Ndikimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Integrimin Evropian të Shqipërisë

ROVENA LIPE

Jurist

Përmbledhje

Shteti Shqiptar në përmbushje të objektivave të tij gjeopolitike, për t’u integruar dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, është duke plotësuar kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian, të njohura si kriteret politike të Kopenhagenit. Këto kritere përfshijnë:

  • institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve;
  • një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian;
  • aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomike dhe të bashkimit monetar.
Text Box:

Me plotësimin e këtyre kritereve fillojnë negociatat të cilat kanë një rëndësi po aq të madhe sa dhe përmbushja e kritereve politike. Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është në këtë fazë të rëndësishme që prej datës 25 mars 2020, kur Këshilli Evropian vendosi hapjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Acquis communautaire dhe të Drejtat  e Njeriut

Një prej kritereve detyrues të rëndësishëm të Kopenhagenit, është përafrimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin Evropian. Neni 70 i MSA-së, i përcakton këtë detyrim Republikës së Shqipërisë.

Njëkohësisht, përveç detyrimit të përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian edhe zbatimi i plotë dhe efektiv i tij, është një kusht tjetër, pjesë e kritereve të Kopenhagenit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Procesi i negociatave të anëtarësimit, është në vetvete procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Përafrimi i legjislacionit të brendshëm me acquis të BE-së, konsiston në këto hapa:

• Analiza e legjislacionit të Bashkimit Evropian;

• Identifikimi i mangësive/akteve kontradiktore të legjislacionit shqiptar;

• Hartimi ose rishikimi i akteve shqiptare të përafruara;

• Monitorimi i zbatimit të legjislacionit të përafruar.

Sot, shteti shqiptar raporton për rreth 33 kapituj në fusha të ndryshme dhe njëri prej kapitujve shumë të rëndësishëm për të cilin ka një fokus të veçantë nga ana e Bashkimit Evropian, është Kapitulli i 23-të, “Gjyqësori dhe të Drejtat e Njeriut”.

Qeveria shqiptare përditësoi ndryshimet e fundit sa i përket reformave në Gjyqësor, ku ndër të tjera, një set i gjerë ligjesh janë miratuar sa i përket reformës në Gjyqësor. Këto ligje janë miratuar me frymën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, bazuar në parimet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në ndikimin e legjislacionit Evropian.

Rëndësia e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Mbi bazën  e kërkesës së ngritur në Kongresin e Hagës (1948), për krijimin e Kartës së të Drejtave të Njeriut, e cila do të përdorte mekanizmat e përbashkët për mbrojtjen e të drejtave individuale si bazë për fillimin e një procesi që çon në unifikimin politik të Evropës Perëndimore, ky qëllim u arrit përmes ngritjes së sistemit për mbrojtjen e të drejtave të ofruara në mënyrë dinjitoze nga KEDNJ. Kjo shihet qartë në Preambulën e kësaj Konvente e cila përshkruan mbrojtjen e të drejtave të njeriut si një mjet për “arritjen e unitetit më të madh” midis shteteve evropiane. Konventa u krijua për të ndërtuar një konsensus të rëndësishëm për arritjen e qëllimit kryesor të integrimit Evropian.

Si pjesë e parë e një kushtetute evropiane, KEDNJ-ja, jo vetëm që ka dhënë një kontribut të madh në harmonizimin e së drejtës së brendshme të vendeve anëtare në fushën  e procedurës civile dhe penale, por gjithashtu ajo vazhdon të sigurojë dhe t’u ofrojë shteteve pjesë të Ballkanit Perëndimor, një praktikë për afrimin e këtyre vendeve me Evropën. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, është e saktë në cilësimin e KEDNJ-së si një instrument për të krijuar dhe për të siguruar angazhimin e palëve kontraktuese rreth një qëllimi të përbashkët evropian në qeverisjen e punëve të brendshme.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtat e qytetarëve të shteteve që kanë ratifikuar Konventën dhe protokollet shtesë të saj si pjesë të legjislacionit të tyre, duke vendosur në këtë mënyrë shtetin e së drejtës.

