
Një shkrim nga Elda Zenelaj
Rrugëtimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka filluar që në vitin 2000, kur Shqipëria u bë pjesë e Procesit të Stabilizim-Asocimit, të shpallur për vendet e Evropës Juglindore në Samitin e Zagrebit. Në vitin 2006, Shqipëria nënshkroi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Komunitetet Europiane dhe Shtetet Anëtare të tyre, marrëveshje që hyri në fuqi më 1 prill 2009 dhe në datën 28 Prill 2009, Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE. Këshilli i Bashkimit Europian[1], vetëm pas gati 5 vjetësh, në qershor 2014, vendosi që t’i akordojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në datën 9 nëntor 2016, Komisioni Europian publikoi Raportin vjetor për Shqipërinë si dhe Politikën e Zgjerimit të Bashkimit Europian për vitin 2016 ku dhe rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë[2]. Këtë rekomandim Komisioni Europian do ta bënte dhe në vitin 2018, 2019 dhe 2020 dhe vetëm në 25 Mars të vitit 2020, Këshilli Europian[3] vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë.
Komisioni Europian prezantoi në datën 1 Korrik 2020[4], draftin e kornizës negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kuadri i negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet për negociatat e pranimit për secilin vend kandidat që aspiron të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian. Draft-korniza ndahet në tre pjesë: 1) parime që rregullojnë negociatat e pranimit, 2) përmbajtja e negociatave dhe 3) procedura e negociatave. Kushtet për t’u anëtarësuar në BE, përcaktohen në Traktatin për Bashkimin Europian dhe nga kriteret e Kopenhagenit, të cilat janë shumë të qarta, dhe nuk ndryshojnë. Drafti i kuadrit negociues duhet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe më pas, Presidenca e radhës e Këshillit Europian ia paraqet atë, shtetit kandidat në fillim të negociatave për anëtarësim. Nëse e krahasojmë në terma kohore procesin aktual të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të Kroacisë, apo dhe me zgjerimin e vitit 2004 të Bashkimit Europian, ekziston një ndryshim i madh. Në Serbi dhe Mal të Zi, po merr më shumë kohë për të negociuar kapituj të legjislacionit europian. Serbia ka nisur negociatat me Bashkimin Europian në vitin 2014 dhe aktualisht ka mbyllur përkohësisht 2 kapituj të ‘acquis’ në 6 vjet. Mali i Zi i ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2012 dhe deri më sot ka mbyllur përkohësisht 3 kapituj në 8 vjet. Në rastin e Kroacisë, kapitujt hapeshin dhe mbylleshin më shpejtë në afate kohore. Kroacia[5] në 6 vjet i hapi dhe i mbylli të gjithë kapitujt e legjislacionit europian.
