
Në kuadër të projektit “Atelier Europe – Tirana”, EU Policy Hub së bashku me Qendrën “Muzika e të Rinjve” organizoi mbrëmjen e së shtunës (21.10) një mini koncert muzikor në mbështetje të fëmijëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Në këtë drejtim, Qendra “Muzika e të Rinjve” është angazhuar drejtpërdrejtë me edukimin e fëmijëve të këtij komuniteti nëpërmjet muzikës.
Këngëtaret e mirënjohur Vitmar Basha, i cili është njëkohësisht drejtuesi i qendrës, dhe Orgesa Zaimi, luajtën live për të pranishmit këngë nga repertori i tyre, sëbashku me grupin “Breaking Point” dhe të rinj të tjerë të formuar pranë kësaj qendre.
Ndërsa blogger-ja Krist Janku kishte përgatitur petulla të mbushura dhe muffins të cilat u konsumuan nga të pranishmit sëbashku me pijet e shërbyera vullentarisht nga anëtarët e forumit.
Të ardhurat modeste të mbledhura do të shkojnë për blerjen e medikamenteve të nevojshme për 8 nga fëmijët e Qendrës, të cilët rezultuan të sëmurë me viroza të ndryshme sëbashku me 36 fëmijë të tjerë të komunitet nga një kontroll mjekësor realizuar me ndihmën organizatës rinore Qendra T’Reja.
Gjatë dy viteve të fundit, fëmijë nga komuniteti Rom dhe Egjiptian të grupmoshës 8-18 vjeç, të ardhur nga zonat periferike të Tiranës si ajo Shkozës apo Tufinës, kanë mësuar instrumente muzikore si bateri, kitarë, bass dhe violinë.
Femijët e këtyre zonave periferike hasin sfida të vazhdueshme përsa i përket kushteve minimale të jetesës, edukimit dhe gjendjes së tyre shëndetësore.