Gjykata Evropiane për Të Drejtat e Njeriut në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve evropianë, shqyrton çështjet e paraqitura nga qytetarët e shteteve të cilët kanë ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqipëria e ka ratifikuar këtë Konventë në vitin 1996 nëpërmjet miratimit të ligjit nr.8137, datë 31.7.1996[1].

Vendimet e Gjykatës kanë një rëndësi themelore për legjislacionin evropian sa i përket mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Nga ana tjetër, asnjë zhvillim i suksesshëm i legjislacionit kombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, nuk është i mundur jashtë standardeve të KEDNJ-së.

Legjislatori shqiptar e ka vlerësuar këtë ligj si një prej ligjeve themelore pas kushtetutës, KEDNJ ka një status kushtetues ose kuazi kushtetues, vetëm përsa i takon kufizimit të mbrojtjes së të drejtave të Njeriut.[2]

 Vendimet e GJEDNJ-së për Shqipërinë botohen në fletoren zyrtare, aty ku botohen dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. Ekzekutimi i këtyre vendimeve bëhet nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Ekzekutimi i vendimeve është i përcaktuar me afate të mirë vendosura duke identifikuar dhe institucionin i cili ka detyrimin për ekzekutimin e vendimit sipas gjetjeve të GJEDNJ-së.

KEDNJ dhe Bashkimi Evropian mbi të Drejtat e Njeriut

Një ndër të drejtat e njeriut, e vlerësuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian si një e drejtë themelore e rëndësishme, është e drejta e pronësisë e cila është vendosur në nenin 1 të Protokollit të parë shtesë të KEDNJ-së. Në Shqipëri, e drejta e pronës është shumë e njohur, për shkak të problematikave që ka sjellë ndër vite shkelja e kësaj të drejte, e ndërthurur me nene të tjera si zgjatja e procedurave administrative dhe gjyqësore lidhur me këtë të drejtë, bazuar në nenin 6/1 të Konventës[3], si dhe mungesa e një mjeti efektiv për të gjetur një zgjidhje nga institucionet e brendshme vendim marrëse, e bazuar kjo në nenin 13 të Konventës[4].

Lidhur me këtë fushë, GJEDNJ ka luajtur një rol të rëndësishëm nëpërmjet praktikës së saj të konsoliduar në përmirësimin e legjislacionit shqiptar, duke e përafruar atë me standardet evropiane. Vendimi pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”, vendim i datës 30 Korrik 2012, shqyrton gjerësisht problematikën e pronave në Shqipëri, sa i përket kompensimit të ish-pronarëve të cilëve u ishte shkelur e drejta mbi pronën e tyre në zbatim të reformave të gabuara të shtetit ish-komunist.

Autoritetet shqiptare ndërmorën disa hapa lidhur me masat e përgjithshme të referuara në vendimin “Manushaqe Puto k. Shqipërisë” (2012), duke adresuar të gjitha problematikat e ngritura në këtë vendim të GJEDNJ-së dhe kanë theksuar më tej angazhimin e tyre lidhur me përfundimin  e procesit të kompensimit të ish pronarëve. Qeveria shqiptare miratoi nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, një plan veprimi për zbatimin e masave që duhej të merreshin për finalizimin e kompensimit të  ish pronarëve.

Në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës (në zbatim të projekteve për zbatimin  e vendimeve te GJEDNJ), u draftua ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ky ligj u hartua bazuar në direktivat dhe frymën e parimeve të jurisprudencës së konsoliduar të GJEDNJ-së. Kjo jurisprudencë ka luajtur një rol të rëndësishëm frymëzues për ndryshimin e legjislacionit.