Pra, ajo që mund të thuhet pa dyshim, është se negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, janë një proces i gjatë dhe i vështirë e varen nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër faktorët e jashtëm përmendim:
- Kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Europian janë një target i lëvizshëm, ku mjafton të fokusohemi vetëm tek legjislacioni europian që çdo vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pritet të përafrojë dhe zbatojë për të zbuluar implikimet e shumta. Ky legjislacion është vazhdimisht në ndryshim dhe numri i akteve ligjore të BE-së, sa vjen dhe rritet. Negociatat me BE-në janë rreth detajeve për kohën apo mënyrën se si duhet bërë adoptimi i legjislacionit Europian, pasi pranimi i legjislacionit europian, është në të vërtetë i panegociueshëm dhe një nga kriteret themelore të anëtarësimit. Ajo ç’ka negociohet, janë përgjithësisht afatet e zbatimit të pjesëve të legjislacionit europian pas anëtarësimit, ose siç quhen ndryshe, periudhat tranzitore. Kur flasim për legjislacion europian, është e rëndësishme të kuptohet se bëhet fjalë për mijëra faqe aktesh të Bashkimit Europian që duhet të përkthehen, përafrohen dhe zbatohen, për të krijuar kështu legjislacionin shqiptar të përafruar me atë europian, por nga ana tjetër edhe aktet ligjore dhe nënligjore shqiptare që përafrojnë legjislacion europian, duhet të përkthehen në një nga gjuhët zyrtare të BE-së. Nga viti 1957 e deri në vitin 2017, Bashkimi Europian ka prodhuar mbi 100.000 akte[6]. Vlerësimet e proporcionit të ligjeve kombëtare që miratohen duke u bazuar në ligjet e BE-së, ndryshojnë shumë edhe në vetë shtetet anëtare të BE-së, duke filluar nga rreth 6% në 84% e legjislacionit[7]. Përafrimi i legjislacionit europian si koncept, përfshin 3 hapa: 1.Përafrimin në akt ligjor apo nënligjor duke parashikuar dhe koston reale për ta bërë të mundur zbatimin e një akti ligjor dhe nënligjor i cili përafron një akt europian; 2. Zbatimin e këtyre akteve nga insitucionet përgjegjëse, sektori privat dhe nga individët; 3. Zbatimin nga gjykata dhe agjencitë ligjzbatuese në rast se cenohen të drejtat e individit apo dhe institucioneve. Çdo vendi i kërkohet jo vetëm të përafrojë legjislacionin europian, por dhe ta zbatojë atë. Është e rëndësishme të theksojmë këtu se 70% e legjislacionit Europian, pritet të zbatohet nga pushteti vendor dhe kur flasim për rritje të kapaciteteve dhe fuqizim të tyre, kjo nënkupton që përveç institucioneve qendrore dhe atyre në varësi të tyre, të fuqizohen dhe kapacitetet e pushtetit lokal. E njëjta gjë, vlen dhe për pushtetin gjyqësor apo agjencitë ligjzbatuese. Përafrimi i legjislacionit europian, është një proces i kushtueshëm i cili përfshin jo vetëm kostot për hartimin e një pakete ligjore dhe aktesh nënligjore, por dhe kosto zbatimi apo impakti si ngritje institucionesh, përshtatje teknologjie apo dhe arritje standardesh, etj. të cilat në disa fusha si mjedisi, bujqësia dhe transporti, arrijnë në vlera me biliona euro. Çdo vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, duhet të sigurojë mbështetjen e duhur financiare për arritjen e standardeve që kërkohen në të gjitha fushat e legjislacionit europian. Sipas një studimi mbi “Parashikimin e pajtueshmërisë së shteteve kandidate me rregullat e pranimit në BE, 2017-2050”, rezulton se bazuar në zgjerimin e Bashkimit Europian të vitit 2004, disa prej vendeve të Bashkimit Europian, do t’u duheshin dekada për të përmbushur detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni i Bashkimit Europian[8].
- Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal, përcaktojnë gjithashtu shpejtësinë e negociatave me Bashkimin Europian. Mjafton të shikojmë rastin e Serbisë në raport me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, apo dhe Kroacinë e cila në prill të vitit 2016, refuzoi hapjen e negociatave me Serbinë për Kapitullin 23 dhe 24. Ndoshta ka ardhur koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë marrëdhënie të tilla, ku të mos pengojnë apo bllokojnë njëri-tjetrin, por të fillojnë të bashkëpunojnë, lobojnë për të ecur përpara si rajon drejt Bashkimit Europian. Bashkëpunimi rajonal midis vendeve të Ballkanit, është kyç për integrimin Europian dhe zhvillimin ekonomik të tyre.
