Prezantimi i Manualit të Qytetarëve në Bulqizë

Qyteti i Bulqizës ishte ndalesa e radhës së anëtarëve të EU Policy Hub për të prezantuar Manualin për Qytetarët.

Në aktivitetin e zhvilluar paraditen e së shtunës (28.10) në ambientet e Hotel Bulqiza, përveç njohjes me Manualin, të rinjtë e Bulqizës patën mundësi të mësojnë më shumë për përfshirjen sociale si një mjet për përfaqësimin më të mirë qytetar në kontekstin evropian dhe problemet vendore me karakter ekonomik trajtuar nga anëtari i EU Policy Hub, Besnik Baka.

Ndërsa pedagogu i Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë dhe njëkohësisht anëtari i EU Policy Hub, Armando Memushi, informoi të rinjtë e Bulqizës për mundësitë që kanë në bursat Erasmus për të studiuar jashtë Shqipërisë.

Një informacion më të zgjeruar në lidhje me resurset natyrore në Bulqizë u dha nga inxhinieri i mjedisit Mirjan Topi, pjesë e “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”, duke i dhënë rëndësi potencialit turistik që kanë këto resurse dhe se si mund të shfrytëzohen nga banorët.

Në fund të këtij aktiviteti, nën shoqërimin e koordinatorit lokal Sami Curri, grupi i EU Policy Hub i përbërë nga Blerta Tuci, Armando Memushi, Besnik Baka dhe Mirjan Topi, vizituan Përmendoren e Skënderbeut në Fushën e Vajkalit dhe të parën shtëpi pritëse për turistët në Bulqizë “Hupi Traditional House” në fshatin Lepurakë.

Për më shumë fotografi nga eventi vizitoni Fotogalerinë e EU Policy Hub.