Roli mbikëqyrës i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Duke vlerësuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve të përafruara me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ngritja dhe funksionimi i institucioneve monitoruese ka vlerë të shtuar në mbizotërimin e shtetit të së drejtës.

Një institucion shumë i rëndësishëm i Këshillit të Evropës i cili mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së, është Komiteti i Ministrave ku nëpërmjet departamenteve, siç është Departamenti i Ekzekutimit të vendimeve,  monitoron ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së.

Në rast se shkeljet e konstatuara të ngjashme përsëriten, atëherë Gjykata del me vendim duke parashikuar përveç masave individuale edhe masa të përgjithshme, të cilat më së shumti godasin legjislacionin në fuqi i cili është bërë një problem sistematik, duke pas sjellë një mori çështjesh të ngjashme ku konstatohet e njëjta shkelje e  të drejtave të njeriut.

Për këtë arsye, kur problematika është bërë e përsëritur dhe një barrë e rëndë për qytetarët, por dhe për buxhetin e shtetit, Gjykata del me një vendim pilot.

Nga ana tjetër edhe Komiteti i Ministrave në procedurën  e tij, i ndan vendimet sipas procesit të mbikëqyrjes. Në rast të identifikimit të disa vendimeve me të njëjtën shkelje të konstatuar, atëherë Komiteti vendos mbikëqyrjen e tij, sipas procedurës së përshpejtuar dhe rastet e tjera sipas procedurës standarde. Në rastin e Shqipërisë, një prej vendimeve që u ndoq me procedurë të përshpejtuar, është vendimi Pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”. Rezoluta për mbylljen e monitorimit të ekzekutimit të këtij vendimi, ka qenë një sukses për Shqipërinë e cila me ndihmën e institucioneve të Bashkimit Evropian, arriti të përmbushë detyrimet sipas parimeve të KEDNJ-së.

Zbatimi me përpikmëri i detyrimeve

Duke iu referuar gjetjeve të GJEDNJ-së, në vendimin “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”, midis të tjerave kjo Gjykatë u shpreh se: “legjislatori shqiptar kishte bërë ndryshime në mënyrë periodike të ligjit të Pronave, duke krijuar mungesë të sigurisë juridike në lidhje me pronën”

Mbi bazën e këtyre gjetjeve dhe shumë të tjerave të renditura në vlerësimin  e Gjykatës, qeveria shqiptare hartoi një plan veprimi[5] konkret, lidhur me hapat që do të merrte për ekzekutimin e këtij vendimi në mënyrë korrekte, sipas gjetjeve të GJEDNJ-së. Këtë plan veprimi e hartoi me mbështetjen e përfaqësuesve të Komitetit të Ministrave dhe duke marrë miratimin e tyre, filloi zbatimin e këtij plani duke krijuar dhe grupe pune ndërinstitucionale me qëllim arritjen e rezultateve të kërkuara.

Qeveria shqiptare në mënyrë periodike ka raportuar hapat e ndërmarra afat shkurtra ose afat mesme, lidhur me ekzekutimin e vendimit pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”, në mbledhjet e Komitetit të Ministrave në të cilat diskutohet lidhur me ecurinë e ekzekutimit të vendimit. Në këto takime, Komiteti del me një vendim duke vlerësuar hapat e ndërmarrë si dhe duke kërkuar dhe rekomanduar hapa të tjerë specifikë për zbatimin e vendimit. Në rast të plotësimit të të gjitha hapave të plan veprimit në mënyrë optimale, Komiteti i Ministrave del me rezolutë për mbylljen e monitorimit të këtij vendimi nga ana e tij.

Zbatimi i vendimit pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”  pati një proces të gjatë  ekzekutimi, duke vlerësuar periudhën  e daljes së tij me 30 Korrik 2012 dhe mbylljen e mbikëqyrjes së tij nga Komiteti i Ministrave, në shtator 2018[6]. Kjo ishte një sfidë e vështirë për shtetin shqiptar për shkak të problematikës së madhe që mbarte, por dhe faturës financiare për kompensimin e ish pronarëve e cila referuar dhe vlerësimit të Fondit Ndërkombëtar, përbën një rrezik për buxhetin[7]  e shtetit.

