BE-në, përbën edhe koordinimi i sistemeve të sigurimeve shoqërore. Po ashtu, aspektet juridike dhe të ndërtimit institucional për vendin tonë, marrin një rëndësi të madhe. Kjo për faktin, se jemi një vend i pazhvilluar, i paaftë që të konkurrojë në rajon e me gjerë, me një akumulim institucional tejet modest, ku administrata ndërrohet thuajse plotësisht, sa herë që vendi kryen rrotacion politik. Ridimensionimi i aspekteve sociale, mundëson edhe krijimin e disa standardeve bashkëkohore në trajtimin e kapitalit njerëzor si dhe në dekurajimin e braktisjes së vendit”.
Përafrimi ekonomik
Kur flitet për integrimin europian, edhe pse kriteri politik merr vëmendjen kryesore, në fakt në këtë proces, ka po aq rëndësi edhe përmbushja e kriterit ekonomik, sipas parimeve të sanksionuara në dokumentet bazë të BE-së, që i kanë fillesat në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Në zemër të Komunitetit Europian, qëndron tregu i përbashkët dhe katër liritë themelore: liria e lëvizjes së personave, e mallrave, e shërbimeve, e kapitalit, por edhe rregullat mbi konkurrencën.
Procesi i integrimit europian për çdo vend kandidat, lidhet fillimisht me thellimin e bashkëpunimit ekonomik me fqinjët, deri në finalizimin e tregut të përbashkët rajonal, që konsiderohet si një paradhomë e BE-së. Më tej parashikohet integrimi gradual në Tregun e përbashkët të BE-së, përmes harmonizimit me strukturat e Komunitetit, sipas direktivave në fushat e standardeve, të certifikimit, administratës doganore, mbrojtjes së konkurrencës dhe të drejtave të pronësisë intelektuale. Përgjigjja e duhur, ndaj këtyre sfidave, është mbijetesa e sipërmarrjes shqiptare në tregun e përbashkët, që edhe pas “Brexit”, numëron rreth 500 milion konsumatorë.
“Është e vështirë të japësh një vlerësim shterues rreth kësaj çështjeje. Biznesi shqiptar, në sektorë të ndryshëm, ndodhet në stade të ndryshme të zhvillimit. Konstatohet se ka një kontroll të dukshëm të biznesit të huaj apo atij që bashkëjeton me elitën politike drejtuese të vendit ose oligarkinë, në sektorët me normën më të lartë të fitimit. Një numër i madh biznesesh nuk i përgjigjet ritmeve dhe dinamikës së procesit të integrimit në BE. Janë me origjinë ose të kontrolluara nga Turqia, Kina dhe vendet arabe dhe kjo nuk i shërben rritjes së kapaciteteve dhe fuqisë eksportuese të vendit, por as nuk sjell në vend teknologji bashkëkohore, pa folur për shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, të tilla si: naftë, mineralet, etj.
Politikat pro-oligarkike në fushën e mjedisit, korrupsioni dhe dobësitë institucionale të agjencive ligjzbatuese kanë bërë që vendi të humbasë edhe avantazhin e vetëm, mundësinë e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të pastra, e disa prej tyre ndoshta edhe bio. Një numër aktesh qeveritare sidomos në formën e koncesioneve, kanë rritur artificialisht koston e të bërit biznes, duke e bërë vendin më pak atraktiv ndaj investitorëve perëndimorë. Por pavarësisht kësaj, nuk mungojnë edhe biznese të konsoliduara, që menaxhohen në mënyrë bashkëkohore dhe që janë njëkohësisht si kontributorë në tatime-taksa, ashtu edhe në thithjen e fuqisë punëtore, sidomos asaj të kualifikuar. Në vlerësimin tim, procesi negociator duhet të përfshijë edhe përfaqësuesit më në zë, nga vetë komuniteti i biznesit”, – thotë zoti, Preçi Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Rezerva të ngjashme e me vështirësi të shumta e vlerësojnë procesin edhe ekspertët e tjerë. Zoti Gjergji në komentimin e kësaj tematike, tha: “Për hir të së vërtetës, gjykoj që nuk ka një njohje të mirë nga biznesi vendas, të ndikimit që do të ketë tek biznesi dhe sektorë të ndryshëm, periudha pas çeljes së negociatave të Shqipërisë. Me përjashtim të bizneseve eksportuese, të cilat janë njohur me procedurat e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në tregjet e BE-së, pjesa tjetër e bizneseve shqiptare, nuk kanë asnjë informacion apo një përgatitje të tyre, në përputhje me ndryshimet që kërkon integrimi në këto tregje. Kjo situatë normalisht, do të përkthehet në vështirësi më të mëdha në të ardhmen, për komunitetin e biznesit. Për këtë arsye, qoftë institucionet kompetente shtetërore, qoftë institucionet e përfaqësimit të biznesit (dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit) apo edhe media, duhet ta kenë në prioritet më të lartë informimin e biznesit në drejtim të avantazheve dhe disavantazheve që sjell në vetvete ky proces”.