- Bashkimi Europian është bërë i paparashikueshëm. Mjafton të shikojmë mënyrën e zgjerimit deri më sot, afatet, si dhe metodologjinë e rishikuar të procesit të anëtarësimit në BE. Metodologjia e re e zgjerimit pritet që t’i japë procesit më shumë dinamizëm, besueshmëri, parashikueshmëri dhe vullnet më të fortë politik. Në zbatim të kësaj metodologjie[9]të rishikuar, përcaktohet se në rast të mospërmbushjes së standardeve, procesi mund të ngrijë, të kthehet në pikën e nisjes dhe fondet e alokuara nga BE-ja, të pezullohen. Kjo metodologji e rishikuar e zgjerimit, nuk do të zbatohet për Serbinë dhe Malin e Zi, por mbetet e hapur mundësia që edhe këto dy vende të përfshihen në qasjen e re, nëse ato pranojnë.
- Shpejtësia e anëtarësimit varet dhe nga qëndrimet e vendeve në Bashkimin Europian të cilat mund t’i shpejtojnë, ngadalësojnë, apo dhe frenojnë procedurat e anëtarësimit, kjo në varësi dhe të interesave të tyre kombëtare. Mjafton të fokusohemi në rastin e refuzimit të Kroacisë për hapjen e kapitujve 23 dhe 24 me Serbinë, në muajin Prill [10]të vitit 2016, me pretendimin se kishte dyshime n.q.s Serbia përmbushte disa nga angazhimet në kuadër të shtetit të së drejtës.
- Rritja e zërave kundër zgjerimit të Bashkimit Europian në vendet e unionit, është një element që duhet mbajtur në vëmendje. Bazuar në Eurobarometrin e vitit 2019, vetëm 46 % e qytetarëve europian e mbështesnin zgjerimin në vitet e ardhshme dhe 44% ishin kundër zgjerimit.

Ndër faktorët e brendshëm përmendim:
- Ecuria në përmbushjen e reformave që kërkohen në fusha të ndryshme gjatë procesit të negociatave, ku ndër më të rëndësishmet, përmendim: lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar, reforma në drejtësi: reforma në administratën publike; garantimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve. BE-ja e ka theksuar ndër vite se, anëtarësimi i një vendi në Union, varet nga progresi për të përmbushur kushtet e anëtarësimit dhe kalimi nga njëra fazë e anëtarësimit në tjetrën, bëhet po bazuar në progresin që vetë vendi realizon në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit.
- Faktorët Ekonomik, si: Prodhimi i brendshëm bruto, rritja ekonomike, rritja e investimeve të huaja direkte dhe indirekte, ulja e papunësisë, ulja e borxhit të jashtëm, tregojnë shumë për nivelin ekonomik të një vendi i cili kërkon të jetë pjesë e Unionit.
- Fryma e bashkëpunimit e sigurimi i dialogut politik dhe se si forcat politike, veprojnë dhe votojnë për mbështetjen e reformave që kërkohen në kuadër të procesit të anëtarësimit, duke kapërcyer qoftë dhe interesat partiake, janë thelbësore. Të folurit në një zë nga forcat politike, për sa i përket progresit dhe problematikave të vendit në përmbushjen e reformave në kuadër të anëtarësimit, ka rëndësi vitale në përcaktimin e ecurisë së negociatave. Jo pak herë ka ndodhur që faktori politik, i ka ngadalësuar apo dhe bllokuar, proceset e integrimit europian. Nuk është vetëm çështja që të bëhen deklarata politike për mbështetjen e procesit të anëtarësimit, por dhe të tregohet me votë, kur kërkohet mbështetja e reformave për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Mënyra se si politikanët komunikojnë me strukturat e BE-së si dhe me vendet anëtare të saj, është shumë e rëndësishme. Ndikimi dhe pasojat që kanë këto komunikime nëpër takime të ndryshme formale apo joformale, i kushtojnë shumë Shqipërisë në etapat dhe ecurinë e anëtarësimit në BE-në.