Produkti –  Një legjislacion sipas parimeve të BE-së

Nën ndikimin e parimeve dhe praktikës evropiane për mbrojtjen e të drejtës së pronës sipas vendimit “Sporrong dhe Lonnroth kundër Suedisë”, si vendim i parë i shtrirjes së plotë të parimeve mbi të drejtën e gëzimit të pronës nga ana e GJEDNJ-së dhe duke vazhduar me vendime të ngjashme për shkak të rrethanave politiko-historike, si “Prada kundër Rumanisë”, u hartua një mekanizëm efektiv mbi bazën e sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Në fund të vitit 2015, parlamenti shqiptar miratoi ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ky ligj u krijua si domosdoshmëri pas gjetjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me çështjen e Pronave në Shqipëri. Së bashku me aktet nënligjore që pasuan, ky  ligj u hartua me ndihmën e vyer të ekspertëve të Këshillit të Evropës si dhe të Departamentit të Ekzekutimit të Vendimeve të GJEDNJ-së.

Vullneti për zbatimin e këtij ligji nga Qeveria Shqiptare, solli mbylljen e monitorimit të çështjeve të pronave që i përkasin grupit “Manushaqe Puto”, në shtator 2018 dhe së fundmi dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat  e njeriut, doli me vendim “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”( 7 maj 2020), duke vlerësuar legjislacionin shqiptar për kompensimin e pronave për ish pronarët, një mjet të brendshëm efektiv duke i shpallur kërkesat e ankuesve në këto çështje të papranueshme. Në këtë mënyrë zgjidhja së brendshmi e çështjes së pronave, është konfirmuar të jetë një mjet efektiv, duke evituar në këtë mënyrë gjobitjen e shtetit shqiptar nga GJEDNJ, sipas pretendimeve të ankuesve.

Respektimi i të drejtave themelore të njeriut

Qeverisë shqiptare dhe institucioneve kushtetuese, nuk i mbetet tjetër veç respektimi i ligjeve tashmë të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ashtu siç shumë teori evropiane shprehin se legjislacioni i Bashkimit Evropian është gjithmonë në ndryshim edhe Shqipëria duhet të bëjë kujdes në përditësimin e ndryshimeve në legjislacion, duke amenduar ligjet nëpërmjet përafrimit me legjislacionin e BE-së në kohë reale. Kriteri i Kopenhagenit shprehet qartë: “ Çdo shtet kandidat duhet të miratojë dhe zbatojë çdo ligj të Bashkimit Evropian. (Acquis communautaire)[8] .

Vullneti i të gjitha institucioneve kushtetuese shqiptare, bashkëpunimi dhe përgjegjshmëria mbi zbatimin e legjislacionit të miratuar, do të sigurojë hedhjen e hapave të mëtejshëm në negociatat për integrimin evropian, duke arritur dhe qëllimin kryesor të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian sipas afateve të hedhura në tavolinën e negociatave.


[1] https://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/09/Konventa_Europiane_per_te_Drejtat_e_Njeriut.pdf

[2] http://avokatia.al/revista/10-avokatia-19/14-statusi-i-kednj-ne-rendin-kushtetues-shqiptar

[3]  Neni 6 “E drejta për një proces të rregullt”

[4] Neni 13 “E drejta për zgjidhje efektive”

[5] http://qbz.gov.al/eli/vendim/2014/04/23/236

[6] https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016808d646f

[7] https://www.elibrary.imf.org/view/IMF002/22379-9781498337212/22379-9781498337212/22379-9781498337212_A003.xml?redirect=true

[8] https://www.europarl.europa.eu/ftu/pdf/en/FTU_5.5.2.pdf