Problematike i sheh zhvillimet që do të shoqërojnë çeljen e negociatave edhe Ilir Ciko, sipas të cilit “Çelja e negociatave do të vendosë në presion më të lartë bizneset që kanë fuqizuar aktivitetin e tyre, falë lidhjeve të privilegjuara me qeveritë, për shkak të nevojës së domosdoshme, si për mënyrën e funksionimit të ekonomisë vendase, ashtu dhe për zbatimin e standardeve europiane, për të hapur realisht konkurrencën në vend dhe mundësuar pjesëmarrjen e kompanive europiane në treg, duke i dhënë frymë shumë sektorëve që zotërohen ose dominohen nga një numër i kufizuar operatorësh në treg”.
Rekomandime
Integrimi në Bashkimin Europian, sjell një sërë avantazhesh për qytetarët e një shteti anëtar, që nisin nga lëvizja pa kufij, më shumë mundësi për punësim dhe shkollim, produkte më cilësore, përdorim i monedhës së përbashkët, etj. Por, nga ana tjetër paraqet një sërë risqesh për ekonominë, nëse shteti kandidat nuk ndërmerr reformat e duhura, para aderimit, siç ndodhi me Bullgarinë dhe Rumaninë. Anëtarësimi i këtyre shteteve në vitin 2007, përpos të tjerash, parashikohej të rriste investimet e huaja direkt, si dhe të krijonte më shumë mundësi zhvillimi për sipërmarrjen vendase, duke shpejtuar integrimin në tregun europian.
Por, presioni i konkurrencës së kompanive europiane, shtyu drejt mbylljes së aktivitetit, një pjesë të konsiderueshme të sipërmarrjeve, të cilat nuk arrinin standardet e kërkuara. Emigrimi i të specializuarve, apo siç njihet, “truri”, ishte një tjetër kosto e anëtarësimit me të drejta të plota, për dy shtetet e reja të Unionit.
Ekspertët e ekonomisë në vendin tonë, e vënë theksin tek masat që duhen marrë, si nga qeverisja, ashtu edhe nga ana e bizneseve, për të mos u përballur me të tilla probleme.
“Informimi është baza e çdo ndryshimi. Për rrjedhojë, në radhë të parë biznesi shqiptar duhet të jetë i qartë në lidhje me ndikimin që ka ky proces i rëndësishëm në aktivitetin e përditshëm të biznesit. Pas informimit dhe krijimit të një ideje të qartë, mbi efektet që sjell ky proces i integrimit, biznesi duhet të ndryshojë filozofinë dhe strategjinë e zhvillimit, duke u fokusuar më shumë tek rritja e cilësisë dhe standardizimi i produkteve e shërbimeve të ofruara, me qëllim konkurrimin me homologët në BE. Situata në Rumani dhe Bullgari, por edhe në vendet e tjera të Lindjes, vjen pikërisht nga neglizhenca e organeve kompetente apo edhe vetë biznesit për ta marrë seriozisht rrezikun, që vjen nga hapja e tregjeve dhe përballja me tregjet e zhvilluara si edhe një konsumator të edukuar, i cili i jep mjaft rëndësi cilësisë së produkteve dhe shërbimeve të ofruara, madje më shumë se sa vetë çmimit të tyre. Nëse e shohin nga ky këndvështrim, biznesi shqiptar do të përshtatet më shpejt me situatën e re në periudhën e pas hapjes së negociatave dhe heqjes graduale të barrierave të tregtisë”. – është këshilla ekspertit të ekonomisë, zotit Artan Gjergji. Për ekspertin Ciko: “…receta më e mirë do të ishte hapja e mëtejshme e tregut dhe promovimi i konkurrencës, edhe pa u kërkuar ende kjo, nga negociatat me Bashkimin Europian”.
Ndërsa zoti Preçi në ofrimin e rekomandimeve, nënvizon: ‘… qeveritë shqiptare të kësaj periudhe, jo vetëm, që nuk kanë analizuar e nxjerrë mësimet e duhura nga fenomenet që ju përmendni, por edhe kanë keqpërdorur fuqinë ligjbërëse të Kuvendit dhe atë vendimmarrëse të qeverisë, në favor të lobistëve dhe të oligarkëve. Më konkretisht, përshpejtimi i procesit integrues të vendit, duhet parë i lidhur ngushtë sa me çrrënjosjen e mbetjeve të kulturës së trashëguar nga periudha e regjimit komunist, aq edhe me respektimin e lirisë dhe forcave të tregut. Kështu, vendi ynë pritet të kalojë nga stadi kur procesi ligjbërës është ndërmarrë nën kushtëzimin dhe presionin e institucioneve ndërkombëtare, në shndërrimin e detyrimit për të respektuar ligjet dhe institucionet, në pjesë të kulturës së çdo qytetari të vendit dhe sipërmarrësi të tij”.