- Fuqizimi i kapaciteteve institucionale dhe administrative të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe institucioneve të pavarura në çështjet e integrimit europian, duke promovuar një qasje të re, të unifikuar, të formimit të vazhdueshëm e gjithëpërfshirës për çështjet e Integrimit Europian, është një kusht për t’i bërë ballë në mënyrë të suksesshme, procesit të negociatave. Nga ana tjetër duhet të sigurohet dhe qëndrueshmëria e nëpunësve të trajnuar e me eksperiencë profesionale nga pushteti qendror, lokal dhe i institucioneve të pavarura, nëpërmjet prezantimit të politikave mbështetëse, promovuese si dhe motivuese, për nëpunësit që janë të përfshirë në këtë proces.
- Përfshirja e shoqërisë civile, përfaqësuesve nga grupet e interesit si dhe bota akademike gjatë gjithë procesit të negociatave, për t’i pasur ata partnerë dhe bashkëpunëtorë gjatë negociatave, me eksperiencën dhe profesionalizmin e tyre, është domosdoshmëri. Institucionet publike të përfshira në procesin e negociatave, po sidomos liderët e GNP, si dhe strukturat e tjera negociese, duhet të zhvillojnë një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit nga grupet e interesit. Është e rëndësishme të kuptohet që pjesëmarrja e shoqërisë civile, përfaqësuesve të grupeve të interesit dhe botës akademike në proces, të mos shihet thjeshtë si një detyrim, por si kontribuues nga më të rëndësishmit. Nga ana tjetër, kjo shoqërohet dhe me përgjegjësinë e OSHC-ve dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit që do të përfshihen në këtë proces, për të qenë gjithmonë të gatshëm dhe bashkëpunëtorë në përgatitjen e inputeve që kërkohen nga Komisioni Europian në kohë reale.
- Ruajtja e mbështetjes për procesin e anëtarësimit nga qytetarët shqiptarë[11], pasi procesi i negociatave është i gjatë në kohë dhe njerëzit mund të lodhen nga retorika. Të gjitha institucionet, por sidomos strukturat negociuese, duhet të punojnë shumë në këtë drejtim, për të mbajtur lart mbështetjen për procesin e anëtarësimit nëpërmjet organizimit të fushatave ndërgjegjësuese dhe informuese për procesin, duke siguruar në çdo kohë transparencën dhe dhënien e informacionit të saktë mbi ecurinë e procesit, problematikat, përfitimet, kostot, sfidat, etj.
Sa më sipër, ka si qëllim për të informuar dhe kuptuar se
sa i vështirë dhe sa kohë, financim e përgatitje institucionale, ekspertizë
profesionale, bashkëpunim e gjithëpërfshirje kërkohet nga të gjithë
përfaqësuesit e institucioneve qendrore, vendore, të pavarura, forcave politike
si dhe nga organizatat e shoqërisë civile, grupet e interesit e bota akademike,
për t’u përballur në mënyrë të suksesshme me negociatat e anëtarësimit për
realizimin e ëndrrës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
[1] https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-8288-2014-INIT/en/pdf
[2]https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20161109_strategy_paper_en.pdf
[3]https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2020/03/25/council-conclusions-on-enlargement-and-stabilisation-and-association-process/
[4] https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/IP_20_1021
[5] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/countries/detailed-country-information/croatia_en
[6] Çdo vit Bashkimi Europian miraton rreth 80 direktiva, 700 vendime dhe 1200 Rregullore / 55 Years of European Legislation, Dimitri Toshkov 2017
[7] https://commonslibrary.parliament.uk/research-briefings/rp10 62/?doing_wp_cron=1593519824.1175289154052734375000
[8]https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/13501763.2017.1348385?scroll=top&needAccess=true Freyburg & Böhmelt 2018.
[9] https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/de/qanda_20_182
[10] https://balkaninsight.com/2016/04/07/croatia-stalls-serbia-s-negotiation-chapters-opening-04-07-2016-1/
[11] Sondazhi i fundit i kryer nga IPSOS në nëntor – dhjetor 2019, tregoi se 97% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.